KFOR-i reagon pas raportimeve për ndërhyrjen në rrugët ilegale në veri: Vepruam për të shmangur tensionet, pa penguar Policinë e Kosovës

Para disa ditësh u raportua se njësitë e KFOR-it kanë ndërhyrë në disa rrugë ilegale në veri të Kosovës, afër kufirit me Serbinë, konkretisht në zonën e Zubin-Potokut, duke i bërë ato sërish të kalueshme për automjete. Sipas raportimeve, këto rrugë ishin bllokuar më herët nga Policia e Kosovës, për të parandaluar kontrabandën dhe kalimet…

Lajme

14/05/2025 12:05

Para disa ditësh u raportua se njësitë e KFOR-it kanë ndërhyrë në disa rrugë ilegale në veri të Kosovës, afër kufirit me Serbinë, konkretisht në zonën e Zubin-Potokut, duke i bërë ato sërish të kalueshme për automjete.

Sipas raportimeve, këto rrugë ishin bllokuar më herët nga Policia e Kosovës, për të parandaluar kontrabandën dhe kalimet ilegale.

KFOR-i bën të ditur se hendeqet ishin hapur në afërsi të vijës administrative kufitare, në zona të ndieshme dhe pa koordinim paraprak me KFOR-in.

KFOR-i deklaron se ka vendosur t’i mbushë ato, për të shmangur çdo rrezik për tensione apo keqkuptime në këtë zonë, duke njoftuar më parë të gjitha palët, përfshirë institucionet e Kosovës dhe forcat e armatosura të Serbisë.

“Hendekët ishin hapur në zona të ndjeshme përgjatë vijës administrative kufitare, pa miratim paraprak nga KFOR-i, prandaj ndërhymë për të shmangur tensionet dhe keqkuptimet mes palëve,” thuhet në reagimin e KFOR-it për IndeksOnline.

Sipas deklaratës, KFOR-i është autoriteti përfundimtar për kontrollin dhe integritetin e vijës kufitare, bazuar në mandatin e përcaktuar me Rezolutën 1244 të OKB-së dhe Marrëveshjen Teknike Ushtarake dhe si i tillë ka të drejtë të ndërmarrë veprime të tilla.

KFOR-i thekson se ky veprim nuk ka penguar dhe nuk pengon operacionet e Policisë së Kosovës në luftën kundër kontrabandës dhe trafikimit dhe se misioni i NATO-s i ka ofruar mbështetje Policisë së Kosovës, për vendosjen e pengesave në anën kosovare të vijës kufitare, nëse kjo konsiderohet e nevojshme.

“KFOR-i mbetet i përkushtuar ndaj zbatimit të mandatit të tij të OKB-së për krijimin e një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjitha komunitetet në Kosovë, duke bashkëpunuar ngushtë me Policinë e Kosovës dhe misionin e BE-së për sundimin e ligjit – EULEX, në përputhje me përgjegjësitë e secilit institucion të sigurisë”, thuhet në reagim.