Katër zyrtarë policorë nën hetim në Gjakovë për dyshime mbi përfshirje në vepra penale- IPK jep detaje

Katër zyrtarë policorë janë intervistuar pasi dyshohet se janë përfshirë në veprat penale “Ndihmë gjatë kryerjes së veprës penale” dhe “Zbulim i fshehtësisë zyrtare” në Gjakovë. Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se Inspektorati Policor i Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore Gjakovë dhe me autorizim të lëshuar nga gjyqtari i procedurës paraprake,…

Lajme

23/04/2025 11:49

Katër zyrtarë policorë janë intervistuar pasi dyshohet se janë përfshirë në veprat penale “Ndihmë gjatë kryerjes së veprës penale” dhe “Zbulim i fshehtësisë zyrtare” në Gjakovë.

Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se Inspektorati Policor i Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore Gjakovë dhe me autorizim të lëshuar nga gjyqtari i procedurës paraprake, ka realizuar sot në orët e hershme të mëngjesit kontrolle në dy lokacione të ndryshme në regjionin e Gjakovës.

Tutje thuhet se kontrollet janë kryer në kuadër të një hetimi penal që është duke u zhvilluar ndaj disa zyrtarëve policorë, lidhur me dyshimet për përfshirje në veprat penale “Ndihmë gjatë kryerjes së veprës penale” dhe “Zbulim i fshehtësisë zyrtare”.

“Gjatë realizimit të kontrolleve, hetuesit e IPK-së kanë sekuestruar disa prova materiale që mund të kenë rëndësi për procedurën hetimore. Deri në këtë fazë të hetimit janë intervistuar në cilësinë e të dyshuarve katër (4) zyrtarë policorë të dyshuar në praninë e mbrojtësve të tyre ligjor”, thuhet në njoftim.

Po ashtu në njoftim thuhet se nga hetuesit e IPK-së në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë Themelore Gjakovë pritet të ndërmerren edhe veprime të tjera procedurale në përputhje me mandatin ligjor dhe autorizimet përkatëse.

“Pasi që veprimet hetimore janë akoma duke u ndërmarrë, për masat dhe veprimet tjera që do të ndërmerren mediet do të njoftohen më vonë”, thuhet në njoftimin e IPK-së.