Një pako me kokoshka në zyrën e PS-së acaroi ashpër PD-në

Një pako me kokoshka është kthyer në epiqendër të një përplasjeje politike mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste në Tiranë, pas përfundimit të procesit të votimit. Përfaqësuesi i PD-së, Belind Këlliçi, ka kërkuar ndërhyrjen e autoriteteve në një ambient që ai e cilësoi si zyrë të padeklaruar të PS-së. Sipas PD-së, në atë objekt po…

Lajme

11/05/2025 21:02

Një pako me kokoshka është kthyer në epiqendër të një përplasjeje politike mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste në Tiranë, pas përfundimit të procesit të votimit.

Përfaqësuesi i PD-së, Belind Këlliçi, ka kërkuar ndërhyrjen e autoriteteve në një ambient që ai e cilësoi si zyrë të padeklaruar të PS-së.

Sipas PD-së, në atë objekt po zhvillohej aktivitet i paligjshëm dhe aty ndodhej kandidati socialist Erion Braçe së bashku me ekipin e tij dhe mbështetës të tjerë të PS-së.

Gazetarja e Euronews raportoi se PD ka akuzuar se në zyrë po kryhej punë për llogari të fushatës në mënyrë të paligjshme.

Në reagimin e tij publik, Erion Braçe hodhi poshtë akuzat dhe ironizoi pretendimet e Këlliçit, duke thënë se i vetmi “dëshmi” që u gjet në vendin e ngjarjes ishte një kuti me kokoshka, për të cilën PD dyshonte se përmbante para.

“Kur u këqyr vendngjarja, u bënë fotografi… dhe u gjetën këto. Belindi pretendonte se kishte lekë këtu brenda,” u shpreh Braçe për mediat, duke treguar kutinë me kokoshka.

Ngjarja ka nxitur reagime të forta dhe ka thelluar tensionet politike në klimën e paszgjedhjeve në kryeqytetin shqiptar.