Dallavere me projektin 294.154,79 euro të shkollës në Suharekë- Prokuroria ngrit aktakuzë ndaj shtatë personave zyrtarë
Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër shtatë të pandehurve B.K., A.R., V.K., Z.T., A.E., H.B dhe A.T., për shkak të dyshimit të bazuar se të njëjtit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Sipas aktakuzës, gjatë periudhës kohore prej 12.10.2018 e deri në…

Lajme
Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër shtatë të pandehurve B.K., A.R., V.K., Z.T., A.E., H.B dhe A.T., për shkak të dyshimit të bazuar se të njëjtit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Sipas aktakuzës, gjatë periudhës kohore prej 12.10.2018 e deri në dhjetor të vitit 2019, në Suharekë, të akuzuarit e lartpërmendur, si zyrtarë për kontrollimin e punëve ndërtimore, për ndërtimin e SHFMU “Vaso Pashë Shkodrani” në fshatin Tërnje, në vlerë prej 294.154,79 euro, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar nuk i përmbushin detyrat e tyre me qëllim mundësojnë përfitimit të dobisë për tjetrin, Operatorin Ekonomik NPN ,,I.” NPN ,,E.”, në atë mënyrë që i akuzuari i parë B.K., në cilësinë e menaxherit të projektit, ka ndryshuar projektin e ndërtimit të shkollës së lartpërmendur pa përfillur kompaninë projektuese duke pranuar punët në kundërshtim me kontratën e nënshkruar, me rregullat dhe udhëzuesin operativ për prokurim publik.
“Ndërsa, të akuzuarit A.R., dhe V.K., në cilësinë e mbikëqyrësve të brendshëm komunal dhe Z.T., në cilësinë e mbikëqyrësit të jashtëm të kontraktuar, gjatë mbikëqyrjes nuk kanë vepruar sipas kushteve të kontratës dhe përgjegjësive që i takojnë, si dhe të akuzuarit A.E., H.B., dhe A.T., anëtarë të komisionit për kontrollimin e punëve në projektin e lartpërmendur, kanë dështuar të bëjnë verifikimin e sasisë, cilësisë, llojin dhe vlerën financiare të pranuar dhe të dokumentuar, dhe kanë pranuar të bëhen pagesa për pozicione të pakryera, përfshirë mungesën e zbritjes së pozicioneve të podrumit me sipërfaqe prej 175 m², i cili nuk është realizuar sipas projektit, dhe është zëvendësuar me vetëm 16 m² të një aneksi. Në këtë rast, është lidhur kontratë për punë shtesë me të njëjtin operator ekonomik në vlerë prej 29,202.60 euro, duke shkaktuar kështu dëm financiar për buxhetin e Komunës së Suharekës”,thuhet në njoftimin për media.
Me këto veprime, të njëjtit kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” sipas KPRK-së.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartcekur për veprën penale për të cilën akuzohen të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit./Lajmi.net/