Gjendje e rënduar e punëtorëve në sektorin privat- nesër mbahen dy protesta

Dy protesta janë paralajmëruar për ditën e nesërme – Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve. Sindikata e Punëtorëve të Sektorit Privat do të mbajë protestë nga ora 10:00, ku do të kërkohen kushte më të mira për punëtorët. Edhe Sindikata e re e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) ka organizuar protestë për në orën 12:00 me kërkesën…

Lajme

30/04/2025 10:56

Dy protesta janë paralajmëruar për ditën e nesërme – Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve. Sindikata e Punëtorëve të Sektorit Privat do të mbajë protestë nga ora 10:00, ku do të kërkohen kushte më të mira për punëtorët.

Edhe Sindikata e re e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) ka organizuar protestë për në orën 12:00 me kërkesën për rritje page. Ndërkaq, këtë 1 maj nuk do të protestojë Sindikata e Bashkuar e Arsimit.

Gjendja e punëtorëve në sektorin privat çdo vit po përkeqësohet, thotë Jusuf Azemi i cili është kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat.

“Kemi një marrëveshje kolektive tash e më shumë se shtatë vite, e cila është alfa dhe omega për punëtorët e sektorit privat të Kosovës. Kërkojmë që paga minimale të jetë 600 euro e jo sikur ajo 350 euro që e ka proklamuar Qeveria e Kosovës. Kushte më të mira për punëtorët e sektorit privat, për shkak se nëse nuk ndërmarrim diçka realisht në shumë kompani kanë filluar të mbyllen dhe shumë kompani janë duke e ndjerë rrezikun nga mos pasja e punëtorëve adekuat të kualifikuar”, shprehet ai.

Ndër tjera, ai konsideron se gjendja e punëtorëve në sektorin privat “është e trishtë dhe mezi po arrijnë të mbijetojnë”.

“Për të festuar ka vetëm qeveritarët dhe parlamentarët, për shkak se po e shihni që një pagë tonën ata po e marrin për 10 minuta, në Drenas i merr 200, kurse një deputet i parlamentit të Kosovës shkon 2 minuta i merr 200 euro. Përndryshe ne nuk kemi asnjë arsye [për të festuar], sepse pozita e punëtorëve, fakti që në vitin 2024 na kanë ikur mbi 260 mijë punëtorë, të bën me dije se kjo gjendje është shumë e trishtë. Me pagat që i kemi ne nuk po kemi mundësi të mbijetojmë, shumë të rinj nuk kanë mundësi të krijojnë familje dhe të kenë një shtëpi të vetën dhe synimi është që të ikin nga ky vend”, thekson ai.

Sindikata e Punëtorëve të Sektorit Privat i ka ftuar të gjithë udhëheqësit sindikal të Prishtinës që t’i bashkohen protestës që do të fillojë nesër nga ora 10:00 nga sheshi “Zahir Pajaziti” në drejtim të objektit të Qeverisë së Kosovës.

Protestë tjetër ka paralajmëruar Sindikata e re e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), ku kryetari Nexhat Llumnica thotë se kjo është kërkesë e të gjithë punëtorëve.

“Arsyeja e protestës është ngritja e çmimit të energjisë elektrike dhe gjitha produkteve varëse që janë një zingjir, pra është një inflacion në tërësi që ne e konsiderojmë dhe për këtë arsye ne duhet të kërkojmë ngritje të pagave për arsye se niveli i shportës së konsumatorit ngritet dhe veç ka filluar me u ngrit dhe faktikisht ne e kemi të drejtën për arsye se ne prodhojmë energjinë elektrike, ndërsa dikush tjetër fiton prej kësaj energjie. E që besa KEK e ka çmimin e njëjtë që gjashtë vite, ndërsa për KEDS-KESCO është ngritur çmimi dhe ne po punojmë për milionat e tyre dhe ne po pretendojmë të punojmë për veten për një pagë të dinjitetshme e jo për një pagë për mbijetesë”, deklaron ai.

Ai u ka bërë thirrje të gjithë punëtorëve të Kosovës që të marrin pjesë në këtë protestë, e cila do të mbahet nesër nga ora 12:00 në sheshin “Skënderbeu”.

“Ne kërkojmë minimalisht atë që është ngritur çmimi i energjisë elektrike, pra 16.1 për qind kurse ende nuk e kemi bërë të precizuar se sa është inflacioni në nivel të vendit, mirëpo besojmë që duhet të jetë edhe më shumë për shkak se ne kemi parë shumë çmime që janë ngritur në Kosovë pas paralajmërimit të ngritjes së çmimit të energjisë elektrike. Do të ketë edhe ngritje të çmimit të bukës që është paralajmëruar nga furrtarët dhe në zingjir do të ketë edhe rritje më të madhe se vet rritja e çmimit të energjisë elektrike. Dhe minimale është ajo që kërkojmë, pra çmimit të energjisë elektrike, të rritet edhe paga për gjithë punëtorët në Kosovë”, përfundon ai.

Por, këtë 1 maj nuk do të protestojë Sindikata e Bashkuar e Arsimit (SBAShK), meqë siç thotë nënkryetarja Vjollca Shala, “nuk kanë kujt t’i bëjnë protestë”.

Kosova ka mbajtur zgjedhjet e përgjithshme më 9 shkurt por ende nuk është arritur të bëhet konstituimi i Kuvendit, që më pas do t’i hapte rrugë formimit të qeverisë.

“Ne si SBAShK kemi shumë arsye që edhe këtë vit me 1 maj të dalim në protestë, për arsye se nuk është bërë themelimi i institucioneve të Kosovës, ne këtë vit nuk do të dalim të protestojmë, ngase edhe nuk kemi kujt t’i bëjmë protestë. Nuk është bërë as themelimi i Kuvendit të Kosovës, e as i qeverive përkatëse dhe në të njëjtën kohë as Ministrisë së Arsimit. Prandaj edhe për këtë arsye ne urojmë që sa më parë të bëhet themelimi i institucioneve të Kosovës dhe t’i paraqesim shumë kërkesa dhe ankesa që i kemi ndaj qeverisë dhe përkatësisht Ministrisë së Arsimit”, deklaron ajo.

Ajo shpreh shqetësimin se për shkak të pagave jo të mjaftueshme, shkollat në vend së shpejti “do të mbesin pa mësimdhënës”.

“Për më tepër se tri vite që Këshilli Ekonomik Social nuk është funksional dhe nuk ka Këshill Ekonomik Social që jemi i vetmi vend në Evropë që nuk kemi. Aty ku merren të gjitha vendimet për punëtorët, një rol të tillë të Këshillit Ekonomik Social po e luan vet ish-ministri i Financave, Hekuran Murati, i cili po përcakton pagë minimale përkundër asaj që ekziston komisioni i cili e përcakton dhe e propozon pagën minimale, marrë parasysh ngritjen enorme të çmimeve të produkteve elementare për jetesë. Në një afat nëse vazhdon një trend i tillë atëherë edhe shkollat e Kosovës shumë shpejt do të mbesin pa mësimdhënës”, shprehet Shala.

Gjate këtij viti, si pasojë e aktivitetit në punë kanë humbur jetën katër punëtorë, ka bërë të ditur për KosovaPress, zëvendëskryeinspektori i Punës, Agim Millaku.

Sipas tij, këtë vit janë realizuar 2706 inspektime.