Mori çokollata pa i paguar për t’ia dhënë shitësit të marihuanës – Gjykata e Prishtinës e dërgon në paraburgim për një muaj
Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj të dyshuarit N.T., i cili akuzohet për vjedhje të çokollatave në vlerë mbi 20 euro dhe përdorim të një thike gjatë ngjarjes. Sipas vendimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë…

Lajme
Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj të dyshuarit N.T., i cili akuzohet për vjedhje të çokollatave në vlerë mbi 20 euro dhe përdorim të një thike gjatë ngjarjes.
Sipas vendimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit.
“Caktohet masa e paraburgimit me kohëzgjatje prej një muaji, e cila sipas këtij aktvendimi do të zgjasë nga data 24.04.2025 deri më 23.05.2025”, thuhet në vendim.
Më herët është raportuar për përmbajtjen e kërkesës së Prokurorisë, ku përshkruhej se N.T. kishte marrë çokollata në vlerë mbi 20 euro pa paguar, nën kërcënimin e një arme të ftohtë, shkruan Insajderi.
Në vendim thuhet se i dyshuari para gjykatës ka pranuar se përdor substanca narkotike dhe se nuk do të përsërisë veprën penale. Ai ka deklaruar se në momentin e incidentit kishte telefonin në dorë dhe se ishte ndjekur nga dy persona që përpiqeshin t’ia merrnin çokollatat, ndaj u kishte kërkuar të mos i afroheshin.
N.T. ka pohuar se çokollatat i kishte marrë pa paguar me qëllimin që ato t’ia jepte si formë kompensimi shitësit të marihuanës.
Gjykata në fund ka sqaruar se ndaj këtij vendimi lejohet ankesë brenda afatit prej 48 orësh nga momenti i pranimit.