​Ftesa e Kurtit ndaj Abdixhikut për koalicion qeverisës, flasin analistët politikë

Ftesa e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ndaj kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, për koalicion qeverisës po shihet me këndvështrime të ndryshme nga analistët politikë. Në njërën anë, veprimi i Kurtit mirëpritet si mundësi e zgjidhjes së krizës politike në vend, ndërkaq, në anën tjetër e njëjta vlerësohet si jo e…

Lajme

05/05/2025 18:00

Ftesa e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ndaj kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, për koalicion qeverisës po shihet me këndvështrime të ndryshme nga analistët politikë. Në njërën anë, veprimi i Kurtit mirëpritet si mundësi e zgjidhjes së krizës politike në vend, ndërkaq, në anën tjetër e njëjta vlerësohet si jo e sinqertë dhe tendencë që të fajësohet LDK-ja për vazhdimin e krizës politike.

Të njëjtit theksojnë se cilado përgjigje e LDK-së ndaj ftesës së LVV-së për koalicion qeverisës do të ketë pasojë të madhe politike. Sipas tyre, nëse LDK pranon të hyjë në koalicion qeverisës me LVV, do të ketë formim të shpejtë të institucioneve, mirëpo edhe në rast refuzimi do të krijohej narrativi që LDK-ja mban një pjesë të madhe të përgjegjësisë për situatën politike dhe mundësinë e zgjedhjeve të reja.

Të hënën dështoi për të njëmbëdhjetën herë me radhë konstituimi i Kuvendit të Kosovës. Të njëjtën ditë, lideri i LVV-së, Albin Kurti, i dërgoi letër kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, për arritjen e një koalicioni qeverisës për formimin e institucioneve të reja në vend.

Analisti politik, Dorajet Imeri, thotë se dështimet e njëpasnjëshme për zgjedhjen e trupave të Kuvendit dhe më pas formimin e qeverisë detyruan Kurtin që të kërkojë sërish nga LDK-ja arritjen e një koalicioni qeverisës.

“Ky veprim i sotëm i LVV-së, përkatësisht i kryetarit të saj Albin Kurti, ka dy elemente me rëndësi. E para bëhet për të shmangur fokusin në dështimin e seancës dhe e dyta është produkt i këtij dështimi. Pamundësia për të shkuar më tej pambarimisht dhe në këtë mënyrë ai ka zgjedhur një partner potencial për të formuar një shumicë pas zgjedhjeve. Letra që i është drejtuar Lidhjes Demokratike të Kosovës është produkt i kësaj pamundësie. Natyrisht i përket Lëvizjes Vetëvendosje të përcaktojë se me kënd mund të bashkëqeverisë më lehtë. Por të njëjtën kohë edhe LDK-ja duhet të thotë fjalën e saj. Konsideroj se përgjigja, cilado qoftë e LDK-së, do të ketë pasojë politike të madhe. Nëse eventualisht do të mundësohej krijimi i shumicës së re në Kuvend, do të kishim zhbllokim të situatës në Kuvend. Por në anën tjetër, një përgjigje negative do thoshte se LDK-ja mban një pjesë të madhe të përgjegjësisë për situatën politike, pasi fakti që iu është mundësuar koalicioni nga LVV-ja, në mënyrë automatike do të mund të vlerësohej si një mungesë totale e vullnetit politik për të zhbllokuar situatën”, thekson ai.

Por të kundërtën e mendon politologu, Albinot Maloku, i cili thotë se ftesa e Kurtit ndaj Abdixhikut për koalicion qeverisës është e pasinqertë dhe që s’ka qëllim zgjidhjen e krizës politike në Kosovë.

“Ftesa e kreut të LVV-së drejtuar kryetarit të LDK-së për të diskutuar mundësinë e bashkëpunimit nuk ishte e sinqertë dhe as me tendenca për të zgjidhur situatën e ngërçit në Kosovë. Ajo ishte më shumë një ftesë e cila i rikujton të bëmat e LDK-së, rikujton se ajo në një formë ose tjetër ka qenë me të gjitha subjektet politike dhe pse ajo nuk mund ta bëjë këtë. Konsideroj se LDK-ja e ka momentin historik që duke ndarë mendjen fuqishëm të një ‘jo’ të pastër dhe t’i kthehet vetës. Me numrat aktualë që ka në Kuvend, t’i kthejë identitetin LDK-së dhe t’i hap perspektivën këtij subjekti politik që e meriton të mos jetë pjesë ose vegël e subjekteve të tjera politike, por të kritikojë identitetin e vet si një subjekt serioz”, shton Maloku.

Kurti edhe në fillim të muajit prill, përmes një letre zyrtare ka kërkuar takim me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, për formimin e institucioneve të reja, mirëpo ky i fundit e ka refuzuar të njëjtin.

Në anën tjetër, ngërçi në konstituimin e Kuvendit të Kosovës po ndodh për shkak se Lëvizja Vetëvendosje, si partia e parë në zgjedhjet e 9 shkurtit, nuk po siguron 61 votat e nevojshme për të zgjedhur kryeparlamentarin. Gjashtë herë radhazi, kundër Albulena Haxhiut, si propozim i LVV-së për këtë post, po votojnë deputetët nga Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ndërkaq, tre deputetët e Nismës Socialdemokrate po abstenojnë. Nga radhët e komuniteteve jo-shumicë, deputetët e Listës Serbe nuk po marrin pjesë fare në votim. Të njëjtën gjë e ka bërë deri tani edhe deputetja nga komuniteti boshnjak, Duda Balje.