​“Kurti të reflektojë dhe të dorëzojë dorëheqjen në sekretariatin e Kuvendit”

Kryeministri dhe ministrat në detyrë të cilat janë zgjedhur deputetë duhet të reflektojnë dhe të dorëzojnë dorëheqjet te kryesuesi i seancës dhe sekretariati i Kuvendit të Kosovës, thotë avokati Ardian Bajraktari. Ai thekson se sistemi kushtetues i vendit, nuk lejon që dikush të mbajë në të njëjtën kohë edhe pozitën e deputetit edhe të anëtarit…

Lajme

17/04/2025 11:49

Kryeministri dhe ministrat në detyrë të cilat janë zgjedhur deputetë duhet të reflektojnë dhe të dorëzojnë dorëheqjet te kryesuesi i seancës dhe sekretariati i Kuvendit të Kosovës, thotë avokati Ardian Bajraktari.

Ai thekson se sistemi kushtetues i vendit, nuk lejon që dikush të mbajë në të njëjtën kohë edhe pozitën e deputetit edhe të anëtarit të ekzekutivit.

Deputetët e zgjedhur nuk arritën më 15 prill të miratojnë raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe kuorumit.

Partitë që deri më tash ishin në opozitë kërkuan nga qeveria në detyrë që të ofrojë dorëheqje formale.

Gjatë kohës sa mbahej seanca, u publikua letra e Albin Kurtit përmes së cilës e njoftonte kryetarin e Kuvendit se kishte dhënë dorëheqje. Aty thuhej se qeveria ishte në dorëheqje nga dita kur i kishte përfunduar mandati – më 23 mars.

Bajraktari thotë se letra është dërguar “në adresë të gabuar”.

“Sistemi ynë kushtetues, përkatësisht Kushtetuta e vendit nuk lejon në të njëjtën kohë që dikush të jetë edhe deputet i Kuvendit të Kosovës edhe anëtar i ekzekutivit…Do të duhej dhënë dorëheqje dhe në këtë drejtim e vlerësoj që akti i tillë, natyrisht që i është drejtuar personit jo të duhur, për faktin se nga momenti i certifikimit të rezultateve, në referencën të nenit 70 paragrafit 2 të Kushtetutës, Konjufca është deputet i zgjedhur si të gjithë të tjerët të zgjedhur në legjislaturën e nëntë. Vlerësoj që një letër e tillë, do të duhej t’i drejtohej kryesuesit teknik të seancës, të njoftohet edhe sekretaria e Kuvendit”, thotë Bajraktari.

PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja kujtuan Ligjin për Qeverinë dhe theksuan se dorëheqjet duhet të dorëzohen një ditë para certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve.

KQZ-ja i certifikoi rezultatet më 27 mars 2025.

“Pavarësisht se është e vonuar[dorëheqja], besoj që kryeministri në detyrë, përkatësisht tash deputet i zgjedhur, të reflektojë dhe ta dërgojë letër dorëheqjen siç kërkohet, t’ia drejtojë personit të duhur dhe natyrisht detyrat dhe përgjegjësitë e qeverisë në detyrë, të kalojnë tek zëvendëskryeministri, i cili natyrisht nuk është deputet i zgjedhur dhe gjithë të tjerët që janë aktualisht me pozicion të ushtruesit të detyrës”, ka shtuar Bajraktari.

Deputetët e zgjedhur do të mblidhen edhe sot më 17 prill për të vazhduar seancën konstituive.

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari i dërgoi letër presidentes më 16 prill përmes së cilës i kërkoi sugjerime për veprime tutje.

Presidentja kujtoi rregulloren e Kuvendit dhe tha se seanca duhet të vazhdojë brenda 48 orësh.

Konstituimi i Kuvendit do t’i hapte rrugë votimit të kryeparlamentarit e më pas qeverisë së re.

Deri më tash, LVV-ja si parti fituese nuk e ka bërë të ditur emrin që do ta propozojë për kryetar të Kuvendit dhe as nëse i ka numrat për ta votuar atë.