Konstituimi i Kuvendit nuk bëhet as në përpjekjen e njëmbëdhjetë – Pse po refuzohet Haxhiu?

Për të njëmbëdhjetën herë me radhë, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar ta konstituojnë përbërjen e nëntë parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e shkurtit. Ligjbërësit refuzuan për të tretën herë rresht që ta formojnë një komision për votimin e fshehtë për kreun e ri të organit ligjvënës. Dështimi i radhës ndodhi pak para se…

Lajme

05/05/2025 12:17

Për të njëmbëdhjetën herë me radhë, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar ta konstituojnë përbërjen e nëntë parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e shkurtit.

Ligjbërësit refuzuan për të tretën herë rresht që ta formojnë një komision për votimin e fshehtë për kreun e ri të organit ligjvënës.

Dështimi i radhës ndodhi pak para se të bëhej e ditur që kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), njëherësh kryeministër në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i ka shkruar një letër kreut të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), më 5 maj, përmes së cilës e ka ftuar për marrëveshje politike mes dy partive.
Në vazhdimin e seancës konstituive, të hënën, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), LDK-ja, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lista Serbe refuzuan sërish që të propozojnë një përfaqësues që do të siguronte mbarëvajtjen e votimit të fshehtë.

Seanca konstituive do të vazhdojë të mërkurën, në orën 10:00.

Deputetë të partive që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë thonë se është jokushtetuese mënyra se si LVV-ja po tenton që kryeparlamentari të votohet përmes formës së fshehtë.

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka paralajmëruar se deputetët mund t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese.

Deri më tani, deputetët kanë kaluar vetëm dy pika të agjendës së seancës konstituive: raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe atë të betimit të deputetëve.

Por, procesi ka ngecur te pika e tretë: zgjedhja e kryeparlamentarit.

Propozimi për kryeparlamentar është e drejtë ekskluzive e fitueses së zgjedhjeve, LVV-së, por në gjashtë votime, kandidatja e saj, Albulena Haxhiu, nuk ka arritur t’i marrë votat e nevojshme, përkatësisht 61.

Partitë që po kundërshtojnë emrin e Haxhiut për kryeparlamentare i kanë kërkuar LVV-së të ndryshojë propozimin për postin, në mënyrë që procesi të zhbllokohet.
Çfarë thanë deputetët sot?
Deputeti i PDK-së, njëherësh kryetar i kësaj partie, Memli Krasniqi, tha pas dështimit të radhës për konstituimin e Kuvendit se LVV-ja “në mungesë të shumicës parlamentare është duke dhunuar jo vetëm këtë institucion, por edhe vetë shtetin”.

Krasniqi ka thënë se po duket që, për kreun e LVV-së, Kurti, “Haxhiu është më e rëndësishme se qytetarët që kanë votuar në zgjedhje dhe kanë dhënë verdiktin e tyre”.
“Në mungesë të besimit, në mungesë të numrave, në mungesë të shumicës për t’u bërë vetë kryeministër, ai po luan me Albulena Haxhiun…”, është shprehur Krasniqi.

Kurti, sipas tij, “e ka më të lehtë ta sakrifikojë atë sesa që të matet vetë. Secili e din që ai nuk i ka numrat”.

Krasniqi ka thënë se LVV-ja “nuk mund ta mbajë peng me zor shtetin. Nëse vërtet dëshiron të kemi rrugëdalje, e ftoj ta ndryshojë kandidaten”.

Deputeti i LVV-së, Hekuran Murati, ka thënë se “vullneti i deputetit po vazhdon të ndrydhet përmes insistimit për votim të hapur”.

“Votimi i fshehtë është mënyrë kushtetuese si të dilet nga situata”, është shprehur ai.
“Partitë opozitare vazhdojnë të mos u besojnë deputetëve të tyre, ka thënë Murati, duke ngulmuar se votimi i fshehtë nuk përbën kurrfarë shkelje.

Ai ka thënë se LVV-ja është e interesuar që me partitë e tjera të gjejë pajtim për rrugën përpara, teksa ka konfirmuar se ajo është e hapur për “diskutim për marrëveshje politike”.

Më herët, deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se bllokimi i Kuvendit është pasojë e mosbashkëpunimit mes LVV-së dhe partive që dikur ishin në opozitë.

Ai ka thënë se “nuk ka mirëbesim mes partive politike” dhe se kjo “është për keqardhje”.

Sipas tij, mirëbesimi mund të arrihet “vetëm me veprime konkrete nga Kurti”.

Ai ka kërkuar që Kurti të kërkojë falje “për gjuhën ofenduese dhe sjelljen degraduese”, dhe të marrë përgjegjësi për gjendjen e vendit sot.
Haxhiu po konsiderohet si figurë përçarëse nga dy parti parlamentare: PDK-ja dhe AAK-ja.

Këto dy subjekte kanë kërkuar që LVV-ja të nxjerrë emër tjetër për kryeparlamentar, madje AAK-ja ka përmendur edhe dy emra – Saranda Bogujevci dhe Shqipe Selimi – nga partia e kryeministrit në detyrë, Kurti, të cilat ka thënë se do t’i votonte.

LDK-ja, ndërkaq, ka thënë se nuk ka vota për asnjë të propozuar të LVV-së për postin e kryeparlamentarit.

Por, LVV-ja ka argumentuar se Haxhiu është kandidate meritore dhe ka refuzuar thirrjet për të vendosur dikë tjetër në emër të saj.
Partitë, që legjislaturën e kaluar ishin në opozitë, e kanë akuzuar LVV-në se po synon që të imponojë votimin e Haxhiut dhe me “qëllim po bllokon procesin”, pasi kanë argumentuar se kjo parti nuk i ka as votat për Qeverinë e re të Kosovë – proces që pason konstituimin e Kuvendit – për formimin e së cilës po ashtu kërkohet shumica e thjeshtë prej 61 votash.

Por, LVV-ja ka thënë se nuk po i detyron partitë që ta mbështesin kandidaten e tyre për kryeparlamentare. Kjo parti, ka thënë se nuk është e interesuar për mbajtjen e zgjedhjeve të reja, por është e gatshme për një cikël të ri zgjedhor, si opsionin e fundit për dalje nga situata e krijuar.

LVV-ja më herët ka propozuar që së bashku me PDK-në dhe LDK-në të pajtohen që të votohen në paketë Haxhiu dhe tre nënkryetarët e Kuvendit – teksa dy nënkryetarë të tjerë i takojnë komuniteteve pakicë.

Në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, LVV-ja i ka fituar 48 ulëse në Kuvend, PDK-ja 24, LDK-ja 20, AAK-Nisma tetë, tri prej të cilave i takojnë kësaj të fundit dhe kjo ndarje e ulëseve në Parlament ia pamundëson secilës parti që të qeverisë e vetme.

Formimin e institucioneve të reja po e kërkon bashkësia ndërkombëtare, me Bashkimin Evropian që ka thënë se Kosova duhet t’i formojë shpejt institucionet e reja.

Ndërkaq, më 30 prill ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka shprehur shqetësimin e tij për vonesat në krijimin e institucioneve. Ai u ka bërë thirrje partive politike që të veprojnë shpejt në këtë drejtim dhe t’i shohin interesat shtetërore para atyre partiake.
Seanca konstituive, që ka nisur më 15 prill, mund të ndërpritet dhe të vazhdohet sërish brenda 48 orësh. Nuk ka kufizime se sa vazhdime mund të ketë deri në konstituimin e organit ligjvënës.

Votimi i kryeparlamentarit dhe nënkryetarëve do t’i hapte rrugë formimit të Qeverisë së re të Kosovës. LVV-së, si fituese të zgjedhjeve, i takon që e para të propozojë mandatarin për ekzekzutivin. Nëse brenda 15 ditësh nuk e formon ekzekutivin, atëherë presidentja Vjosa Osmani, ka të drejtë të mandatojë cilëndo parti që ia garanton se i ka 61 votat për Qeverinë e re të Kosovës.

Nëse edhe mandatari i dytë dështon të formojë ekzekutivin, atëherë Osmani shpall mbajtjen e zgjedhjeve të reja.