Costa iu referua Kosovës si Republikë në konferencë për media, në njoftimin e BE’së s’ka Republikë: Theksohet fusnota

Bashkimi Evropian ka publikuar fjalën e Presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Costa, që e ka mbajtur gjatë paraqitjes për media me Presidenten Osmani. Ndryshe nga konferenca për media ku portugezi Osmanin e ka quajtur Presidente të Republikës së Kosovës, në njoftimin e BE’së ku jepet fjala e zyrtarit evropian s’përmendet Republika. “Dua të përshëndes angazhimin…

Lajme

14/05/2025 23:38

Bashkimi Evropian ka publikuar fjalën e Presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Costa, që e ka mbajtur gjatë paraqitjes për media me Presidenten Osmani.

Ndryshe nga konferenca për media ku portugezi Osmanin e ka quajtur Presidente të Republikës së Kosovës, në njoftimin e BE’së ku jepet fjala e zyrtarit evropian s’përmendet Republika.

“Dua të përshëndes angazhimin tuaj personal si Presidente e Kosovës në rrugën e saj evropiane”, duke shënuar një fusnotë tek Kosova në njoftimin e BE-së.

 

 

 

 

 

BE ndjek një qasje neutrale ndaj statusit të Kosovës për shkak se pesë vende anëtare të saj nuk e njohin pavarësinë. Costa vjen nga Portugalia, vend që e ka njohur Kosovën.

Më tej në njoftimin ku përcillet fjala e Costa potencohet se “zgjerimi në Ballkanin Perëndimor është investimi më i rëndësishëm gjeopolitik për Bashkimin Evropian. Është edhe angazhimi im personal”.

“Plani i rritjes për Ballkanin Perëndimor është një mundësi e madhe. Është thelbësore të vazhdohet puna për zbatimin e axhendës suaj ambicioze të reformave, në mënyrë që të mund të përfitoni plotësisht prej saj”, është shprehur tutje Costa.

“Vendi i Kosovës është në familjen e Bashkimit Evropian. Por kjo gjithashtu kërkon që ju të përmbushni angazhimet tuaja”, ka deklaruar ndër të tjera presidenti i Këshillit Evropian.