​Krimet kundër njerëzimit nuk falen, përkujtohet masakra në Studime të Vushtrrisë

Në 26-vjetorin e masakrës serbe në Studime të Vushtrrisë u kërkua drejtësi për 116 shqiptarët e vrarë më 2 maj 1999. Në akademinë përkujtimore, të organizuar nga Komuna e Vushtrrisë, u kërkua edhe unitet politik. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se strategjia gjenocidale serbe përfshiu edhe fshatrat e Vushtrrisë ku mbeten të vrarë 116…

Lajme

02/05/2025 14:30

Në 26-vjetorin e masakrës serbe në Studime të Vushtrrisë u kërkua drejtësi për 116 shqiptarët e vrarë më 2 maj 1999.

Në akademinë përkujtimore, të organizuar nga Komuna e Vushtrrisë, u kërkua edhe unitet politik.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se strategjia gjenocidale serbe përfshiu edhe fshatrat e Vushtrrisë ku mbeten të vrarë 116 civilë. Ai theksoi se vetëm me dënim për ata që kryen këtë masakër familjarët do të gjejnë prehje, dhe paqja do të jetë e qëndrueshme.

“Strategjia gjenocidale serbe me “Patkoi”, me të cilën Kosova po spastrohej nga shqiptarët ishte një plan i errët që përfshinte edhe patkoi të vegjël. Një prej tyre ishte edhe këtu në Vushtrri, fshatrat u vunë në rrethim11 e banorët u larguan nga shtëpia… Në mbrëmjen e 2 majit, forcat kriminale serbe filluan terrorin sistematik ndaj popullatës civile shqiptare, e cila po lëvizte aty në kolon nga Studime e Poshtë në Studime të Epërme. Brenda dy orësh, 116 civilë burra, gra, pleq e fëmijë… Jemi dëshmi e gjallë e forcës së popullit tonë, u jemi mirënjohës juve që e mbani kështu gjallë kujtesën e luftës…Krimet kundër njerëzimit nuk parashkruhen, nuk falen. Vetëm me drejtësi për viktimat dhe dënim për kriminelët, familjarët do të gjejnë prehje dhe paqja do të jetë e qëndrueshme”, tha ai.

Kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi tha se masakra e 2 majit ka lënë gjurmë të mëdha e te pashlyeshme, ndërsa kriminelët serbë që kryen këtë masakër ende nuk janë dënuar.

“Masakra e 2 majit ka lënë gjurmë të mëdha të pashlyeshme që nga ajo ditë nuk u ndëshkuan kriminelët që e bënë këtë. Sot kujtojmë më dhimbje, ndajmë dhimbjet me familjet…por pa këtë ditë nuk do të ishte as kjo ditë me diell e as kjo liri që e gëzojmë sot, e që e kemi obligim të gjithë …që të ndërtojmë institucione që të gjejmë rrugë të bashkohemi që të gjejmë rrugë të krijojmë unitetin, sepse vetëm uniteti e ka shpëtuar këtë popull….padrejtësish mbahen dhe gjykohen krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, ata burrat që drejtuan luftën e UÇK-së, vetëm ky shembull është tregues i qartë se çfarë padrejtësie po i ndodh kësaj shoqërie”, tha ai.

Në këtë akademi përkujtimore i pranishëm ishte edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj i cili tha se i paharruar është kujtimi për të gjithë të rënët për liri.

“Edhe unë i bashkohem respektit për të rënët për liri për martirët e Studimes, të të gjitha moshave, solidarizohem me dhimbjen dhe krenarinë tuaj. I paharruar kujtimi për rënët për liri këtu në Studime dhe gjithë vendin”, tha Haradinaj.

Sokol Gjata, në emër të familjarëve, kërkoi që amaneti i martirëve dhe të rënëve për liri mos të harrohet në zyrat e shtetit.

“Kërkojmë që amaneti i tyre të mos harrohet në zyre e shtetit, ku shpesh herë apo ndonjëherë interesi personal po kalon mbi interesin e popullit. Ne si familjarë shpesh herë në zyrat e shtetit tonë nuk kemi hasur ndjeshmërinë dhe sinqeritetin e trajtimi nga pushtetarët kushdo qofshin ata. Sot ku po shënojmë 2 majin, pas 26 vjetësh kemi një përçarje të thellë në mes spektrit politik dhe ajo çfarë ne po kërkojmë si familjarë, kërkojmë që ashtu siç ishin të unifikuar këtu, të gjithë martirët, dëshmorët, të unifikohet spektri politik dhe ta shtyjmë përpara amanetin që e kanë nga martirët, nga familjarët nga dëshmoret e këtij vendi. Kosova nuk është pronë e askujt, por është amanet i dëshmorëve dhe martirëve të vendit”, tha ai.

26 vjet më parë, më 2 maj të vitit 1999, forcat serbe vranë dhe masakruan 116 civilë të pafajshëm shqiptarë. Këta të fundit u nxorën nga kolona e qindra njerëzve që kishin marrë rrugë për Shqipëri. Dëshmitarët kishin deklaruar se 116 civilët u pushkatuan brenda dy orëve.