​Lufta Rusi-Ukrainë, Trump ka një thirrje të re

Në dritën e zhvillimeve të fundit në luftën Rusi-Ukrainë, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka bërë sërish thirrje për bisedime urgjente për paqen. Postimi i tij në Truth Social vjen pasi presidenti rus Vladimir Putin propozoi bisedimeve direkte në Stamboll më 15 maj, pa armëpushim paraprak, gjë që shkaktoi reagime nga komuniteti ndërkombëtar. “Presidenti Putin…

Bota

11/05/2025 19:50

Në dritën e zhvillimeve të fundit në luftën Rusi-Ukrainë, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka bërë sërish thirrje për bisedime urgjente për paqen.

Postimi i tij në Truth Social vjen pasi presidenti rus Vladimir Putin propozoi bisedimeve direkte në Stamboll më 15 maj, pa armëpushim paraprak, gjë që shkaktoi reagime nga komuniteti ndërkombëtar.

“Presidenti Putin i Rusisë nuk dëshiron të bëjë një marrëveshje armëpushimi me Ukrainën, por dëshiron të takohet në Turqi të enjten për të negociuar një fund të mundshëm. Ukraina duhet të bjerë dakord me këtë tani. Të paktën ai do të jetë në gjendje të përcaktojë nëse një marrëveshje është e mundur, dhe nëse jo, liderët evropianë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të dinë se ku qëndrojnë dhe mund të vazhdojnë në përputhje me rrethanat. Mbani takimin tani!”, ka shkruar Trump.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky shprehu gatishmërinë e tij për negociata, por theksoi se nevojitet një armëpushim i plotë dhe i pakushtëzuar përpara se të fillojnë bisedimet.

Udhëheqësit ndërkombëtarë, përfshirë ata nga Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe Polonia, kanë mbështetur qëndrimin e Ukrainës, duke kërkuar një armëpushim pa kushte 30-ditorë si parakusht për negociata serioze.

Kremlini njoftoi se negociatat e Paqes me Ukrainën të propozuara nga presidenti rus do të përfshijnë një projekt-marrëveshje midis dy vendeve nga viti 2022 që u braktis, si dhe faktin që Rusia kontrollon pothuajse një të pestën e territorit ukrainas.

Presidenti Zelensky përshëndeti nismën, duke thënë se Kievi është gati për bisedime, por Moska duhet së pari të pajtohet për një armëpushim të menjëhershëm.

Disa ditë pas pushtimit rus të Ukrainës, në shkurt 2022, Rusia dhe Ukraina filluan negociatat në Bjellorusi. Ato negociata vazhduan më vonë në Stamboll. Drafti që u ra dakord atje dhe që vendosi kornizën për një zgjidhje të mundshme të konfliktit njihet si “Marrëveshja e Stambollit”.

Por negociatat u ndërprenë në maj dhe zyrtarët rusë kanë argumentuar prej kohësh se një zgjidhje mund të arrihet pikërisht në linjën e Marrëveshjes së Stambollit.

Steve Witkoff, emisari special i Donald Trump, së fundmi iu referua draftit të vitit 2022 si një udhëzues potencial për arritjen e paqes në të ardhmen.

Çfarë përmban plani?

Ukraina, sipas dokumentit të prillit 2022, nuk duhet të rindërtojë ushtrinë e saj me ndihmën e Perëndimit dhe Krimeja do të ishte de-fakto nën Rusinë. Dokumenti tregon se negociatorët rusë dhe ukrainas kanë shqyrtuar lëshime të ndryshme në javët e para të luftës. Në projekt-marrëveshje thuhet se megjithëse Ukrainës i lejohet të aspirojë anëtarësimin në Bashkimin Evropian, ajo nuk duhet t’i bashkohet aleancave ushtarake si NATO.

Në territorin e saj nuk duhet të ketë armë të huaja dhe forcat ushtarake të vendit do të reduktohen në minimum. Gjatë negociatave, Rusia u përpoq të kufizonte të gjithë faktorët e mbrojtjes së Kievit, nga numri i ushtarëve dhe tankeve deri në rrezen maksimale të raketave ukrainase.

Drafti parashikon ndalimin e armëve të huaja, përfshirë armët raketore të çdo lloji. Moska dëshironte të kufizonte forcat e armatosura të Ukrainës në tetëdhjetë e pesë mijë ushtarë dhe treqind e dyzet e dy tanke. Negociatorët ukrainas kërkonin dyqind e pesëdhjetë mijë ushtarë, tetëqind tanke dhe njëmijë e nëntëqind artileri. Nga ana tjetër, Rusia donte që rrezet e raketave ukrainase të kufizoheshin në dyzet kilometra.

Gadishulli i Krimesë, tashmë i pushtuar nga Rusia, sipas dokumentit, do të mbetej nën ndikimin e Moskës dhe nuk do të konsiderohej neutral. Moska gjithashtu mbrojti që gjuha ruse të funksionojë në baza të barabarta me gjuhën ruse në qeveri dhe gjykata, por Kievi nuk e nënshkroi atë klauzolë. Dokumenti nuk trajtonte të ardhmen e pjesëve të Ukrainës lindore që Rusia pushtoi në vitin 2014. Kjo u la për negociata të mëtejshme.

Projektmarrëveshja e paqes duhej të garantohej nga fuqitë e huaja; që përfshinte Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britaninë e Madhe, Kinën, Francën dhe Rusinë. Në rast të shkeljes së marrëveshjes, këto vende kishin për detyrë të mbronin neutralitetin e Ukrainës.

Nga ana tjetër, garantuesve iu kërkua që, ndërkohë që kontrata ishte në fuqi, të përfundonin traktatet dhe marrëveshjet ndërkombëtare që ishin të papajtueshme me neutralitetin e përhershëm të Ukrainës.

Garancitë ndërkombëtare të sigurisë nuk zbatoheshin për Krimenë dhe Sevastopolin. Pasi përpjekja fillestare e Putin për të marrë kontrollin e Kievit dështoi, dokumenti propozonte Planin B të Rusisë – duke i dhënë fund mbështetjes perëndimore për Ukrainën.

Gjatë negociatave në prill 2022, pati shumë çështje të pazgjidhura, si ajo që ndodh në rast të një sulmi ndaj Ukrainës. Negociatorët ukrainas donin që hapësira ajrore të mbyllej në rast sulmi, por Rusia nuk pranoi dhe negociatat u ndërprenë në qershor 2022.