Osmani takon sot liderët e subjekteve politike, në përpjekje për të gjetur zgjidhje për ngërçin politik
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani do t’i takojë sot liderët e partive politike në vend. Ky takim konsultativ vie si përpjekje për të gjetur zgjidhje për ngërçin politik të krijuar në vend tash e tre muaj nga zgjedhjet. Takimi pritet të nis në ora 13:00. Osmani gjatë ditës së djeshme tha se do të vazhdojë…

Lajme
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani do t’i takojë sot liderët e partive politike në vend.
Ky takim konsultativ vie si përpjekje për të gjetur zgjidhje për ngërçin politik të krijuar në vend tash e tre muaj nga zgjedhjet.
Takimi pritet të nis në ora 13:00.
Osmani gjatë ditës së djeshme tha se do të vazhdojë me takime me përfaqësuesit e subjekteve politike për të gjetur një zgjidhje në konstituimin e kuvendit.
“I falënderoj liderët e parive politike që janë përgjigjur pozitivisht. Ky është veç fillimi i një serie takimesh. Varësisht se si do rrjedhin bisedimet nesër ne do të vazhdojmë takimet, qoftë në atë format apo të ngjashme me liderët e partive. Ne si institucion i presidencës jemi në zbatim të detyrave kushtetuese. Sepse siç e dini, neni 84 përcakton që presidentja e vendit ka për detyrë që të garantojë funksionimin kushtetues të institucioneve”, tha Osmani.
Përpos kësaj, Osmani deklaroi se mos-konstituimi i kuvendit rrezikon pikërisht funksionimin kushtetues të institucioneve.
Ditë më parë, këshilltari për media i Osmanit, Bekim Kupina konfirmoi për lajmi.net pjesëmarrjen e përfaqësuesve të partive politike në këtë takim.
Takimi me të gjithë liderët partiak në vend, njëherësh me ata të subjekteve politike shqiptare e më pas të komuniteteve vie pasi 15 herë radhazi dështoi që të konstituohet kuvendit.
Sot në ora 10:30, deputetët e betuar tashmë do të mblidhen sërish për të parë nëse do të ketë ndonjë zgjidhje.
Lëvizja Vetëvendosje propozoi disa herë deputeten Albulena Haxhiu për kryetare të Kuvendit, por e njëjta nuk gjeti mbështetjen me votë të deputetëve.
Ajo mori vetëm 57 vota, jo të mjaftueshme për tu zgjidhur. Pas kësaj, Vetëvendosje propozoi formimin e një komisioni që më pas mundëson votimin e fshehtë për Haxhiun, por as kjo nuk u arrit pasi nuk patën votat e mjaftueshme./Lajmi.net/