​FFK paralajmëron masa rigoroze për ta mbrojtur shëndetin e futbollistëve

Pas shqetësimeve të ngritura lidhur me rastet e fundit të rrezikimit të shëndetit të futbollistëve gjatë ndeshjeve kampionale, presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi ka mbajtur një takim me Këshillin Mjekësor të FFK-së. Siç bën të ditur FFK, ky takim kishte për qëllim të rishqyrtojë në mënyrë të thelluar dhe të avancojë…

Sport

09/05/2025 09:41

Pas shqetësimeve të ngritura lidhur me rastet e fundit të rrezikimit të shëndetit të futbollistëve gjatë ndeshjeve kampionale, presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi ka mbajtur një takim me Këshillin Mjekësor të FFK-së.

Siç bën të ditur FFK, ky takim kishte për qëllim të rishqyrtojë në mënyrë të thelluar dhe të avancojë strategjinë gjithëpërfshirëse të federatës për mbrojtjen e shëndetit dhe sigurisë së sportistëve.

Ademi ka kërkuar që Këshilli Mjekësor të paraqesë propozime konkrete, të bazuara në praktikat më të mira ndërkombëtare, për forcimin e masave preventive dhe emergjente.

Po ashtu, është kërkuar që të fillojnë pa vonesë të gjitha përgatitjet teknike, logjistike dhe profesionale për zbatimin efektiv të këtyre masave në të gjitha nivelet e garave.

FFK gjithashtu thotë se e konsideron shëndetin e futbollistëve primar dhe është e vendosur të veprojë me përgjegjësi maksimale për të garantuar siguri të plotë në fushën e lojës. Ky angazhim do të shoqërohet me masa konkrete, kontrolle rigoroze dhe bashkëpunim të ngushtë me profesionistët e mjekësisë sportive, për të ndërtuar një sistem që vendos jetën e sportistëve mbi çdo gjë tjetër.