Anëtari i KPK-së lëshon mbledhjen, kjo është arsyeja
Anëtari i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Veton Shabani, ka lëshuar mbledhjen e Këshillit kur filloi diskutimi për plotësim/ndryshimin e Rregullores për transferimin dhe avancimin e prokurorëve të Shtetit. Kjo, pasi sipas tij, nuk mund të miratohet një Rregullore pa u harmonizuar më Ligjin për KPK-në. Andaj, me arsyetimin për të mos rënë në konflikt…

Lajme
Anëtari i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Veton Shabani, ka lëshuar mbledhjen e Këshillit kur filloi diskutimi për plotësim/ndryshimin e Rregullores për transferimin dhe avancimin e prokurorëve të Shtetit. Kjo, pasi sipas tij, nuk mund të miratohet një Rregullore pa u harmonizuar më Ligjin për KPK-në.
Andaj, me arsyetimin për të mos rënë në konflikt interesi, ai lëshoi mbledhjen.
Kurse, anëtari nga radhët e shoqërisë civile, Visar Krasniqi fillimisht uroi sistemin prokurorial që Kushtetuesja dha dritën e gjelbër për ndryshimin e Ligjit, duke thënë se përmes këtyre ndryshimeve do të rritet llogaridhënia, transparenca dhe pavarësia e sistemit prokurorial.
“Sa i përket kësaj Rregulloreje, vërtetë është e çuditeshim mënyra se si i harton dhe i procedon për miratim në Këshill, Komisioni Normativ. Rregullorja ka probleme edhe në aspektin procedural dhe përmbajtjesor”, u shpreh Krasniqi.
Ai tha se për këtë Rregullore ka paraqitur komente me shkrim, po ashtu tha se edhe GLPS, KDI dhe Zyra BE-së, kanë paraqitur komente dhe se Komisioni Normativ është aq efikas dhe përfundon shqyrtimin e komenteve për një takim.
“Me ndryshimet e reja, të Ligjit për KPK përcaktohet ky kufizim “7. Deri në dy vite pas përfundimit të mandatit, anëtarët e Këshillit nuk mund të përfitojnë nga mundësitë e avancimit në sistemin prokurorial, të cilat janë krijuar si rezultat i vendimeve në të cilat ata kanë marrë pjesë si anëtarë të Këshillit”, citoi Krasniqi.
Andaj, sipas tij, sugjeron që të gjithë anëtarët e Këshillit që mendojnë që avancohen në sistemin prokurorial pas përfundimit të mandatit të anëtarit të Këshillit, të mos marrin pjesë në votim të kësaj rregulloreje sepse me votën e tyre do ta ndryshojnë përbërjen e Komisionin e avancimit përmes të cilit do të kalojnë vetë.
“Kjo është situatë e pastër e konfliktit të interesit dhe me vetëdije dhe qëllim të plotë të njëjtit po e bëjnë”, tha Krasniqi.
Anëtari Armend Zenelaj tha se janë marrë për bazë të gjitha komentet dhe analizat nga partnerët ndërkombëtarë.
Kështu, me 6 vota për, 1 kundër dhe 3 abstenime, Rregullorja u miratua.
KPK-ja miraton Planin Strategjik 2025-2027
Prishtinë- Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) në mbledhjen e 266-të të mërkurën, ka miratuar Planin Strategjik të sistemit prokurorial për periudhën 2025-2027.
Këtë plan e prezantoi zëvendëskryesuesja e KPK-së, Jehona Grantolli, e cila tha se hartimi i këtij plani është rezultat i bashkëpunimit të të gjithë aktereve, në veçanti me Ambasadën Amerikane dhe Zyrën e Bashkimit Evropian, që e kanë përkrahur.
Grantolli tha se me këtë plan synohet të njoftohet publiku mbi qëllimet strategjike që sistemi synon t’i arrijë në tre vjetët e ardhshëm.
Ajo theksoi se Plani Strategjik mbështetet në tri korniza kryesore: Forcimi i Sundimit të Ligjit, Efikasiteti, Transparenca dhe Qasja në Drejtësi. Për këtë të fundit, tha se synohet të bëhet publikimi proaktiv i vendimeve, përgjigjja në qasje në dokumente publike dhe ngritja e bashkëpunimit me organizatat që monitorojnë sistemin prokurorial.
Te Plani i veprimit, ndër të tjera, Grantolli u shpreh se si strategji e re është përfshirë edhe Strategjia për Krimet e Luftës.
Me 11 vota për, u miratua Plani Strategjik dhe Plani i Veprimit, i cili do të publikohet në ueb dhe u krijua grupi punues për monitorimin e këtij plani. Veç kësaj, me 11 vota për u miratua Plotësimi/ndryshimi i Strategjisë për Krime Lufte. /BetimipërDrejtësi