Tragjedia në Prizren ku babai vrau vajzën, Osmani: Jemi përballë një drame shoqërore, një alarm që kumbon fort për të gjithë
Presidentja Vjosa Osmani ka reaguar në lidhje me rastin tragjik në Prizren ku një burrë vrau vajzën e tij 15 vjeç duke e therur me thikë, plagosi vajzën tjetër 10 vjeç dhe lëndoi gruan dhe veten në fund. Në lidhje me këtë Osmani tha se kur ndodh një rast si ky, atëherë nuk është veç…

Lajme
Presidentja Vjosa Osmani ka reaguar në lidhje me rastin tragjik në Prizren ku një burrë vrau vajzën e tij 15 vjeç duke e therur me thikë, plagosi vajzën tjetër 10 vjeç dhe lëndoi gruan dhe veten në fund.
Në lidhje me këtë Osmani tha se kur ndodh një rast si ky, atëherë nuk është veç tragjedi familjare, por dramë shoqërore një alarm që kumbon fort për të gjithë.
Osmani u bëri thirrje autoriteteve të drejtësisë që të veprojnë me forcën maksimale të ligjit, transmeton lajmi.net.
“Por drejtësia pas tragjedisë nuk mjafton. Kërkohet parandalim! Parandalim për të ndalur dorën që godet, për të shpëtuar jetët që sot janë të pambrojtura”, ka shkruar ajo ndër tjerash.
Postimi i plotë:
Shtëpia nuk duhet kurrë të kthehet në skenë krimi!
Kur brenda katër mureve të shtëpisë – aty ku duhet të ketë dashuri, siguri dhe ngrohtësi – ndodh një krim kaq i rëndë sikur ky që ndodhi sot, ku njëra vajzë vritet nga dora e babait dhe vajza tjetër mbetet e plagosur së bashku me nënën e saj, nuk jemi më vetëm përballë një tragjedie familjare. Jemi përballë një drame shoqërore, një alarm që kumbon fort për të gjithë. Për secilën shoqëri e secilin shtet!
Ky nuk është thjesht një krim. Është një akt barbar.
I bëj thirrje organeve të drejtësisë: veproni me forcën maksimale të ligjit, pa asnjë mëshirë ndaj dhunës! Zbardhje e plotë, ndëshkim maksimal – ky është minimumi që kërkon drejtësia në këtë rast.
Por drejtësia pas tragjedisë nuk mjafton. Kërkohet parandalim! Parandalim për të ndalur dorën që godet, për të shpëtuar jetët që sot janë të pambrojtura.
Nuk mundemi kurrsesi të kthejmë kokën anash! Nuk ka më “është punë familjare” kur dhuna gërryen nga brenda zemrën e një shoqërie.
Shtëpia nuk guxon të bëhet vend i frikës. Duhet të mbetet strehë e shenjtë!
Ngushëllime të thella për jetën e pafajshme të humbur. Lutje për forcë dhe shërim për të mbijetuarat. Dhe zë i lartë për drejtësi! ./Lajmi.net/