Celibashi apel të fortë numëruesve: Mos cenoni votën e kandidatëve, do të ndëshkoheni

Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka dhënë një deklaratë të fortë dhe të qartë lidhur me procesin e numërimit të votave preferenciale, duke u drejtuar me një apel të veçantë anëtarëve të grupeve të numërimit dhe të KZAZ-ve. Ai ka kërkuar respektimin strikt të ligjit dhe ka paralajmëruar masa të ashpra për…

Lajme

14/05/2025 13:43

Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka dhënë një deklaratë të fortë dhe të qartë lidhur me procesin e numërimit të votave preferenciale, duke u drejtuar me një apel të veçantë anëtarëve të grupeve të numërimit dhe të KZAZ-ve.

Ai ka kërkuar respektimin strikt të ligjit dhe ka paralajmëruar masa të ashpra për çdo tentativë për manipulim të votës së kandidatëve në listat e hapura.

Në deklaratën e tij, Celibashi theksoi se cenimi i votës së kandidatëve përbën “një shkelje të rëndë të integritetit zgjedhor” dhe se çdo përgjegjës do të përballet me pasoja serioze ligjore.

“Dëshirojmë të sjellim në vëmendje të të gjithëve se cenimi i votës së çdo kandidati në listën ‘e hapur’ përbën një shkelje të rëndë të integritetit zgjedhor dhe sjell pasoja ligjore serioze për përgjegjësit,” u shpreh Celibashi, raporton euronews.al

Sipas tij, këto fletë votimi duhet të ruhen në një zarf të veçantë dhe nuk duhet të përfshihen në procesin e rivlerësimit për kandidatët.

“Çdo shkelje e këtij rregulli do të konsiderohet si tentativë për të manipuluar rezultatin zgjedhor dhe do të ndiqet me masa të rrepta ligjore,” paralajmëroi ai.

Komisioneri Shtetëror nënvizoi gjithashtu se KQZ ka në dispozicion filmimet e procesit të numërimit për të gjitha KZAZ-të, si një instrument kontrolli dhe transparence në funksion të zbatimit të ligjit.