Autoriteti i Konkurrencës: Nuk kemi mandat për të përcaktuar çmimet – Po mbledhim informata nëse rritja e fundit e tyre është e arsyeshme

Autoriteti i Konkurrencës së Kosovës përmes një komunikate për media është deklaruar në lidhje me raportimet e fundit për ngritje të çmimeve të produkteve. Përmes kësaj komunikate ata kanë thënë se fushëveprimi i Autoritetit përfshin parandalimin dhe ndalimin e marrëveshjeve të ndaluara ndërmjet ndërmarrjeve, keqpërdorimit të pozitës dominuese, si dhe kontrollin e përqendrimeve ekonomike, në…

Lajme

30/04/2025 13:29

Autoriteti i Konkurrencës së Kosovës përmes një komunikate për media është deklaruar në lidhje me raportimet e fundit për ngritje të çmimeve të produkteve.

Përmes kësaj komunikate ata kanë thënë se fushëveprimi i Autoritetit përfshin parandalimin dhe ndalimin e marrëveshjeve të ndaluara ndërmjet ndërmarrjeve, keqpërdorimit të pozitës dominuese, si dhe kontrollin e përqendrimeve ekonomike, në rastet kur ato cenojnë konkurrencën në treg por nuk ka mandat për të përcaktuar ose ulur çmimet, por ndërhyn kur çmimet përcaktohen në mënyrë të bashkërenduar ose artificiale nga ndërmarrje konkurrente, në kundërshtim me nenin 5 të Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës.

Ata kanë njoftuar gjithashtu se kanë Autoriteti ka intensifikuar aktivitetet e tij për monitorimin e tregut.

“Aktualisht, është duke u zhvilluar një analizë e thelluar e mbi 20 produkteve bazë për të analizuar arsyet e ngritjeve të çmimeve në tregun e Kosovës. Gjithashtu, ka filluar monitorimi i tregut të bukës, dhe Autoriteti është në proces të mbledhjes së informatave për të vlerësuar nëse rritjet e fundit të çmimeve në këtë sektor janë të arsyetuara apo në kundërshtim me ligjin për konkurrencën. Në të njëjtën kohë, sektori i gastronomisë, me theks të veçantë në rritjen e çmimit të kafesë, është po ashtu nën vëzhgim. Inspektorët e Autoritetit janë duke zhvilluar vizita në terren në qytete të ndryshme të Kosovës, duke mbledhur të dhëna dhe informata direkte nga operatorët e tregut”, thuhet në komunikatën e tyre.

Autoriteti i Konkurrencës ka njoftuar se pas përfundimit të fazës së analizës dhe grumbullimit të informatave, nëse identifikohen shkelje të Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës, Autoriteti do të ndërmarrë veprimet e nevojshme ligjore, në përputhje me kompetencat e tij.

“Gjithashtu, Autoriteti bazuar në nenin 49, mund të ndërmarrë masa të përkohshme, përmes të cilave fillon procedurën dhe merr vendim për vendosjen e këtyre masave ndaj ndërmarrjeve, kur ekziston rreziku i dëmtimit të pariparueshëm të konkurrencës në treg, veçanërisht kur veprimet e caktuara e çrregullojnë tregun. Me vendimin për masa të përkohshme, Autoriteti urdhëron ndërmarrjen të ndalojë një veprim të caktuar ose të zbatojë masa, kushte dhe afate për të eliminuar efektet e dëmshme në konkurrencën në treg. Masat e përkohshme zgjasin deri në gjashtë (6) muaj. Autoriteti mund të zgjasë kohëzgjatjen e tyre nëse kjo është e domosdoshme. Autoriteti mbetet i përkushtuar për të mbrojtur konkurrencën, konsumatorin dhe funksionimin e drejtë të tregut”, thuhet mes tjerash në njoftim. /Lajmi.net/