As për të pestën herë nuk i mblodhi 61 vota për t’u bërë kryekuvendare – A është Albulena Haxhiu “mollë sherri” për konstituimin e Kuvendit?

Qytetarët e Kosovës, me 9 shkurt të 2025-tës iu drejtuan kutive të votimit për të zgjedhur atë që duan t’i përfaqësoj në katër vitet e ardhshme, por edhe pothuajse tre muaj pas kësaj date, institucionet e Kosovës ende nuk janë formuar, e ndër to edhe Kuvendi i Kosovës. Anipse zgjati shumë edhe certifikimi i rezultateve,…

Lajme

27/04/2025 19:02

Qytetarët e Kosovës, me 9 shkurt të 2025-tës iu drejtuan kutive të votimit për të zgjedhur atë që duan t’i përfaqësoj në katër vitet e ardhshme, por edhe pothuajse tre muaj pas kësaj date, institucionet e Kosovës ende nuk janë formuar, e ndër to edhe Kuvendi i Kosovës.

Anipse zgjati shumë edhe certifikimi i rezultateve, dikur ndodhi. Me 27 mars të këtij viti, një muaj e gjysmë pas ditës së zgjedhjeve, KQZ certifikoi rezultatet duke ia hapur rrugën konstituimit të Kuvendit, e për të cilën, presidentja e vendit, Vjosa Osmani e caktoi 15 prillin.

Që nga 15 prilli, deri sot, janë mbajtur plotë 7 seanca me qëllimin e njëjtë, atë të konstituimit të Kuvendit, por kjo ende nuk ka ndodhur.

Dy seancat e para të Kuvendit të Kosovës të mbajtura me 15 dhe 17 prill, kanë dështuar pasi opozita nuk ka votuar Komisionin për verifikimin e kuorumit dhe mandateve, kjo pasi ata kërkonin nga kreu i Qeverisë, Albin Kurti dhe ministrat e tij të cilit kanë marrë detyrën e deputetit që të jepnin dorëheqje nga pozitat në Qeveri.

Ndonëse këta ministra ende po ushtrojnë detyrat e tyre në Ministri, opozita e votoi pro këtë Komision në seancën e tretë të mbajtur çdo 48 orë që nga 15 prilli, me 19 prill.

Në seancën e radhës pritej të konstituohet Kuvendi, por kjo nuk u bë, shkruan lajmi.net.

Një numër i madh emrash u përmendën që mund të ishin propozimet e partisë së parë në vend nga rezultatet e zgjedhjeve të 9 shkurtit, Lëvizjes Vetëvendosje, propozimi i tyre ishte i papritur për opozitën.

LVV propozoi Albulena Haxhiun, e cila tash e pesë herë po propozohet në Kuvendin e Kosovës, por po mbledh vetëm 57 vota, biles në njërën nga këto seanca ajo as nuk u vu fare në votim, pasi deputeti i LVV-së, Glauk Konjufca tha se nuk kanë arritur t’i mbledhin 61 vota dhe se duhet të konsultohen me opozitën.

Ndonëse pas saj, kryesuesi i seancës, Avni Dehari ftoi krerët e partive në konsultime, asgjë nuk ndodhi.

Më 23 prill, në seancën që filloi gjysmë ore pas takimit konsultativ, opozita nuk ndryshoi mendim, ata përsëri votuan kundër Albulena Haxhiut si kryekuvendare.

As të premtën e as të dielën, Albulena Haxhiu nuk mblodhi dot 61 vota, prandaj seanca e radhës është caktuar të mbahet të martën në ora 10:00.

Pse opozita nuk po e voton Albulena Haxhiun? 

Opozita e Kuvendit të Kosovës nga legjislatura e kaluar (PDK, LDK, AAK), po e akuzon Lëvizjen Vetëvendosje se e ka bllokuar konstituimin e Kuvendit.

Që nga seanca e parë, kur Haxhiu është propozuar nga LVV, opozita ka kërkuar nga ta që ta ndryshojnë emrin e propozuar pasi sipas tyre, Haxhiu është “figurë përqarëse” dhe nuk do ta votojnë asnjëherë.

Bilës, kreu i AAK-së Ramush Haradinaj ka dhënë edhe dy emra të cilat do t’i votonte partia e tij, e që janë Saranda Bogujevci dhe Shqipe Selimi.

“Personalisht nëse do të ishin kandidatë për kryetar Saranda Bogujevci ose Shqipe Selimi, unë i votoj, edhe Aleanca i voton”, ka thënë Haradinaj.

Se Lëvizja Vetëvendosje po e bllokon procesin e konstituimit, kanë deklaruar disa herë edhe kreu i PDK-së, Memli Krasniqi dhe ai i LDK-së, Lumir Abdixhiku, biles Krasniqi ka propozuar edhe dy data për mbajtjen e zgjedhjeve pasi sipas tij mund të jetë zgjidhja e vetme.

“Nëse dojnë kta me 15 qershor shkojmë në zgjedhje, ose me 22 qershor. Po nuk i kanë numrat këta e nuk janë që shkojnë në zgjedhje. Unë e PDK-ja jemi të gatshëm, vetëm të shkojmë në Kuvend njëherë e pastaj shkojmë në zgjedhje”, ka thënë Krasniqi i cili vazhdon ta ketë këtë propozim edhe sot.

Krasniqi sot pas përfundimit të seancës tha se situata në Kuvendin e Kosovës është krijuar pas insistimit të Lëvizjes Vetëvendosje për të mos e ndërruar kandidatin.

“Sot janë bërë një muaj nga verfikimi i rezultateve dhe ne ende s’kemi kuvend dhe qeveri legjitime. Kjo po ndodhë shkak i tekeve të VV për të mbajtur shtetin peng si shkak i një njeriu. E pakuptueshme që herën e shtatë të mos i jepej vendit institucionet, por insistimi arbitrat i VV për Albulena Haxhiun për këtë. Nëse këta se kanë shumicën parlamentare s’mund ta bëjnë me zor. Ndërrojeni kandidaten, bëni kandidat që merr shumicën e parlamentit sepse është e papranueshme. Jo të vimë çdo dy ditë dhe të dëgjojmë të njëjtën fjali. Nuk kalon Haxhiu kanë opsione tjera dhe rruga e vetme e zgjidhjes është të vinë me propozime të tjera. Nuk më takon mua tua propozoj kandidatët, por s’mundesh 7 herë me një njeri”, tha Krasniqi.

Abdixhiku sot pas përfundimit të kësaj seance është shprehur i habitur se pse LVV nuk po bënë zgjidhje, shkruan lajmi.net.

“I pari të bëjë zgjidhje si i pari, t’i bëjë votat, e ka edhe një shumicë minimale me partitë tjera, nuk e di pse nuk po e votojnë”, tha ai.

Pse LVV nuk po bënë zgjidhje? 

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti tash e sa ditë prej kur ka filluar maratona e seancave për konstituimin e Kuvendit, ka zgjedhur të hesht. Ai asnjëherë nuk është deklaruar në lidhje me numrat që kanë siguruar apo presin t’i sigurojnë.

Nga Vetëvendosje pothuajse kanë folur të gjithë por jo edhe Kurti, shkruan lajmi.net.

Sot, pas seancës deputeti i VV-së, Hekuran Murati para mediave ka thënë se partia e tyre ka kryer obligimet e saj kushtetuese duke propozuar kandidaten dhe duke votuar për gjë për të cilën thotë se duhet mbajtur përgjegjësi.

“Pra su votua propozimi ynë. Ne kemi kryer obligimet tona kushtetuese duke propozuar kandidaten dhe duke votuar për, pra e shihni që duhet mbajtur përgjegjësi”, ka thënë Murati.

Tutje ai u shpreh se me votë për nuk ka bllokim po me kundër po.

“Pra po mungon që votat e deputetëve të subjekteve shqiptare të zhbllokojnë procesin por sot pati një numër më të vogël të votave kundër”, tha ai. 

Në lidhje me zgjedhjet, Murati ka thënë se nuk janë pro këtij skenari.

“Ne nuk jemi për skenarin e fundit që do të ishin zgjedhjet”, tha Murati.

Nga Lëvizja Vetëvendosje, në vazhdimësi kanë thënë se kandidatja e tyre për kryekuvendare do të jetë Albulena Haxhiu, pasi sipas tyre është gruaja më e votuar në zgjedhjet e 9 shkurtit dhe se askush nuk mund të ia imponoj atyre kandidatin.

Vetë Haxhiu, në një deklarim për media pas seancës së 23 prillit ka thënë se po merr sulme pasiu propozua për kryetare të Kuvendit.

“Që nga 15 prilli Kuvendi mbetet i bllokuar, herë me verifikimin e mandatave dhe tani me kundërshtimin e emrit tim. Duhet ta keni parasysh që Kushtetuta i jep të drejtën partisë fituese që të bëjë propozimin e kandidatit për kryetar të Kuvendit, këtë të drejtë s’ia jep opozitës… Ajo çka pikërisht po lidhem me këtë, që unë jam përballë gjatë kësaj kohe është figurë përçarëse, konfliktuoze, monstrum politik, terroriste politike, specie e përçudnuar. Kjo gjë është e papranueshme, jo që po bëhet ndaj meje, por ndaj kujt do qoftë” – tha ajo. Kjo gjuhë misogjene, seksiste, dekurajon gratë tjera që të merren me politikë. Sepse ku shohin përbaltjet e grave, mendojnë para se të merren me politikë”, ka thënë Haxhiu.

Se Haxhiu është e “duhura” për kryekuvendare në vazhdimësi kanë deklaruar deputetë të zgjedhur të VV-së, duke shprehur haptas mbështetjen e tyre për të, ndonëse nuk po e merr mbështetjen që po i duhet, atë nga opozita.

Cilat janë mundësitë për zhbllokimin e Kuvendit?

Ngërqi institucional i cili është krijuar, po krijon problematika të shumta dhe është mjaft serioz.

Eugen Cakolli, nga Demokracia në Veprim e ka quajtuar “tallje me qytetarët” dështimin për herë të shtatë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, shkruan lajmi.net.

“Kuvendi vazhdon të tallet, jo vetëm me veten, por edhe me qytetarët. Edhe sot, një të dielë, një tjetër seancë për pesë minuta “punë” – pa asnjë ndryshim real. Me shumicën e deputetëve që vonohen pa asnjë ndjesi urgjence, sepse nuk kanë as ngutje, as vullnet për ta zgjidhur ngërçin. Në këtë cikël absurd, të gjithë e dinë se publiku është lodhur nga papërgjegjësia politike. Prandaj, kur të ketë vërtet vullnet për marrëveshje, ajo nuk do të ndodhë rastësisht në sallë e as papritur në ditën e seancës. Nëse vjen marrëveshja, ajo do të paraprihet nga sinjale të qarta – deklarata të reja, ton tjetër, narrativë e ndryshuar – veçanërisht nga Lëvizja Vetëvendosje. Qoftë për formimin e institucioneve, qoftë për shkuarjen në zgjedhje. Deri atëherë, shfaqja teatrale vazhdon. Me aktorët e njëjtë, rolet e njëjta dhe një fund të njohur. Fatkeqësisht, edhe me spektatorë që ende presin fund tjetër – nga e njëjta kastë dhe i njëjti skenar”, ka shkruar sot Cakolli.

E cilat mund të jenë opsionet për zhbllokimin e Kuvendit, analisti politik, Shenoll Muharremi ka dhënë dy të tilla.

“Dy skenarë janë opcionale që e zhbllokojnë Kuvendin dhe e formojnë Qeverinë e Re (përfshi zgjidhin nyjen e Presidentit): (A) Zgjidhje stabile kompromisi tash, sipas vullnetit të rezultateve të 9 shkurit, koalicion LVV-PDK; ose (B) Zgjedhje të reja dhe LVV shkon në opozitë”, shkroi Muharremi.

Në lidhje me formimin e institucioneve, ka shkruar edhe eksperti i sigurisë dhe analisti politik, Burim Ramadani.

Ai ka deklaruar se javën e ardhshme pritet të zhbllokohet konstituimi i Kuvendit të Kosovës, përmes një solucioni të ndërmjetëm.

Ai shtoi se, pas kësaj, do të fillojë faza e dytë e ballafaqimit politik, që ka të bëjë me formimin e Qeverisë së re.

Ramadani theksoi se nuk ka mundësi për formimin e një Qeverie Kurti 3, duke lënë të kuptohet se ndryshimet politike janë të domosdoshme për krijimin e institucioneve të reja.

Në seancën e mbajtur sot, deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës duhej t’i emëronin kryetarin dhe pesë nënkryetarët, në mënyrë që ta konstituonin Kuvendin e Kosovës përfundimisht.

Vetëm pas konstituimit të Kuvendit mund të hapet rruga për formimin e Qeverisë së re.

Vetëvendosje i fitoi zgjedhjet e 9 shkurtit, me rreth 42 për qind të votave, apo 48 ulëse por të cilat nuk janë të mjaftueshme as për konstituimin e Kuvendit as për formimin e Qeverisë, pasi që për të dyja këto, atyre iu duhen 61 vota.

Pas LVV-së më së shumti vota fitoi PDK, me 24 ulëse, e pastaj LDK-ja me 20 sosh.

AAK dhe Nisma i fituan tetë ulëse, prej të cilave tri i takojnë kësaj të fundit. /Lajmi.net/