Haxhiu e quan gjuhë “denigruese” e “seksiste” gjuhën e përdorur ndaj saj: Më quajtën monstrum politik e terroriste politike
Ministrja në dorëheqje e Drejtësisë, njëherit kandidate e VV-së për kryetare të Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu ka folur sot në lidhje me refuzimin për ta votuar për të katërtën herë nga opozita. Ajo ka thënë se aktgjykimi I Gjykatës Kushtetuese jep të drejtën partisë fituese të dal nga zgjedhjet që të jap propozimin për…

Lajme
Ministrja në dorëheqje e Drejtësisë, njëherit kandidate e VV-së për kryetare të Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu ka folur sot në lidhje me refuzimin për ta votuar për të katërtën herë nga opozita.
Ajo ka thënë se aktgjykimi I Gjykatës Kushtetuese jep të drejtën partisë fituese të dal nga zgjedhjet që të jap propozimin për kandidatin e kryetarit të Kuvendit dhe këtë të drejtë nuk ia jep opozitës.
Haxhiu ka thënë se është e rëndësishme që të kuptohen forcat politike në Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mishërohet vullneti i popullit sepse qytetarët e Republikës së Kosovës e kanë “mbështetur fuqishëm Lëvizjen vetëvendosje në zgjedhjet e 9 shkurtit”.
Ajo ka thënë se kanë shumë vullnet që të ecin përpara, por që sipas saj nuk mund t’ia imponojnë emrat për kandidat të kryetarit të Kuvendit.
“Ajo me çka unë jam përball gjatë kësaj kohe është figurë përqarëse, është konfliktuoze është monstrum politik, është terroriste politike, është specie e përqudnuar. Së pari, kjo gjuhë është e papranueshme, jo vetëm që po bëhet ndaj meje por ndaj kujtdo qoftë, dhe shqetësimi im është që kjo gjuhë denigruese, gjuhë mizogjene, gjuhë seksiste I dekurajon gratë tjera që të merren me politikë” Sepse, kur shohin përbaltjet e grave sot unë, dje Mimoza, pardje Saranda, Donika dhe të tjera natyrisht pastaj mendojnë dy herë apo tri herë a do të merren me politikë apo a do të pranojnë pozicion publik. Së pari, duhet pas parasysh që unë asnjëherë nuk kam pas një funksion unifikues” ka thënë Haxhiu për Klan Kosova.
Haxhiu ka thënë se për gjithë vitet e saj në aktivitet politik nuk ka votuar asnjëherë për diçka që bie ndesh me qytetarët dhe Republikën e Kosovës.
“Kam qenë më shumë se 10 vite deputete e opozitës, gati 5 vite ministre e drejtësisë, dhe kam pasur përballje politike, por gati 15 vite aktivitet politik, asnjëherë nuk kam votuar për diçka që bie ndesh me qytetarët, me republikën, as nuk kam votuar Gjykatën Speciale, as marrëveshjen e prillit që parasheh asociacionin, dhe jam krenare për veprimet e mia publike, por nuk është në rregull të më akuzojnë për diçka që nuk kam pasur, pra funksion unifikues nuk kam pasur”, ka shtuar Haxhiu.
Albulena Haxhiu është propozuar tri herë për t’u votuar, por nuk ka marrë votat e mjaftueshme ndërsa në seancën e kaluar që u mbajt të shtunën, LVV nuk e vendosi fare në votim pasi thanë se nuk i kanë votat. /Lajmi.net/