Nga një muaj paraburgim ndaj dy personave për përkrahje të ISIS-it në rrjete sociale

Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës lidhur me caktimin e masës së paraburgimit nga një muaj në çështjen penale ndaj të pandehurve D.B. dhe E.B., të dyshuar për veprat penale “Nxitja e përçarjes dhe mos durimit” dhe “Bashkimi apo pjesëmarrja në ushtrinë ose policinë e…

Lajme

02/05/2025 19:02

Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës lidhur me caktimin e masës së paraburgimit nga një muaj në çështjen penale ndaj të pandehurve D.B. dhe E.B., të dyshuar për veprat penale “Nxitja e përçarjes dhe mos durimit” dhe “Bashkimi apo pjesëmarrja në ushtrinë ose policinë e huaj në formacionet e jashtme paraushtarake ose para-policore në organizimet grupore apo individualisht jashtë territorit të Republikës së Kosovës”.

Në njoftimin e lëshuar për media thuhet se gjykata vlerësoi se caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje penale është masë adekuate, sepse nëse dy të pandehurit lihet në liri, ekziston rreziku i ikjes së tyre, duke pasur parasysh rrethanat dhe mënyrën se si janë kryer veprat penale, mund lehtë të arratisen për t’i ikur përgjegjësisë penale, mund të ndikojnë në prova dhe në dëshmitarë si dhe mund të përsërisin veprat e njëjta penale ose mund të kryejnë sërish vepra tjera penale.

Gjykata thotë për të njëjtit se kanë publikuar video në rrjete sociale duke e përkrahur organizatën ISIS.

“Ekziston dyshimi i bazuar se në fshatin Shashkoc të Komunës së Prishtinës, të dyshuarit prej kohës së pavërtetuar e në vazhdimësi deri me datën 01.05.2025, kanë nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje e mos-durim midis grupeve fetare si dhe kanë propaganduar ideologji ekstreme fetare në atë mënyrë që të njëjtit kanë postuar në ‘Tik-Tok’ dhe ‘Facebook’, material duke e përkrahur organizatën ‘ISIS’, ashtu që kanë vendosur flamuj të organizatës terroriste ‘ISIS’ mbi kulmin-çatinë e shtëpisë së tyre, kanë bërë grafitë me shkronja arabe në muret e shtëpisë së tyre, po ashtu përmes rrjeteve sociale, kanë propaganduar duke shpërndarë video përmes të cilave kanë shprehur qartë përkrahjen e ideologjisë së organizatës terroriste ‘ISIS’”.

“Në njërën nga videot e publikuara i pandehuri D.B. ka shfaqur pamje të fytyrës së tij para një shtëpie ku valëvitet flamuri bardh e zi me simboliken e ‘ISIS’, me të cilat postime të njëjtit kanë shpreh armiqësi të thellë ndaj institucioneve shtetërore, Forcave të Sigurisë së Kosovës, liderëve politik, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të gjithë atyre që nuk ndajnë ideologjinë e tyre ekstremiste. Dyshimi i bazuar se të pandehurit D.B. dhe E.B. kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen vërtetohet nga pjesëmarrja e tyre aktive në bashkëkryerjen e veprave penale si dhe shfaqjen publike të ideologjisë së tyre ekstreme”, thuhet në njoftim.

Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.