Tentim vrasja në Emshir: Identifikohen viktima dhe njëri nga të dyshuarit që u përfshinë në plagosjen e të riut
Të shtëna nga arma e zjarrit janë dëgjuar mbrëmë rreth orës 21:00 në rrugën “Rexhep Krasniqi” në Prishtinë, ku për pasojë një person ka mbetur i plagosur. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në lagjen “Kalabria” e njohur si “Emshir”, ku plagosja për pak sa nuk përfundoi në vrasje, ndërsa Sinjali ka zbuluar edhe motivet e…

Lajme
Të shtëna nga arma e zjarrit janë dëgjuar mbrëmë rreth orës 21:00 në rrugën “Rexhep Krasniqi” në Prishtinë, ku për pasojë një person ka mbetur i plagosur. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në lagjen “Kalabria” e njohur si “Emshir”, ku plagosja për pak sa nuk përfundoi në vrasje, ndërsa Sinjali ka zbuluar edhe motivet e ngjarjes.
Viktima u qëllua në këmbë dhe u dërgua me urgjencë në QKUK, ndërsa autorët janë në arrati.
Siç mëson Sinjali, motivi i përplasjes dyshohet të jetë një konflikt për një qen, që ka eskaluar në përdorim të armës.
Viktima është identifikuar si Naman Krasniqi (rreth 25-vjeçar), i cili sipas raportimeve zyrtare, është qëlluar në këmbën e djathtë, mbi gju, me një pistoletë, e cila dyshohet të jetë përdorur nga njëri prej sulmuesve.
Sipas deklarimeve të dy dëshmitarëve të pranishëm në vendngjarje, autorët e sulmit ishin dy persona të armatosur.
Sinjali mëson se njëri prej tyre është identifikuar si Valton Sadiku, ndërsa identiteti i tjetrit nuk dihet akoma.
Ata i kanë drejtuar armët viktimës dhe kanë hapur zjarr në drejtim të tij, duke e lënë të plagosur, e më pas janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes me një veturë Audi, ngjyrë hiri.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë e hetimeve rajonale dhe krimteknika, të cilat kanë bërë ekzaminimin e plotë të skenës.
Lidhur me rastin, pas konsultimeve me Prokurorinë, është iniciuar rasti “Vrasje në tentativë”.
Hetimet po vazhdojnë me intensitet për identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarve, ndërsa Sinjali do të sjellë zhvillimet më të fundit nga ky rast me rrezikshmëri të lartë.