Krasniqi: LVV-ja duket qartë se po abuzon me të drejtën për të propozuar kandidatin për Kryetar të Kuvendit
Njohësi i rrethanave politike, Albert Krasniqi, ka reaguar pas dështimit për të konstituar për herë të nëntë kuvendin. Krasniqi përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ka thënë se votimi i fshehtë është i paraparë për seancat plenare, të cilat janë seanca të rregullta pune gjatë gjithë mandatit të Kuvendit. Teksa tutje shtoi…

Lajme
Njohësi i rrethanave politike, Albert Krasniqi, ka reaguar pas dështimit për të konstituar për herë të nëntë kuvendin.
Krasniqi përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ka thënë se votimi i fshehtë është i paraparë për seancat plenare, të cilat janë seanca të rregullta pune gjatë gjithë mandatit të Kuvendit.
Teksa tutje shtoi se seanca konstituive, nga ana tjetër, është seanca e parë, themeluese e Kuvendit pas zgjedhjeve, me një rend dite të paracaktuar dhe me rregulla që nuk mund të ndryshohen gjatë zhvillimit të saj.
Sipas tij zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit në këtë mënyrë do të përbënte një veprim të papranueshëm dhe të ulët në aspektin politik.
“Duke llogaritur se përmes votimit të fshehtë mund të sigurohen vota që nuk u siguruan në votim të hapur, kjo krijon hapësirë për manipulime dhe blerje të mundshme votash, duke e shndërruar procesin në një akt të korruptuar. Zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit në këtë mënyrë do të përbënte një veprim të papranueshëm dhe të ulët në aspektin politik”, ka shkruar Krasniqi.
Krasniqi thotë se LVV-ja, në këtë rast, duket qartë se po abuzon me të drejtën për të propozuar kandidatin për Kryetar të Kuvendit. Këtë të drejtë që sipas tij duket tashmë që veçse e ka humbur, “ashtu siç ka humbur sot edhe besimin e dhënë nga PDK, e cila kishte besuar në një zgjidhje përmes dialogut”.
“VV duhet përfundimisht ose të propozojë një kandidat tjetër konsensual nga radhët e veta, ose partitë e tjera duhet të ndërmarrin hapa për të provokuar një vendim për të kërkuar pastaj interpretim nga Gjykata Kushtetuese, me qëllim që të gjendet një zgjidhje në përputhje me rendin kushtetues”, ka shkruar Krasniqi. /Lajmi.net/