Ligji për Këshillin Prokurorial- Kushtetuesja refuzon ankesën e deputetëve të opozitës

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka refuzuar ankesën e deputetëve të PDK-së për ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës.   Gjykata përmes një njoftimi, ka thënë se “nënparagrafët 1.3, 1.4 të paragrafit 1, dhe nënparagrafët 2.4 dhe 2.8 të paragrafit 2 të nenit 5 (pa titull) i Ligjit Nr. 08/L-249 për Ndryshimin dhe Plotësimin…

Lajme

23/04/2025 16:31

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka refuzuar ankesën e deputetëve të PDK-së për ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës.

 

Gjykata përmes një njoftimi, ka thënë se “nënparagrafët 1.3, 1.4 të paragrafit 1, dhe nënparagrafët 2.4 dhe 2.8 të paragrafit 2 të nenit 5 (pa titull) i Ligjit Nr. 08/L-249 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës nuk janë në kundërshtim me nenin 110 [Këshilli Prokurorial i Kosovës] në ndërlidhje me nenin 7 [Vlerat] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës; (iii) të konstatojë, njëzëri, se paragrafi 1 i nenit 7 (pa titull) i Ligjit Nr. 08/L-249 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës nuk është në kundërshtim me paragrafin 10 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit] në ndërlidhje me paragrafin 4 të nenit 110 [Këshilli Prokurorial i Kosovës] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës; si dhe (iv) të konstatojë, njëzëri, se neni 16 (pa titull) i Ligjit Nr. 08/L-249 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës nuk është në kundërshtim me paragrafët 1 dhe 4 të nenit 110 [Këshilli Prokurorial i Kosovës] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Bazuar në konstatimet e mësipërme.

Gjithashtu, Gjykata ka vendosur q` Ligji i kontestuar t’i dërgohet Presidentes së Republikës së Kosovës për shpallje; dhe që Aktgjykimi hyn në fuqi në ditën e publikimit të tij në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.

Vendimi i plotë:

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka vendosur lidhur me kërkesat e bashkuara në rastin  KO153/24, me parashtrues: Abelard Tahiri dhe nëntë (9) deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe KO156/24, me parashtrues: Arben Gashi dhe nëntë (9) deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të parashtruara në Gjykatën Kushtetuese bazuar në përcaktimet e paragrafit 5 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së neneve 2, 5, 6, 7, 13, dhe 16 të Ligjit Nr. 08/L-249 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës. Gjykata ka vendosur, (i) njëzëri, të deklarojë kërkesat e pranueshme; (ii) të konstatojë, me gjashtë vota për dhe një kundër, se nënparagrafët 1.3, 1.4 të paragrafit 1, dhe nënparagrafët 2.4 dhe 2.8 të paragrafit 2 të nenit 5 (pa titull) i Ligjit Nr. 08/L-249 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës nuk janë në kundërshtim me nenin 110 [Këshilli Prokurorial i Kosovës] në ndërlidhje me nenin 7 [Vlerat] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës; (iii) të konstatojë, njëzëri, se paragrafi 1 i nenit 7 (pa titull) i Ligjit Nr. 08/L-249 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës nuk është në kundërshtim me paragrafin 10 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit] në ndërlidhje me paragrafin 4 të nenit 110 [Këshilli Prokurorial i Kosovës] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës; si dhe (iv) të konstatojë, njëzëri, se neni 16 (pa titull) i Ligjit Nr. 08/L-249 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës nuk është në kundërshtim me paragrafët 1 dhe 4 të nenit 110 [Këshilli Prokurorial i Kosovës] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Bazuar në konstatimet e mësipërme, Gjykata gjithashtu vendosi që (i) Ligji i kontestuar i dërgohet Presidentes së Republikës së Kosovës për shpallje; dhe (ii) Aktgjykimi hyn në fuqi në ditën e publikimit të tij në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës. Aktgjykimi sqaron që plotësim-ndryshimi i Ligjit për Këshillin Prokurorial ishte objekt i vlerësimit nga Gjykata në rastet KO100/22 dhe KO101/22. Rrjedhimisht, si rezultat i Aktgjykimit të Gjykatës në ato raste, Qeveria miratoi Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës, i cili pas përcjelljes në Kuvend me kërkesë të Kryetarit të Kuvendit ishte dërguar në Komisionin e Venecias. Pas opinionit pasues nga Komisioni i Venecias, më 11 korrik 2024, Kuvendi i Republikës së Kosovës miratoi Ligjin Nr. 08/L-249 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji i kontestuar). Ashtu siç është sqaruar në Aktgjykim, thelbi i pretendimeve të parashtruesve të kërkesave ndërlidhet me (i) përkufizimin e “integritetit personal”, si kusht për emërimin e anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës, prokurorë dhe jo-prokurorë; (ii) përfshirjen e kushtit për të mos pasur aktakuzë të ngritur; (iii) përbërjen e Këshillit Prokurorial të Kosovës nga shtatë (7) anëtarë, duke e zvogëluar në këtë mënyrë proporcionin në mes të anëtarëve prokurorë dhe jo-prokurorë; (iv) përbërjen e Komisionit të Posaçëm për administrimin e procesit të përzgjedhjes së anëtarëve jo-prokurorë të Këshillit Prokurorial të Kosovës; (v) kuorumin e vendimmarrjes prej pesë (5) anëtarëve dhe vendimmarrjen me shumicë të thjeshtë; dhe (vi) kuorumin e vendimmarrjes prej katër (4) anëtarëve si rezultat i mospjesëmarrjes së vazhdueshme të anëtarëve në takimet e Këshillit Prokurorial të Kosovës. Pretendimet e parashtruesve të kërkesës, në parim, u mbështetën nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, ndërsa, u kundër-argumentuan nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe deputeti i grupit parlamentar të LVV-së, z. Adnan Rrustemi. Në anën tjetër, komentet e Avokatit të Popullit në mënyrë specifike i referohen pretendimeve të parashtruesve të kërkesës lidhur me kuorumin e vendimmarrjes së Këshillit Prokurorial të Kosovës prej pesë (5) anëtarëve, si dhe kuorumit prej katër (4) anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës në rastin e procedurës disiplinore të anëtarit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, për shkak të mospjesëmarrjes së vazhdueshme në takimet e Këshillit. Në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesve të kërkesave, Aktgjykimi u referohet parimeve kushtetuese që ndërlidhen me pavarësinë e Këshillit Prokurorial, përfshirë këtu edhe parimet dhe standardet ndërkombëtare lidhur me integritetin e anëtarëve të tyre, emërimin dhe procedurën e vendimmarrjes në këto këshilla. Po ashtu, Gjykata rikujton parimet dhe standardet e elaboruara përmes praktikës së saj gjyqësore, në veçanti në rastet KO100/22 dhe KO101/22 dhe rastin KO55/23. Gjykata në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesve të kërkesave konstatoi se pretendimet e tyre që ndërlidhen me (i) nenin 6 (pa titull) të Ligjit të kontestuar, përmes të cilit është përcaktuar përbërja e Këshillit Prokurorial të Kosovës; (ii) paragrafin 1 të nenit 13 (pa titull), përmes të cilit është caktuar kuorumi prej pesë (5) anëtarëve; dhe (iii) nenin 7 (pa titull) të Ligjit të kontestuar, përmes të cilit është përcaktuar zgjedhja e anëtarëve jo-prokurorë me shumicë të thjeshtë nga Kuvendi ishin objekt i vlerësimit të Gjykatës në Aktgjykimin e 24 marsit 2023 në rastet KO100/22 dhe KO101/22, për të cilat pretendime ajo ka vlerësuar se nuk janë në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Rrjedhimisht, Gjykata në rastin konkret, vlerësoi pretendimet parashtruesve të kërkesave përkitazi me (i) përkufizimin e “integritetit personal” dhe aftësive menaxheriale si kriter për emërim të anëtarit prokuror dhe jo-prokuror; (ii) vendimmarrjen me shumicë të thjeshtë votash të të gjithë anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës; (iii) përbërjen e Komisionit të Posaçëm për administrimin e procesit të përzgjedhjes së anëtarëve jo-prokurorë të Këshillit Prokurorial të Kosovës; dhe (iv) kuorumin e vendimmarrjes prej katër (4) anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës, si rezultat i mospjesëmarrjes së vazhdueshme të disa anëtarëve të tij.

 

(i) në lidhje me kriterin e “integritetit profesional” dhe “aftësive menaxheriale” Pas shtjellimit të parimeve të përgjithshme lidhur me pavarësinë e Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe “parashikueshmërisë” së normave ligjore, si dhe referimit, ndër të tjera në Opinionin Pasues të Komisionit të Venecias për Kosovën, të 23 dhjetorit 2023, Gjykata vlerësoi se kushti i përcaktuar në nënparagrafët 1.4 dhe 2.4 të nenit 5 të Ligjit të kontestuar, gjegjësisht, kriterit të dëshmimit të “integritetit profesional” dhe “aftësive menaxheriale” është kusht i vlerësimit pas verifikimit të kushteve formale të përcaktuara në po këtë nen, dhe se plotëson kriterin e të qenit mjaftueshëm “i qartë” dhe “i parashikueshëm”, me kushtin që jetësimi dhe zbatimi i një kriteri të tillë në procedurën e udhëhequr para Komisionit të posaçëm në Kuvend dhe Komisionit në Këshillin Prokurorial të Kosovës, t’i respektojnë parimet dhe garancitë procedurale të një procesi të drejtë dhe të paanshëm. Rrjedhimisht, Gjykata konstatoi se kriteri i lartcekur nuk është në kundërshtim me nenin 110 [Këshilli Prokurorial i Kosovës] dhe nenit 7 [Vlerat] të Kushtetutës.

 

(ii) në lidhje me kriterin e mospasjes së “aktakuzës së ngritur” Aktgjykimi, vë në dukje se kriteri i mospasjes së “aktakuzës së ngritur” i referohet kushtit që kandidatët në procedurën e përzgjedhjes dhe emërimit për anëtarë prokurorë dhe jo-prokurorë nuk duhet të kenë aktakuzë të ngritur. Gjykata vlerësoi se ky kriter në mënyrë të drejtpërdrejtë është i ndërlidhur me garancinë që buron nga Kushtetuta se Këshilli Prokurorial është “institucion plotësisht i pavarur në kryerjen e funksioneve të tij” dhe mënyrës se si ky institucion e ushtron funksionin e tij për të siguruar një sistem prokurorial të pavarur, profesional dhe të paanshëm. Në këtë kuptim, në rast të ekzistimit të një aktakuze të ngritur nga vetë organet e ndjekjes ndaj kandidatëve për anëtarë prokurorë apo joprokurorë të Këshillit Prokurorial, kjo do të ishte në disproporcion dhe kundërshtim me paanshmërinë dhe integritetin në kryerjen e funksionit të tij si institucion prokurorial dhe, për pasojë do të cenonte besimin e publikut në paanshmërinë e këtij institucioni në sistemin e drejtësisë dhe sundimin e ligjit, si një nga vlerat themelore të përcaktuara me Kushtetutë. Për rrjedhojë, Gjykata konstatoi se ky kriter ligjor nuk bie në kundërshtim me nenin 110 [Këshilli Prokurorial i Kosovës] dhe nenit 7 [Vlerat] të Kushtetutës.

 

(iii) në lidhje me përbërjen e Komisionit të Posaçëm për administrimin e procesit të përzgjedhjes së anëtarëve jo-prokurorë të Këshillit Prokurorial të Kosovës Përkitazi me pretendimin e parashtruesve të kërkesës për (i) themelimin dhe kompetencën e Komisionit të posaçëm dhe (ii) përbërjen e tij nën udhëheqjen e Kryetarit të Kuvendit apo të deleguarit të tij, me përfaqësues të Këshillit Konsultativ për Komunitete, dy (2) përfaqësues të sistemit të drejtësisë dhe një përfaqësuesi të agjencisë së pavarur, siç është Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, Gjykata vlerësoi nëse kjo dispozitë e Ligjit të kontestuar kufizon kompetencën e Kuvendit për zgjedhjen e anëtarëve jo-prokurorë sikurse është përcaktuar me pikën 10 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit] të Kushtetutës në ndërlidhje me paragrafin 4 të nenit 110 [Këshilli Prokurorial i Kosovës] të Kushtetutës. Gjykata duke iu referuar rekomandimit të Komisionit të Venecias në Opinionin e saj pasues të 18 dhjetorit 2023, ku kishte theksuar krijimin e “një zgjidhje e cila parashikon kontributin e ekspertëve dhe trupave të pavarura për të forcuar paanshmërinë dhe objektivitetin e procesit të përzgjedhjen në komisionin e Kuvendit”, dhe Aktgjykimit të saj në rastet KO100/22 dhe KO101/22, ku kishte sqaruar se një kompetencë e përcaktuar me Kushtetutë nuk mund të delegohet në nivel ligji, vlerësoi se themelimi dhe kompetenca e Komisionit të Posaçëm për përzgjedhjen e anëtarëve jo prokurorë të Këshillit Prokurorial nuk ka cenuar kompetencën kushtetuese për emërimin e këtyre anëtarëve nga ana e Kuvendit. Ndërsa, përkitazi me përbërjen e Komisionit të posaçëm, Aktgjykimi sqaron se ky komision vlerëson dhe rekomandon kandidatët për anëtarët jo-prokurorë të Këshillit Prokurorial të Kosovës përderisa emërimi i tyre ashtu siç është përcaktuar me paragrafin 10 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit] të Kushtetutës, dhe paragrafin 3 të nenit 6 (pa titull) të Ligjit të kontestuar bëhet nga Kuvendi. Rrjedhimisht, Gjykata konstatoi se neni paragrafi 1 i nenit 7 (pa titull) i Ligjit Nr. 08/L-249 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës nuk është në kundërshtim me paragrafin 10 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit] në ndërlidhje me paragrafin 4 të nenit 110 [Këshilli Prokurorial i Kosovës] të Kushtetutës.

 

(iv) në lidhje me kuorumin e vendimmarrjes prej katër (4) anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës si rezultat i mospjesëmarrjes së të vazhdueshme të disa anëtarëve të tij Aktgjykimi sqaron se si rezultat i mungesës së argumenteve specifike të parashtruesve të kërkesave dhe saktësimit të pretendimit në lidhje me kundërkushtetutshmërinë e dispozitës që përcakton vendimmarrjen me shumicën e thjeshtë të të gjithë anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Gjykata vlerësoi vetëm pretendimet lidhur me kuorumin dhe vendimmarrjen prej 4 (katër) anëtarëve në rast të mospjesëmarrjes në mënyrë të vazhdueshme të disa anëtarëve të këtij Këshilli. Në vlerësimin e këtij pretendimi, Gjykata rikujtoi praktikën gjyqësore të saj në rastet KO100/22 dhe KO101/22, si dhe rekomandimet e Komisionit të Venecias për rëndësinë përcaktimit të mekanizmave kundërbllokues në procedurat e vendimmarrjes në këtë institucion, me qëllim të garantimit të funksionimit të Këshillit. Për pasojë, Gjykata vlerësoi se përcaktimi i kuorumit prej 4 (katër) anëtarëve dhe vendimmarrjes me votat e 4 (katër) të pranishmëve në mbledhje të Këshillit Prokurorial të Kosovës, e cila zbatohet vetëm në rastet e (i) mos pjesëmarrjes së vazhdueshme të anëtarit në takimet e këtij Këshilli; dhe në (ii) rrethana ku iniciohet procedurë disiplinore ndaj anëtarit, i garanton asaj funksionimin në kryerjen e mandatit kushtetues dhe atij të përcaktuar me ligj, si dhe një detyrim të Kuvendit që të zgjedhë anëtarët e një organi të pavarur kushtetues, pjesë e sistemit të drejtësisë, në shërbim të administrimit të mirëfilltë të drejtësisë dhe sundimit të ligjit. Rrjedhimisht, Gjykata konstatoi se neni 16 (pa titull) i Ligjit Nr. 08/L-249 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës nuk është në kundërshtim me paragrafët 1 dhe 4 të nenit 110 [Këshilli Prokurorial i Kosovës] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Vërejtje: Ky njoftim për media është përgatitur nga Sekretariati i Gjykatës vetëm për çështje informative. Teksti i plotë i vendimit do t’u dorëzohet palëve të përfshira në rast, do të publikohet në ueb-faqen e Gjykatës dhe në Gazetën Zyrtare, pasi të jenë përfunduar procedurat përkatëse të përcaktuara në Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren e saj të punës. Përmbledhja e publikuar përmes këtij Njoftimi mund t’i nënshtrohet korrigjimeve gjuhësore dhe teknike në draftin final të vendimit. Për të pranuar njoftimet për vendime nga Gjykata Kushtetuese ju lutemi regjistrohuni në ueb-faqen e Gjykatës: https://gjk-ks.org