Çka dihet për rastin ku dizajneri i njohur theri të dashurën e më pas vrau vetën?

Dje ka ndodhur një rast i rëndë në Rrugën B në Prishtinë. Atje dizajneri Festim Isufi dyshohet se e theri me thikë të dashurën e tij e më pas edhe vetën dhe nga plagët vdiq në vendin e ngjarjes. Zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Flora Ahmeti, ka thënë për Lajmi.net se pas arritjes në vendin…

Lajme

10/05/2025 09:50

Dje ka ndodhur një rast i rëndë në Rrugën B në Prishtinë. Atje dizajneri Festim Isufi dyshohet se e theri me thikë të dashurën e tij e më pas edhe vetën dhe nga plagët vdiq në vendin e ngjarjes.

Zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Flora Ahmeti, ka thënë për Lajmi.net se pas arritjes në vendin e ngjarjes, mjekët kanë konstatuar vdekjen e njërit prej personave të lënduar, mashkull 34 vjeç, dhe një femër e moshës 30 vjeçare e lënduar është dërguar për tretman mjekësor.

“Mbështetur në të dhënat fillestare, dyshohet se personat kanë pësuar lëndime nga një mjet i mprehtë, dyshohet thikë. Hetuesit policor po ndërmarrin të gjitha veprimet e duhura hetimore që do t’i kontribuonin hetimit të ngjarjes”, ka thënë Ahmeti.

Drejtori i Klinikës Emergjente Naser Syla dje ka thënë se gjendja e 30 vjeçares është stabile dhe se s’ka lëndime serioze.

“Po është trajtuar në Qendrën emergjente. Ajo është lëshuar në përcjellje të policisë, s’ka serioze asgjë”, ka thënë Syla.

30 vjeçarja ka këkruar ndihmë te një klinikë dentare “Alba Dent”. Kështu ka thënë pronari.

“Rasti nuk ka ndodhur në lokalin tim, por e plagosura ka ardhur këtu duke kërkuar ndihmë”, tha ai.

Lidhur me rastin, dje Prokuroria Themelore në Prishtinë lëshoi një njoftim, ku thuhet se një person ka vdekur dhe trupi i pajetë i tij është dërguar për obduksion në Insititutin e Mjekësisë Ligjore.

“Prokurori kujdestar ka dalë në vendin e ngjarjes së bashku me njësitet relevante të Policisë së Kosovës, dhe ka urdhëruar ndërmarrjen e veprimeve të menjëhershme hetimore për ndriçimin e plotë të rastit,” thuhet në komunikatën e Prokurorisë.

Ndaj rastit është iniciuar procedurë penale me kallëzim penal si “Hetim mbi vdekjen”, me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave që çuan deri te vdekja e personit.

Prokuroria bën të ditur se është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për të zbardhur plotësisht këtë rast tragjik.