Hykmete Bajrami mohon zërat se ka deputetë të LDK që mund ta votojnë Albulena Haxhiun me votim të fshehtë: Jemi grup unik, nuk ka asnjë dyshim për këtë
Seanca e konstituimit të Kuvendit të Kosovës do të vazhdojë nesër. Legjislatura e nëntë e Kuvendit të Kosovës do të tentojë nesër për herë të njëmbëdhjetë që të bëjë konstituimin e këtij institucioni, transmeton lajmi.net. Pas shumë tentativave me votim të hapur për të zgjedhur kandidaten e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu dështoi të…

Lajme
Seanca e konstituimit të Kuvendit të Kosovës do të vazhdojë nesër.
Legjislatura e nëntë e Kuvendit të Kosovës do të tentojë nesër për herë të njëmbëdhjetë që të bëjë konstituimin e këtij institucioni, transmeton lajmi.net.
Pas shumë tentativave me votim të hapur për të zgjedhur kandidaten e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu dështoi të marrë tetë herë besimin e 61 deputetëve. Pas kësaj partia më e madhe e dalur nga zgjedhjet e fundit propozoi që votimi për kandidaten e propozuar nga ata të bëhet në mënyrë të fshehtë.
Edhe votimi i komisionit për këtë proces dështoi dy herë radhazi me partitë e tjera që refuzuan një kërkesë të tillë duke e cilësuar një gjë të tillë si shkelje e rregullores dhe shkelje ligjore.
Hykmete Bajrami nga LDK në një prononcim për lajmi.net konfirmoi se partia e saj nuk ka ndryshuar qëndrim sa i përket formimit të komisionit për votim të fshehtë.
Bajrami tha se ky ndryshim është shkelje e rregullores dhe nuk do të gjej përkrahjen e partisë së saj.
“Jo, sepse ne besojmë dhe jemi të bindur se ndryshimi i mënyrës së votimit pasi ka filluar procesi dhe disa tentativave është shkelje e rregullores, shkelje ligjore. Nuk kemi lëvizur nga ky qëndrim, ne as nuk po e konsiderojmë që të lëvizim nga ky qëndrim”, tha fillmisht Bajrami.
Deputetja e LDK-së mohoi zërat se tre nga deputetët e kësaj partie do të mund të votonin Haxhiun në rast se bëhet votimi në mënyrë të fshehur.
“Ne jemi grup tepër unik. Vendimet i marrim në organet e partisë, nuk ka pasur asnjë kundërshtim, nuk ka asnjë mëdyshje më të vogël. Nëse dikush do ta votojë dikë duhet ta bëjë atë në mënyrë të hapur, pse ka nevojë që dikush ta fsheh qëndrimin. Ne kemi marrur votat nën ombrellën e LDK-së, nëse dikush ka bindje të tjera duhet ta bëjë hapur, por absolutisht nuk kemi as kundërshtimin më të vogël, deri tani në grup ka unitet të plotë. Nuk është kjo arsyeja pse ne po e kundërshtojmë formimin e komisionit”, shtoi ajo.
Bajrami shtoi se zhbllokimi i këtij ngërçi politik nuk është në dorën e LDK-së.
“Nuk është në dorën tonë, ata kanë 48 deputetë. Ajo çka po iu kërkohet nga partitë e tjera është që të ndërrohet kandidati, nuk është në dorën tonë që të zhbllokojmë situatën, sikur të ishte në dorën tonë, sikur të varej nga ne përfundimisht që nuk do e kishim lejuar një gjendje të tillë. Ne jemi parti politike që kemi marrë mbi 170 mijë vota, nuk mund të sillemi konform tekeve të Lëvizjes Vetëvendosje. 48 deputetë i kanë në Kuvend, janë 15 parti parlamentare, kryetari i Kuvendit gjithmonë është zgjedhur me marrëveshje politike është pikërisht LVV që kurrë kryetar të Kuvendit të ndonjë partie tjetër nuk e ka votuar, përveç në rastin e Vjosa Osmanit kur kemi pasur marrëveshje politike, kur kemi pasur marrëveshje të koalicionit. Nuk është në dorën e LDK për të bërë diçka është pikërisht në dorën e atyre, kanë 48 deputetë janë tek me një emër i cili nuk po kalon”, përfundoi Bajrami për lajmi.net.
Qëndrim të njëjtë deri tani kanë edhe partitë e tjera si PDK dhe AAK./Lajmi.net/