Reagon MKRS: Kryetari i Prishtinës po dezinformon – Pajisuni me leje dhe punoni, pa leje mos filloni

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e ka akuzuar për dezinformim kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama. Përmes një postimi në Facebook, MKRS-ja thotë se Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prishtinë raportoi dje se punimet nga Komuna janë realizuar jashtë kufirit të zonës mbrojtëse të Qendrës Historike të Prishtinës. “Këtë konfirmim se nuk po punohet…

Lajme

29/04/2025 21:42

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e ka akuzuar për dezinformim kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama.

Përmes një postimi në Facebook, MKRS-ja thotë se Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prishtinë raportoi dje se punimet nga Komuna janë realizuar jashtë kufirit të zonës mbrojtëse të Qendrës Historike të Prishtinës.

“Këtë konfirmim se nuk po punohet brenda kufirit me regjim ligjor të mbrojtjes, institucionet publike dhe opinioni, e kanë marrë para kamerave nga nënkryetari i Komunës së bashku me zotimin se edhe në të ardhmen nuk të punohet brenda kufijve ku Komunës ende nuk i është dhënë leje si rezultat i refuzimit të tyre për të zbatuar rekomandimet dhe jo i ndonjë shkaku tjetër” shkruan MKRS-ja.

Ministria rekomandon Komunën që të pajiset me leje, e më pas të vijojë me ndërtime.

Ky është postimi i plotë i MKRS-së:

Kryetari i Prishtinës, po dezinformon.

Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prishtinë dje, me datë 28.04.2025, ka raportuar se punimet nga Komuna janë realizuar jashtë kufirit të zonës mbrojtëse të Qendrës Historike të Prishtinës, prandaj dje edhe nuk ka pasur masë të ndalimit të punimeve nga Inspektorët e trashëgimisë kulturore. Këtë konfirmim se nuk po punohet brenda kufirit me regjim ligjor të mbrojtjes, institucionet publike dhe opinioni, e kanë marrë para kamerave nga nënkryetari i Komunës së bashku me zotimin se edhe në të ardhmen nuk të punohet brenda kufijve ku Komunës ende nuk i është dhënë leje si rezultat i refuzimit të tyre për të zbatuar rekomandimet dhe jo i ndonjë shkaku tjetër.

Sot, QRTK së bashku me ITK -në, për të satën herë, kanë konstatuar se zotimi i djeshëm i Komunës për mosndërhyrje pa leje, ka zgjatur më pak se 24 orë sepse Komuna, megjithatë ka tejkaluar kufijtë e autorizimit ligjor për të vepruar në zonë ku kërkohet leja që ata nuk e kanë ende, prandaj sot, e jo dje, ka pasur ndalim të punimeve.

Kryetari i Komunës duhet të kuptoj se nuk bëhet fjalë thjeshtë dhe vetëm për dy anë të asfaltit por për dy anë ku në njërën, të kap ligji dhe aty, ne si ligjzbatues, po veprojmë. Pra ligji është në pyetje dhe jo asfalti.

Ftojmë edhe njëherë organet e drejtësisë të veprojnë urgjentisht për të sjellë para përgjegjësisë këdo që ndodhet në shkelje të ligjit, pavarësisht cilit institucion i takon. Të ndalojë ky spektakël i dëmshëm për vlerat e ligjshmërisë të cilin qytetarët dhe sidomos kryeqytetasit, nuk e meritojnë!

Institucionet e trashëgimisë kulturore, do të kryejnë detyrën e tyre zyrtare. Një nga ato, është ndalimi i punimeve pa leje të miratuar nga institucioni kompetent sipas ligjit, pavarësisht a është në anën tjetër, biznesi, OJQ, personi fizik, bashkësia fetare apo edhe institucioni publik sepse para ligjit, të gjithë kanë të drejta dhe detyra të barabarta.

Pajisuni me leje dhe punoni. Pa leje, mos filloni.