Zgjedhjet në Shqipëri, 22.84% pjesëmarrja deri në orën 12:00
Shqiptarët në të gjithë vendin po u drejtohen sot kutive të votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në Parlamentin e ri. Sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, ka shkuar në 22.84% pjesëmarrja në votime brenda Shqipërisë, deri në orën 11:00, sipas të dhënave të KQZ-së. Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi më herët ka raportuar se si po…

Lajme
Shqiptarët në të gjithë vendin po u drejtohen sot kutive të votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në Parlamentin e ri.
Sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, ka shkuar në 22.84% pjesëmarrja në votime brenda Shqipërisë, deri në orën 11:00, sipas të dhënave të KQZ-së.
Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi më herët ka raportuar se si po shkon procesi i votimit në vend, ku mësohet se ka pasur disa problematika në disa qendra votimi dhe se pjesëmarrja deri më tani është 13.54%.
“Janë 8% e QV-ve të hapura me vonesë ndërmjet orës 7:00 deri në 8:00. Mbi 5% të QV-ve rezulton që nuk kanë qenë të pranishëm të shtatë anëtarët e komisionit. Në momentin kur procesi i votimit është hapur, në të gjitha QV-të kanë qenë të pranishëm vëzhgues të partive politike. 5% të QV-ve kemi pasur raportime që ka patur tensione dhe kanë shkaktuar vonesa. Pretendime për grumbullime të njerëzve që në ato momente nuk duhet të ishin aty. Kanë ndërhyrë KQZ-ja dhe situata është stabilizuar. Kemi një raportim që lidhet me personat me aftësi të kufizuar, janë 21% të rasteve në të cilat ne kemi kërkuar informacion dhe këta persona nuk janë asistuar në bazë të procedurave të kodit zgjedhor. Pasi ka nisur procesi kemi pasur në 6% të QV-ve ndërprerje për probleme teknike, por situata është stabilizuar pas ndërhyrjes së inspektorëve të KQZ-së. Në 5% të QV-ve kemi mosrespektim të distancës, për individët të cilët kanë mbaruar procesin e votimit, por vazhdojnë të qëndrojnë në ambientet e QV-ve. Sa i përket votimit elektronik, më rezulton që janë 4 QV pa operatorë. Janë 4 QV në të cilat identifikimi i votuesve po bëhet manualisht”, tha Celibashi.
Ndërkohë, lidhur me votimin e diasporës, KQZ informon se përqindja e zarfeve që kanë mbërritur ka shkuar në 76.41%.
Janë rreth 3 milionë e 713 mijë qytetarë që këtë vit gëzojnë të drejtën e votës. 114 mijë do të votojnë për herë të parë dhe po për herë të parë, procesit i është bashkuar edhe diaspora me gati 245 mijë votues të regjistruar. RTSH ka përgatitur një video të posaçme që tregon si mund ta gjeni qendrën tuaj të votimit.
Orari zyrtar i votimit nëpër qendrat e ndryshme të vendit është 7:00 deri në 19:00. Ora 7 e pasdites është po ashtu limiti për pranimin e fletëvotimeve që vijnë me postë nga diaspora, ndërsa votat nga jashtë përtej këtij orari nuk do të merren parasysh. Procesi monitorohet nga mbi 2.100 vëzhgues.
Në fletën e votimit janë 11 subjekte politike, të cilat kanë shpërndarë secila nga 186 kandidatë për deputetë nëpër 12 qarqet e Shqipërisë.