Klubet kosovare shpërblehen nga UEFA për lirimin e lojtarëve
Ballkani ka përfituar 76 mijë e 839 euro nga UEFA si kompensim për lirimin e lojtarëve gjatë ciklit 2020–2024 të garave të ekipeve kombëtare. Kjo shumë vjen si pjesë e Programit të Përfitimeve për Klubet, i cili ka shpërblyer klubet që ka dhënë kontribut me lojtarë në ndeshjet e Ligës së Kombeve, kualifikimet për Kampionatin…

Sport
Ballkani ka përfituar 76 mijë e 839 euro nga UEFA si kompensim për lirimin e lojtarëve gjatë ciklit 2020–2024 të garave të ekipeve kombëtare.
Kjo shumë vjen si pjesë e Programit të Përfitimeve për Klubet, i cili ka shpërblyer klubet që ka dhënë kontribut me lojtarë në ndeshjet e Ligës së Kombeve, kualifikimet për Kampionatin Evropian dhe finalet e Euro 2024.
Përveç Ballkanit, dy klube të tjera kosovare janë përfshirë në listën e përfituesve: Llapi ka përfituar 32 mijë e 931 euro, ndërsa Dukagjini ka marrë 10 mijë e 977 euro.
Nga Shqipëria, Tirana ka rezultuar përfituese me një shumë më të lartë – 84 mijë e 157 euro, ndërkohë që Egnatia ka përfituar 36 mijë e 590 euro dhe Partizani ka marrë 29 mijë e 272 euro.
Pjesë e përfitimeve kanë qenë edhe klubet shqiptare nga Maqedonia e Veriut. Shkëndija ka përfituar 65 mijë e 862 euro, ndërsa Shkupi ka marrë 7 mijë e 318 euro.
Në total, UEFA ka shpërndarë një shumë rekord prej 233 milionë eurosh për 901 klube në të gjitha 55 federatat anëtare. Kjo iniciativë e përbashkët me Shoqatën Evropiane të Klubeve (ECA) synon të shpërblejë klubet për kontributin e tyre në suksesin e futbollit përfaqësues.
Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, ka deklaruar se një gjë e tillë është fantastike.
“Është fantastike të shohësh se klube të të gjitha përmasave dhe niveleve, në të gjithë piramidën e futbollit, marrin shpërblime financiare për rolin e tyre jetësor në zhvillimin e lojtarëve që kontribuojnë në suksesin e garave tona: përfshirë edhe finalet e UEFA EURO 2024. Çdo sukses i garave tona është një sukses i përbashkët”, ka thënë ai.
Në të njëjtën linjë ka qenë edhe kryetari i ECA-s, Nasser Al-Khelaïfi.
“Jam i kënaqur që mbi 900 klube nga e gjithë Evropa kanë përfituar nga kjo shpërndarje e paprecedentë. Kjo pasqyron bashkëpunimin e ngushtë mes UEFA-s dhe ECA-s në zhvillimin pozitiv të futbollit evropian”, ka thënë ai.