​Faton Peci i bindur se opozita do të tërhiqet si në rastin e mandateve

Deputeti Faton Peci nga LVV-ja, beson se opozita do të tërhiqet nga qëndrimi i saj për të mos mbështetur kandidaten e propozuar nga partia fituese për kryetare të Kuvendit. Pas dështimit të serishëm të konstituimit të Kuvendit, ku nga LVV-ja u kërkua arritja e një marrëveshje politike për zgjidhjen e ngërçit, Faton Peci ka thënë…

Lajme

21/04/2025 17:41

Deputeti Faton Peci nga LVV-ja, beson se opozita do të tërhiqet nga qëndrimi i saj për të mos mbështetur kandidaten e propozuar nga partia fituese për kryetare të Kuvendit.

Pas dështimit të serishëm të konstituimit të Kuvendit, ku nga LVV-ja u kërkua arritja e një marrëveshje politike për zgjidhjen e ngërçit, Faton Peci ka thënë se nuk duhen vonesa.

“Kompromisi është i gatshëm, nuk duhet të pasur vonesë sikur që ka pasur për certifikimin e mandateve, është e përcaktuar qartë me Kushtetutë dhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese që kryetari i takon grupit më të madh parlamentar, në këtë rast LVV-së… Mendoj se kjo është rruga e vetme dhe jam i bindur që sikurse që janë tërhequr pas katër ditësh për çështjen e verifikimin të mandateve, e njëjta do të ndodhë edhe për kryeparlamentar”, ka thënë Peci.

Propozimi i LVV-së për kryetar të Kuvendit, si parti e parë në zgjedhjet e 9 shkurtit, nuk u hodh sot për votim, pasi Glauk Konjufca, nënkryetar i kësaj partie, tha se opozita nuk do ta votojë, duke kërkuar marrëveshje politike për tejkalimin e ngërçit të krijuar politik.

Albulena Haxhiu nuk ka marrë votat e mjaftueshme në dy tentativat e mëhershme për t’u zgjedhur kryetare e re e legjislativit të nëntë.

Vazhdimi i pestë i seancës për konstituimin e legjislaturës së nëntë do të mbahet ditën e mërkurë, më 23 prill, në ora 10:00.