Standardet e dyfishta të zyrtarëve gjermanë për drejtësinë: Të rreptë për gjykimin e UÇK-së, të butë me fletarrestet për krimet në Gaza

Një vizitë e paralajmëruar për në Gjermani e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanjahu, ka shpërfaqur një standard të ri të këtij shteti rreth drejtësisë dhe respektimit të vendimeve të institucioneve të larta të drejtësisë ndërkombëtare. Përderisa për Gjykatën Speciale, zyrtarë të këtij shteti shprehin përkrahje publike të vazhdueshme, deri në komentim të vendimeve e protestave, ndryshe…

Lajme

18/04/2025 16:27

Një vizitë e paralajmëruar për në Gjermani e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanjahu, ka shpërfaqur një standard të ri të këtij shteti rreth drejtësisë dhe respektimit të vendimeve të institucioneve të larta të drejtësisë ndërkombëtare. Përderisa për Gjykatën Speciale, zyrtarë të këtij shteti shprehin përkrahje publike të vazhdueshme, deri në komentim të vendimeve e protestave, ndryshe po ndodh në raport me Gjykatën Ndërkombëtare për Krime (ICC).

Kjo gjykatë ka lëshuar muaj më parë një fletarrest ndërkombëtar për kryeministrin Benjamin Netanjahu dhe ish-ministrin izraelit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, si dhe për tre ish-liderë të Hamasit, të cilët më pas u tërhoqën pasi u konfirmua vdekja e të treve. Bëhej fjalë për Mohammed Diab Ibrahim Al-Masri, Yahya Sinwar dhe Ismail Haniyeh.

Duke qenë anëtare dhe ratifikuese e themelimit të ICC-së, Gjermania e ka për obligim të respektojë fletarrestet. Por, udhëheqja e re gjermane duket se do të veprojë ndryshe.

Kancelari i ri gjerman, Friedrich Merz, në fund të shkurtit të këtij viti tha se do të gjejnë një mënyrë për të siguruar që Netanjahu ta realizojë vizitën dhe të kthehet në vendin e vet pa u arrestuar.

“Në rast se ai [Netanjahu] planifikon të vizitojë Gjermaninë, i kam premtuar vetes se do të gjejmë një mënyrë për të siguruar që ai të mund të vizitojë Gjermaninë dhe të largohet përsëri pa u arrestuar,” tha Merz nga Berlini. “Unë mendoj se është një ide vërtet absurde që një kryeministër izraelit nuk mund të vizitojë Republikën Federale të Gjermanisë. Ai do të jetë në gjendje të vizitojë Gjermaninë,” shtoi ai.

Në Gaza, raportet ndërkombëtare flasin për rreth 50 mijë viktima, shumë prej të cilëve civilë – gra e fëmijë. Qindra mijëra të tjerë janë zhvendosur dhe qyteti pothuajse është rrafshuar nga bombardimet.

Por, Gjermania është aktive kur bëhet fjalë për ta përkrahur Gjykatën Speciale në gjykimet për UÇK-në, përtej kritikave të mëdha për punën e saj dhe shkeljet e mëdha të bëra në procese gjyqësore e procedura të tjera.

Një gjyqtar gjerman është pjesë e panelit në gjykimin kundër krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Christoph Barthe merr shpesh shumë kohë në pyetjet e tij për dëshmitarët dhe kohë pas kohe duket i rreptë kundër ekipeve mbrojtëse. Në një situatë madje fliste për thashethemet e jo të vërtetat që ishin në kohën e luftës në Kosovë.

Një gjerman tjetër është ambasador në Prishtinë dhe ai flet me shumë zell në mbrojtje të Gjykatës Speciale. Madje reagoi edhe kur rreth 100 mijë njerëz mbushën sheshet e Prishtinës në “Marshin për Drejtësi”, organizuar më 2 prill 2023.

Në gjykimin kundër krerëve të UÇK-së, aktakuza përfshin 100 viktima, të vrarë ose ndaluar – e asnjëri në mënyrë direkte nga katër të akuzuarit.

Më 16 dhjetor 2020, kur ishte bërë më shumë se një muaj nga arrestimi i krerëve të UÇK-së, ambasadori gjerman Joern Rohde fliste në intervista në përkrahje të Gjykatës Speciale dhe për nevojën që krimet të mos mbesin të pandëshkuara.

“Gjermania, si të gjitha shtetet anëtare të BE-së, e ka përkrahur plotësisht vendimin e miratuar në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës me dy të tretat e votave për themelimin e Dhomave të Specializuara dhe e përkrah atë edhe më tej fuqishëm. Rëndësi ka që krimet ndaj personave civilë të mos mbeten të pandëshkuara, as kur ato kryhen në luftë, as pas luftës… Dhomat e Specializuara janë themeluar me qëllim që të mos ketë pandëshkueshmëri për krimet e kryera. Këtë ua kemi borxh familjarëve dhe ky është qëllimi i një procesi të sundimit të ligjit. Tani është detyrë e gjykatës për të kontribuar në mënyrë vendimtare në zbardhjen e këtyre krimeve”, kishte thënë ai në një intervistë për Bota Sot.

I njëjti kishte reaguar kur u dënua Salih Mustafa. Për më tepër e quante dënim që e forcon drejtësinë. “Gjykim i rëndësishëm sot që forcon shtetin e së drejtës. Ky është një aktgjykim ndaj një individi për kryerjen e krimeve të rënda të luftës, jo një aktgjykim ndaj UÇK-së. Po aq e rëndësishme është vendosja e drejtësisë për viktimat – pa mosndëshkim,” kishte shkruar Rohde.

Mustafa u dënua për një vrasje që në fakt nuk u vërtetua se e ka bërë ai apo grupi i tij. Për më tepër ky reagim i ambasadorit ishte shumë i hershëm, pasi ishte vendimi vetëm i shkallës së parë. Si do të reagonte ambasadori nëse Mustafa do të lirohej në shkallën e dytë?

Ky ambasador kishte qenë mikpritës për presidenten e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova – sikur ajo të ishte një zyrtare politike apo diplomate e jo një njeri i drejtësisë.

Kjo kishte ndodhur në tetor 2024, kur Trendafilova bëri një vizitë në Kosovë.

“Gjithmonë një kënaqësi për t’u takuar me presidenten e Dhomave të Specializuara. Theksova kontributin thelbësor të Dhomave… për forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë dhe riafirmova mbështetjen e fortë të Gjermanisë për punën e tyre si edhe për një fond kompensimi të viktimave për të garantuar drejtësi të barabartë për të gjithë”, kishte shkruar Rohde.

Po ky ambasador duket se nuk e kishte pritur edhe shumë mirë marshin për drejtësi në Prishtinë, ku rreth 100 mijë veta dolën në një reagim në përkrahje të krerëve të UÇK-së.

‘‘E drejta për të demonstruar është thelbësore në çdo demokraci, dhe manifestimi i djeshëm në Prishtinë tregoi një shoqëri civile të lulëzuar në Kosovë. Por dua të ritheksoj: Nuk është UÇK-ja ajo që po gjykohet… por individët që akuzohen për d.m.th. krime të rënda lufte/krime kundër njerëzimit, zhdukje të personave dhe tortura. Drejtësia për viktimat mbetet e rëndësishme – pa mosndëshkim për askënd. Dhomat e Posaçme kanë mbështetjen më të plotë’’, pati shkruar Rohde.

Ky zell i Gjermanisë për gjykim kundër UÇK-së ishte shprehur edhe në fazat e mëhershme nga nivele edhe më të larta. Në vitin 2015, Frank-Walter Steinmeier, asokohe Ministër i Jashtëm:

“Kosova i detyrohet historisë së saj dhe gjeneratave të saj të reja, që shpresojnë se kanë një të ardhme të gjatë dhe të begatë përpara tyre, që të merren me çështjet e pazgjidhura përmes Gjykatës Speciale. Unë mund të them vetëm nga përvoja jonë gjermane se ne e dimë se përpunimi i historisë përbën bazën e vetme për një perspektivë të pjekur të së ardhmes”, kishte thënë ai.

E nga zyrat politike në ato të drejtësisë, një gjerman tjetër është aktiv në gjyqin kundër krerëve të UÇK-së. Gjyqtari Christophe Barthe duket aktiv në pyetje dhe shpesh edhe konfliktuoz me mbrojtjen.

Kur po e pyeste një dëshmitar, Rrustem Tetajn, gjermani insistoi 5 herë në një pyetje, “nëse ka pasur rrëmbime nga UÇK-ja”, ani pse dëshmitari përgjigjej negativisht ose se nuk kishte njohuri. Në një rast, gjermani e pyeti për thashethemet e asaj kohe.

“Çfarë ishin thashethemet, sipas këtyre thashethemeve, këta persona po i rrëmbente UÇK-ja, forcat serbe, kush?”, pyeti gjyqtari gjerman sërish!

Në një tjetër rast, teksa avokatja e Jakup Krasniqit, Venkatesëari Alagendra, po e merrte në pyetje Bislim Zyrapin, ish-shefin e Shtabit të UÇK-së, Barthe ndërhyri me një shprehje nervoze në fytyrë, duke bërë pyetje shtesë, ani pse të njëjtat mund t’i bënte kur të ishte koha e tij. Tendenca e këtij në këtë rast ishte të dinte nëse në një takim të Krasniqit në vitin 1998 me disa ndërkombëtarë, Zyrapi ishte në zyrë apo diku më larg.

Ky gjyqtar, që nuk është i vetmi i rënë në sy për mënyrën e bërjes së pyetjeve, shpesh në kohën e tij, një pjesë të madhe të çështjeve i shpenzon edhe rreth uniformave të UÇK-së apo veshjes së të akuzuarve gjatë luftës.

Më shumë se katër vjet, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi po përballen me një gjykim që në thelb ka krimet e pretenduara nga UÇK-ja. Pika 35 e aktakuzës i portretizon këta si ndërmarrje e përbashkët kriminale dhe pjesë të kësaj ndërmarrjeje i përshkruan të gjithë njerëzit e UÇK-së, pra deri te ushtari më i thjeshtë. Një mori ankesash nga mbrojtja dhe opinioni publik janë shprehur për shkelje të të drejtave të të akuzuarve, favorizim të prokurorisë, mosverifikim të provave që burojnë nga Serbia.

Në Hagë kanë defiluar shumë dëshmitarë dhe më shumë se gjysma e tyre kanë qenë tërësisht të mbyllur. Prokuroria po e përfundon rastin dhe nëse mbrojtjet nuk kanë dëshmitarë për të paraqitur në gjykatë, do të pritet vetëm edhe vendimi i panelit, i cili mund të marrë kohë edhe deri në një vit. /Lajmi.net/