IKD: Kurti duhet të japë dorëheqje klasike, s’mund të jetë edhe deputet edhe kryeministër

Në prag të seancës së tretë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës që do të mbahet sot në orën 12:00, Instituti i Kosovës për Drejtësi ka mbajtur konferencë për media ku ka sqaruar situatën e krijuar në Kuvendin e Kosovës pasi s’ka arritur të kalojë raporti i Komisionit për verifikimin e Mandateve. Naim Jakaj nga…

Lajme

19/04/2025 10:43

Në prag të seancës së tretë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës që do të mbahet sot në orën 12:00, Instituti i Kosovës për Drejtësi ka mbajtur konferencë për media ku ka sqaruar situatën e krijuar në Kuvendin e Kosovës pasi s’ka arritur të kalojë raporti i Komisionit për verifikimin e Mandateve.

Naim Jakaj nga IKD, ka thënë se është e qartë që në momentin kur dikush betohet si deputet, në asnjë rrethanë s’mund të jetë në të njëjtën kohë edhe kryeministër apo ministër.

“Një gjë është e qartë. Nga momenti i dhënies së betimit, në asnjë rrethanë një person s’mund të jetë edhe anëtarë i kabinetit qeveritar dhe deputet, qoftë kryeministër qoftë ministër”, ka thënë Jakaj.

“S’bëhet dallim për një qeveri të rregullt apo qeveri në detyrë. KM dhe ministrat që në momentin e betimit, duhet të dorëzojnë dorëheqjet tek kryesuesi dhe administrata e Kuvendit”, ka shtuar ai tutje.

Jakaj ka thënë se pas betimit, nëse nuk deponohen dorëheqjet formale, deputetët kanë në dorë dy mekanizma, që ta çojnë në Kushtetuese dhe të kërkojnë vlerësim kushtetues për zgjedhjen e legjistlaturës së 9-të apo të bëjnë kallëzim penal në Prokurori për ushtrim të dy pozitave në të njëjtën kohë.

“Në rast të mungesës së dorëheqjeve, pas betimit, deputetët kanë dy mekanizma në dispozicion. E para me kërku vlerësim të Kushtetutshmërisë për zgjedhjen e legjislaturës së 9-të siç parashihet në nenin 113 të Kushtetutës dhe me ushtru kallëzim penal tek prokurori për ushtrim të dy pozitave në të njëjtën kohë”, ka sqaruar ai.

Jakaj i IKD-së ka thënë se letra e prezantuar nga kryeministri Albin Kurti s’është akt i dorëheqjes dhe se përmbajtja e saj tregon që Kurti dëshiron të vazhdojë ta drejtojë qeverinë edhe duke qenë deputet.

“Letra e dorëzuar nga Kurti s’është akt i dorëheqjes. Interpretimi i tij se qeveria e tij ka statusin ekuivalent me qeveri në detyrë, vlen për qeverinë si institucion dhe jo për të si drejtues i saj.

Përmbajtja e letrës tregon se Kurti dëshiron ta udhëheq qeverinë duke qenë deputet. Kryeministri duhet të japë dorëheqje në kuptimin klasik të saj dhe jo ta interpretojë pozitën e tij si të tillë”, ka sqaruar ai tutje.

“Në bazë të Ligjit, kryeministri duhet të japë dorëheqje në momentin e betimit, dhe qeveria s’mund të udhëhiqet nga Kurti, udhëheqja i kalon zv.kryeministrit dhe postet ministrore udhëhiqen nga zv.minsitrat”, ka thënë ai.