I shpërtheu vetura tek QKUK-ja, flet Hajdari: Nuk kam kurrfarë obligimi ndaj askujt
Një veturë u raportua të ketë shpërthyer sot në oborrin e QKUK-së në Prishtinë. Kjo veturë është e ushtruesit të detyrës së drejtorit të Qendrës Klinike universitare të Kosovës, Osman Hajdari. Pas shpërthimit, Policia e Kosovës njoftoi se për fat të mirë nga ky shpërthim nuk ka ndonjë person të lënduar- derisa organet kompetente po…

Lajme
Një veturë u raportua të ketë shpërthyer sot në oborrin e QKUK-së në Prishtinë.
Kjo veturë është e ushtruesit të detyrës së drejtorit të Qendrës Klinike universitare të Kosovës, Osman Hajdari.
Pas shpërthimit, Policia e Kosovës njoftoi se për fat të mirë nga ky shpërthim nuk ka ndonjë person të lënduar- derisa organet kompetente po merren me hetimin e rastit.
“Rreth orës 10:00, është pranuar informata lidhur me dyshimet për një shpërthim në një veturë në parkingun e QKUK-së. Aktualisht nuk raportohet për të lënduar përveç dëmeve materiale”, ka thënë zëdhënësja Ahmeti.
E në lidhje me këtë rast është deklaruar edhe vetë Hajdari, transmeton lajmi.net.
Ai deklaroi se nuk ka asnjë obligim ndaj askujt.
“Nuk kam kurrfarë obligimi ndaj askujt kam ardhë në punë si çdo ditë. Për çdo gjë referojuni komunikatës, sepse çdo gjë që them mos po i prishi hetimet”, tha ai Hajdari.
Nga SHSKUK-ja kanë deklaruar se në parkingun e administratës ka ndodhur një incident që përfshin dëmtimin e veturës private të Hajdarit.
“Sot, në parkingun e administratës së Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ka ndodhur një incident që përfshin dëmtimin e veturës private të ushtruesit të detyrës së drejtorit të QKUK-së, e parkuar në parkingun e administratës.Dëmtimi ka ndodhur në rrethana ende të panjohura, në kohën kur po bëheshin përgatitjet për fillimin e mbledhjes së rregullt të Bordit Drejtues të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK), e cila ishte paraparë të mbahej në hapësirat e administratës qendrore të ShSKUK-së”,thuhet në njoftim./Lajmi.net/