Vonesa në rezultate, certifikim e tani në formim të institucioneve- nesër seanca e radhës e konstituimit të Kuvendit

Kuvendi i Kosovës ka njoftuar edhe zyrtarisht në lidhje me seancën e e nesërme konstituive. Kjo seancë parashihet të nis në ora 10:00. Pas dështimit të katërt dje në lidhje me konstituimin e mundshëm të Kuvendit të Kosovës, deputetët e zgjedhur nga zgjedhjet e 9 shkurtit do të mblidhen sërish nesër. Tani kur po bëhen…

Lajme

22/04/2025 10:55

Kuvendi i Kosovës ka njoftuar edhe zyrtarisht në lidhje me seancën e e nesërme konstituive.

Kjo seancë parashihet të nis në ora 10:00.

Pas dështimit të katërt dje në lidhje me konstituimin e mundshëm të Kuvendit të Kosovës, deputetët e zgjedhur nga zgjedhjet e 9 shkurtit do të mblidhen sërish nesër.

Tani kur po bëhen gati tre muaj që nga data e zgjedhjeve, Kosova po vazhdon të jetë me drejtues në detyrë e institucione ende të paformuara.

Përpos që procesi i zgjedhjeve zgjati shumë- ku parregullsi pati në publikim të rezultateve, më pas vonesa pati në numërim e në certifikim të votave tashmë probleme po dalin edhe në formim të institucioneve.

Ashtu siç e tha edhe nënkryetari i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca atyre rezultati nuk u doli siç e kishin paramenduar.

Vetëvendosje pretendoi se do t’i fitonte zgjedhjet me një shumicë më të madhe, diku rreth 500 mijë vota por mbeti larg kësaj shifre.

Për dallim nga zgjedhjet e para 4 viteve ku mori shumicën e votave e arriti që t’i formojë e vetme institucionet këtë herë po i del problem tjetër- sepse e vetme nuk mundet.

Si fillim seanca dështoi dhe nuk u arrit të betoheshin as deputetët e rinj, e pas betimit që ndodhi të shtunën seanca dështoi sërish pa u konstituar.

E gjithë kjo pasi Lëvizja Vetëvendosje propozoi tri herë radhazi emrin e Albulena Haxhiut për Kryetare të Kuvendit.

Haxhiu nuk mori mbështetjen e partive LDK, PDK, AAK të cilët në disa raste nuk morën fare pjesë në votim e në një rast tjetër votuan kundër.

Ndryshe nga këto parti Nisma socialdemokrate abstenoi.

E gjithë ky zhvillim çoi edhe në dështimin e djeshëm të konstituimit. Nga Vetëvendosje njoftuan se pasi që e dinë se s’kanë votat e partive të tjera apo s’kanë më shumë se 57 vota nuk e hodhën fare në votim propozimin për Haxhiun.

Kësisoj seanca u ndërpre ani pse nisi me shumë vonesë dhe u shty për 48 orë sërish- për të mërkurën në ora 10:00.

Vetëvendosje si parti e parë e dalë nga zgjedhjet ka të drejtën e plotë për të propozuar emrin kryevendarit por  nëse vazhdohet me emrin e Haxhiut duket sikur kjo punë është e dështuar që në start.

Por sipas partive të tjera dhe njohësve të çështjeve, Vetëvendosje po e bën qëllimshëm këtë deri në arritjen e pazareve për formimin e qeverisë.

Së fundi pati zëra së fakt diskutimet janë në mes VV dhe Nisma-s e cila ende s’po i jep votë për kryekuvendar Vetëvendosjes.

Mbetet ë shihet se cila do të jetë zgjidhja e kreut të VV-së Albin Kurti për të dalë nga kjo situatë bllokade e institucioneve të vendit.

Nga Vetëvendosje shpreheshin vazhdimisht se i kanë siguruar votat për qeveri -derisa realiteti doli se nuk i kanë as për Kryetar të Kuvendit./Lajmi.net/