“Drama për sheshin e Prishtinës”, Murati: Komuna ka nënshkruar kontratë 18 milionë euro pa pasur buxhetin e ndarë

Ministri i Financave në detyrë, Hekuran Murati, ka reaguar sërish lidhur me projektin për rregullimin e sheshit “Xhorxh Bush” në Prishtinë, duke e quajtur një rast flagrant të shkeljes së legjislacionit financiar dhe atij të prokurimit publik. Sipas tij, procedura e tenderimit dhe nënshkrimi i kontratës në vlerë prej 18 milionë euro është bërë pa…

Lajme

30/04/2025 13:08

Ministri i Financave në detyrë, Hekuran Murati, ka reaguar sërish lidhur me projektin për rregullimin e sheshit “Xhorxh Bush” në Prishtinë, duke e quajtur një rast flagrant të shkeljes së legjislacionit financiar dhe atij të prokurimit publik.

Sipas tij, procedura e tenderimit dhe nënshkrimi i kontratës në vlerë prej 18 milionë euro është bërë pa pasur fondet e nevojshme të ndara nga buxheti.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Murati thotë se, sipas ligjit në fuqi, për çdo procedurë të prokurimit publik është e domosdoshme nënshkrimi i Deklaratës së Disponueshmërisë së Fondeve, dokument që dëshmon se një institucion ka mjetet e buxhetuara për të realizuar një projekt.

Në rastin e sheshit “George Bush”, një deklaratë e tillë është nënshkruar në vitin 2024 nga kryetari i Komunës së Prishtinës dhe Zyrtari Kryesor Financiar, duke konfirmuar se janë të ndara 18.4 milionë euro në kodin buxhetor 53984. Por, sipas Muratit, në atë kod, për vitin 2024 kanë qenë të alokuara vetëm 1.89 milionë euro, nga mjetet vetanake të bartura nga viti i kaluar – apo rreth 10% e shumës së deklaruar.

Tutje Murati thekson se nënshkrimi i kontratës është bërë pasi është zhvilluar procedura e prokurimit, duke përbërë shkelje të radhës. Edhe pse buxheti i vitit 2025 është miratuar në Asamblenë Komunale, ai ende nuk është miratuar në Kuvendin e Republikës për t’u bërë pjesë e Ligjit për Ndarjet Buxhetore – dhe për pasojë, projekti nuk figuron fare në ligjin aktual të buxhetit, që ka 0 euro të ndara për këtë shesh.

“Shpallja e tenderit dhe nënshkrimi i kontratës 18 milionë euro për Sheshin Xhorxh Bush nga Komuna e Prishtinës është bërë pa pasur buxhetin e nevojshëm të ndarë, gjë që është në kundërshtim me legjislacionin në fuqi. Për çdo procedurë prokurimi, kërkohet të nënshkruhet Deklarata e Disponueshmërisë së Fondeve, e cila siguron se organizata, në këtë rast Komuna e Prishtinës, ka fondet e mjaftueshme të buxhetuara. Në Deklaratën e Disponueshmërisë të nënshkruar në vitin 2024 nga Kryetari i Komunës së Prishtinës dhe nga Zyrtari Kryesor Financiar, thuhet se mjetet e nevojshme për këtë projekt janë 18.4 milionë euro, dhe se ato janë të buxhetuara në kodin 53984 – Rregullimi i Sheshit “George Bush””.

“Problemi qëndron në faktin se në kodin e projektit në fjalë, në vitin 2024 kanë qenë të buxhetuara vetëm 1.89 milionë euro, nga mjetet vetanake të bartura nga viti paraprak. Pra, Komuna e Prishtinës ka nisur procedurë prokurimi me vlerë 18.4 milionë euro, duke pasur të buxhetuara vetëm 1.89 milionë euro, apo 1/10 e buxhetit të nevojshëm. Ndërkaq pas zhvillimit të procedurës së prokurimit, kontrata është nënshkruar sivjet, që përbën shkeljen e radhës, sepse buxheti i Komunës së Prishtinës megjithëse i miratuar në asamble, për shkak të miratimit me vonesë, ende nuk është miratuar në Kuvendin e Republikës për t’u integruar si plotësim/ndryshim i Ligjit për Ndarje Buxhetore për vitin 2025. Me fjalë tjera, ligji i buxhetit aktualisht në fuqi për vitin 2025, nuk e përmban fare projektin e Sheshit Xhorxh Bush, pra ka 0 euro ndarje buxhetore, por që Komuna e Prishtinës e ka nënshkruar kontratën pavarësisht mungesës së ndarjes buxhetore.”, ka shkruar Murati. /Lajmi.net/