Haradinaj “prenë” para nga qiratë e shtëpive e banesave, Krasniqi nga letrat me vlerë e Abdixhiku në kredi për banesë në “Marigona Hill”
Deklarimi i pasurisë për vitin 2025, ka përfunduar me 31 mars të këtij viti ndërsa për plotë 31 ditë zyrtarët institucional kanë kryer obligimin e tyre ligjor. Ndër zyrtarët që kanë deklaruar pasurinë, janë edhe kryetarët e katër partive më të mëdha në vend, LVV, PDK, LDK dhe AAK të cilët deklarimin e kanë bërë…

Lajme
Deklarimi i pasurisë për vitin 2025, ka përfunduar me 31 mars të këtij viti ndërsa për plotë 31 ditë zyrtarët institucional kanë kryer obligimin e tyre ligjor.
Ndër zyrtarët që kanë deklaruar pasurinë, janë edhe kryetarët e katër partive më të mëdha në vend, LVV, PDK, LDK dhe AAK të cilët deklarimin e kanë bërë në cilësinë e deputetit të Kuvendit të Kosovës.
Nga Albin Kurti, Memli Krasniqi, Lumir Abdixhiku e Ramush Haradinaj – kryeministri në detyrë, Kurti mbetet ndër kryetarët më të varfër me vetëm 1 mijë e 800 euro para në bankë.
Ai ka deklaruar edhe paratë e bashkëshortes në një bankë në Oslo të Norvegjisë, të cilat janë 15 mijë euro ndërsa 500 euro të tjera kursime për vajzën.
Kurti vazhdon të jetoj me qira në një shtëpi në Prishtinë ku ka deklaruar se paguan 250 euro qira mujore.
Poashtu në pronësi të bashkëshortes u deklarua edhe një blerje e apartamentit në vitin 2018 në vlerë 270 mijë e uro fillimisht, tanimë e mbetur në 170 mijë. Blerja e saj u deklarua si blerje me kredi prej 322 muaj.
Memli Krasniqi është i dyti për nga partia që udhëheq, por jo edhe nga pasuria që ka.
Ai ka në pronësi të tij një banesë 110.00 m2 të cilën e ka blerë në vitin 2021 dhe ka vlerë 120 mijë euro si dhe një shtëpi 202 m2 në pronësi të përbashkët, që kap vlerën prej 180 mijë euro.
Përveç banesës e shtëpisë, Krasniqi duket të jetë i pasionuar edhe në art e kulturë. Ai ka një bibliotekë në pronësi të përbashkët me bashkëshorten në vlerë prej 15 mijë eurove, ndërsa 9 mijë euro vlerë në vepra arti.
Letrat me vlerë janë burimi kryesor i pasurisë së Krasniqit, pasi që nga 10 cope sa i posedon, ai ka pasuri prej 78 mijë e 774 eurove.
Në xhirollogarinë e tij bankare, Krasniqi ka 3 mijë e194 euro ndërsa të bashkëshortes së tij, ai i ka deklaruar mbi 33 mijë euro.
Krasniqi ka deklaruar edhe pagën e tij të cilën e merr si kryetar i Kuvendit, e që është 20 mijë euro në vit ndërsa ka deklaruar se si kryetar partie në PDK ai nuk paguhet.
Bashkëshortja e tij nga Instituti Albanologjik i Kosovës, ka deklaruar se merr pagë vjetore afro 14 mijë euro.
Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka deklaruar se në pronësinë e tij ka një shtëpi 200 m2 të trashëguar nga prindërit që kap vlerën e 150 mijë eurove si dhe gjithashtu ka të trashëguar nga gjyshërit një tokë 1500 m2 që kap vlerën e 90 mijë eurove. Bashkë me bashkëshorten e tij, Abdixhiku ka thënë se ka një shtëpi 214 m2 në vlerë prej 200 mijë eurove si dhe një banesë 174 m2 në vlerë prej 260,000.00 eurove.
Në pronësi të bashkëshortes, Abdixhiku ka deklaruar një veturë Mercedes-Benz në vlerë prej 25 mijë eurove e cila gjithashtu ka edhe 25% të aksioneve tek “Ambera Group” që kanë vlerën e 2 mijë e 500 eurove.
Ai ka deklaruar se në xhirollogarinë e tij ka plotë 10 mijë e 637 euro të cilat sipas tij kanë ardhur nga kursimet e tij.
Përveç pasurisë, Abdixhiku ka edhe kredi në disa banka të Kosovës. Bashkë me bashkëshorten e tij, ai ka plot 117 mijë kredi.
Partia e tij ka më së paku deputetë e vota nga tri partitë e lartpërmendura, por kreu i saj nuk ia di fundin pasurisë. Ramush Haradinaj, i pari i AAK-së duket se ndër vite ka investuar shumë në pasuri të paluajtshme.
Katër shtëpi, tri banesa, një tokë, një truall e një vilë janë pasuritë e paluajtshme të Haradinajt që të gjitha bashkë kapin vlerën e afro dy milionë eurove apo saktësisht 1 milion e 941 mijë e 363 eurove.
Nga këto, një shtëpi, një vilë dhe një banesë janë në pronësi të përbashkët me bashkëshorten e tij ndërsa dy banesa janë blerë nga ai për dy fëmijët e tij.
Haradinaj vozit një veturë të vitit 2024 në vlerë prej 19 mijë eurove, ndërsa bashkëshortja e tij poashtu të këtij viti por në vlerë të 50 mijë eurove.
Para në xhirollogari të cilat i ka deklaruar, Haradinaj ka mbi 15 mijë euro, shkruan lajmi.net.
Për blerjen e disa prej këtyre pronave, Haradinaj ka hyrë edhe kredi në banka, e të cilave iu ka borxh mbi 111 mijë euro, ndërsa bashkëshortja e tij ka mbi 7 mijë euro kredi.
19 mijë i ka deklaruar Haradinaj si pagë vjetore që merr nga Kuvendi i Kosovës, ndërsa të ardhurat më të mëdha të tij vijnë nga shtëpitë dhe banesat me qira.
Krerët e partive politike në vend, kanë krijuar një pasuri të madhe gjatë angazhimit të tyre politik ndërsa varfëria e qytetarëve duket të mos jetë edhe shumë shqetësim për ta.
Kjo është vërejtur edhe pas rritjes së çmimit të energjisë elektrike në vend e që nuk u përcoll me shumë bujë e zhurmë nga ta. /Lajmi.net/