​Kërkesa e opozitës në Kushtetuese, Haradinaj: E vetmja derë na mbeti Kushtetuesja

Grupi parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës me mbështetje nga deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të saktësuar shkeljet kushtetuese dhe për të kërkuar një zgjidhje për daljen nga ky bllokim. Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj,…

Lajme

12/05/2025 11:39

Grupi parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës me mbështetje nga deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të saktësuar shkeljet kushtetuese dhe për të kërkuar një zgjidhje për daljen nga ky bllokim.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka publikuar kërkesën e dërguar në Kushtetuese, derisa kritikuar ashpër bllokadën që po i bëhet konstituimit të Kuvendit të Kosovës, duke e cilësuar këtë situatë si të turpshme për deputetët e zgjedhur nga populli dhe për shtetin e Kosovës.

Haradinaj tha se dëmet nga bllokada që po i bëhet konstituimit të Kuvendit, ka edhe pasoja të rënda politike dhe ekonomike për ne si vend e si shoqëri, transmeton lajmi.net.

Postimi i plotë:

Loja me moskonstituimin e Kuvendit të Kosovës, është bërë e turpshme, jo vetëm për deputetët e zgjedhur nga populli, por edhe për vetë Kosovën si shtet. Seancat e përsëritura në çdo 48 orë, pa asnjë vendim, janë bërë model i papjekurisë sonë shtetërore.
Dëmet nga bllokada që po i bëhët konstituimit të Kuvendit, ka edhe pasoja të rënda politike dhe ekonomike për ne si vend e si shoqëri. Konsiderojmë se ndërrimi i mënyrës së votimit në gjysmë të procesit, me diktat të Vetëvendsjes, është shkelje e rëndë e Kushtetutës.
Në një situatë të tillë pa rrugëdalje, e vetmja derë na ka mbetur Gjykata Kushtetuese. Prandaj sot, Grupi ynë Parlamentar me mbështetjen edhe të deputetëve të LDK dhe të PDK, i është drejtuar asaj për të saktësuar shkeljet kushtetuese në këtë proces dhe për të na dhënë zgjidhje se si të dalim nga ky ngërç.
Natyrisht deri në një vendim të Gjykatës Kushtetuese, i cili shpresojmë të jetë i shpejtë, kemi kërkuar masë të përkohshme që të ndërpritet shpërfytyrimi i Parlamentit me seancat qesharake e pa asnjë produkt!.