Vrasja e rreshterit Muhamed Lika: IPK rekomandon suspendimin e dy policëve në Kaçanik
Inspektorati i Policisë së Kosovës ka kërkuar suspendimin e dy zyrtarëve policor në lidhje me vrasjen e rreshterit Muhamet Lika. ”Nga informacioni i dokumentuar dhe i siguruar nga IPK-ja ekziston dyshimi se një toger policor në pozitën e shefit të sektorit të operativës, ka pasur dijeni për urdhëresën për arrest, por dyshohet se nuk ka…

Lajme
Inspektorati i Policisë së Kosovës ka kërkuar suspendimin e dy zyrtarëve policor në lidhje me vrasjen e rreshterit Muhamet Lika.
”Nga informacioni i dokumentuar dhe i siguruar nga IPK-ja ekziston dyshimi se një toger policor në pozitën e shefit të sektorit të operativës, ka pasur dijeni për urdhëresën për arrest, por dyshohet se nuk ka ndërmarrë veprime konkrete operative për lokalizimin dhe kapjen e personit të kërkuar”, thuhet mes tjerash në njoftim.
Njoftimi i plotë i IPK-së:
Hetuesit e IPK-së, bazuar në kompetencat ligjore sipas detyrës zyrtare ka filluar të ndërmarrë veprime hetimore paraprake lidhur me veprimet policore për zbatimin e urdhëresës për arrestimin e personit R. B ((i dyshuar lidhur me rastin e vrasjes së rreshterit policor Muhamet Lika).
Nga veprimet paraprake hetimore të ndërmarra dhe komunikimet zyrtare të pranuara, ekziston dyshimi i arsyeshëm se deri në këtë fazë të hetimit, dy zyrtarë policorë kanë dështuar në kryerjen e detyrave zyrtare dhe kanë treguar neglizhencë serioze në zbatimin e urdhëresës për arrestimin e personit të dyshuar R. B.
Nga informacioni i dokumentuar dhe i siguruar nga IPK-ja ekziston dyshimi se një toger policor në pozitën e shefit të sektorit të operativës, ka pasur dijeni për urdhëresën për arrest, por dyshohet se nuk ka ndërmarrë veprime konkrete operative për lokalizimin dhe kapjen e personit të kërkuar.
Gjithashtu, bazuar në veprimet hetimore dyshohet se një rreshter policor i angazhuar në cilësinë e mbikëqyrësit në njësinë ndërlidhëse për gjykata, ka dështuar të raportojë me kohë dhe saktësi për urdhëresën për arrest si dhe dyshohet se nuk ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për ekzekutimin e saj.
Që të dy zyrtarët policorë për të cilët IPK i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e tyre kanë qenë të angazhuar me detyrë në stacionin policor të Kaçanikut.
IPK vlerëson se dështimi i tyre në zbatimin e një vendimi të formës së prerë nga gjykata, cenon besueshmërinë institucionale dhe përbën bazë për procedim disiplinor dhe hetim të mëtejmë administrativ dhe penal./Lajmi.net/