Von der Leyen nga Tirana: BE po përgatit paketë të re sanksionesh ndaj Rusisë, do rrisim trysninë ndaj Putinit

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, është shprehur se BE do të rrisë trysninë ndaj Vladimir Putinit, në mënyrë që ai të detyrohet të pranojë paqen në Ukrainë. Komentet Von der Leyen i bëri nga Tirana, ku po mbahet mbledhja e Komunitetit Politik Europian dhe ku të pranishëm janë lider të vendeve të…

Lajme

16/05/2025 11:25

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, është shprehur se BE do të rrisë trysninë ndaj Vladimir Putinit, në mënyrë që ai të detyrohet të pranojë paqen në Ukrainë.

Komentet Von der Leyen i bëri nga Tirana, ku po mbahet mbledhja e Komunitetit Politik Europian dhe ku të pranishëm janë lider të vendeve të ndryshme të BE-së.

Ajo tha gjithashtu se duket qartë që Putin nuk është i interesuar për paqen, teksa shtoi se BE do të përgatisë një paketë të re sanksionesh ndaj sektorit financiar rus.

“Putin bëri thirrje për armëpushim në 9 maj, por asnjëherë nuk e zbatoi. Ndërkohë që Ukraina kërkoi një armëpushim të mbështetur nga SHBA dhe BE, por Putin e refuzoi. Më pas Putin propozoi që Rusia dhe Ukraina të takoheshin drejtpërdrejtë në Turqi për bisedime.

Zelensky ra dakord, por Putin nuk u duk. Prandaj ne do të rrisim presionin ndaj Rusisë, do të punojmë për një paketë sanksionesh, sanksione që aplikohen te Nord Stream 1 dhe Nord Stream 2.

Do të ulim tavanin e çmimeve të naftës dhe pastaj do të kemi edhe sanksione të tjera në sektorin financiar rus. Sepse ne duam paqe dhe do të ushtrojmë trysni derisa Putini ta bëjë këtë gjë”, tha Von der Layen.