Shala: Letra e Kurtit s’është dorëheqje – Qeveria në detyrë vazhdon deri në zgjedhjen e një të reje
Hulumtuesi i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Gëzim Shala, lidhur me dështimin e seancës konstituive dhe funksionimin e Qeverisë në detyrë, ka theksuar se problemi buron nga Ligji për Qeverinë, i cili sipas tij ka cilësi të dobët dhe nuk arrin ta qartësojë në mënyrë të duhur procesin e dorëheqjes së anëtarëve…

Lajme
Hulumtuesi i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Gëzim Shala, lidhur me dështimin e seancës konstituive dhe funksionimin e Qeverisë në detyrë, ka theksuar se problemi buron nga Ligji për Qeverinë, i cili sipas tij ka cilësi të dobët dhe nuk arrin ta qartësojë në mënyrë të duhur procesin e dorëheqjes së anëtarëve të Qeverisë që janë zgjedhur si deputetë.
Shala ka potencuar se, sipas interpretimit të përgjithshëm juridik, kryeministri dhe ministrat që janë zgjedhur deputetë nuk kanë nevojë të japin dorëheqje ditën e certifikimit të mandatit, por vetëm në momentin kur betohen si deputetë.
“Një problem do të thotë që lidhet me çështjen e dorëheqjes, është reflektuar në Ligjin për Qeverinë dhe është problematik dhe cilësi e dobët e këtij ligji të qeverisë. Për shkak se ligji supozohet se e lehtëson zbatimin e kushtetutës dhe jo thjesht i mbart dispozitat e kushtetues dhe me i vendos në ligj. Tash në kuptim të interpretimit të përgjithshëm, kryeministri dhe ministrat që janë zgjedhur si deputet nuk kanë nevojë që të japin dorëheqja në ditën e certifikimit deri në momentin kur ata betohen si deputet”, ka deklaruar ai në Dukagjin.
Ai ka theksuar se Qeveria në detyrë duhet të vazhdojë funksionimin si institucion, derisa të zgjidhet një qeveri e re, dhe se ky funksion nuk mund të ngatërrohet me rolin individual të kryeministrit.
“Momenti juridik kur ata obligohen që ta japin dorëheqje është momenti i dhënies së betimit si deputet. Nëse e shohim materien e letrës përmes së cilës kryeministri pretendon të ketë dhënë dorëheqje, në fakt ajo nuk është dorëheqje. Aty ka një interpretim përmes së cilit Kurti tenton që të thotë se gjendja aktuale, pozita aktuale e tij në kuptimin juridik e bën atë të dorëhequr. Por nuk është kështu, për shkak se qeveria duhet të vazhdojë deri kur të ketë një qeveri tjetër. Por qeveria në detyrë është kuptim i ndarë nga kryeministri si bartës i postit të kryeministrit”, ka theksuar ai.
“Në këtë situatë kërkohet që në momentin e dhënies së betimit si deputet mos të ketë interpretime të tilla se ne jemi në detyrë por shumë e thjesht tërhiqemi nga qeveria, dhe qeveria në detyrë si institucion jo si individ vazhdon përmbushjen e detyrave deri në përzgjedhjen e qeverisë së re”, ka deklaruar tutje ai.