Dobruna thotë se u largua nga një konferencë në Shqipëri, pasi Kosova paraqitej me fusnotë

Zëvendësministri në detyrë i Financave, Agon Dobruna ka njoftuar se është larguar nga një konferencë që është mbajtur në Tiranë javën e kaluar. Sipas tij, arsyeja e largimit të tij ishte për shkak se Kosova është paraqitur me fusnotën e “Rezolutës 1244 të OKB-së”. Dobruna thotë se një gjë e tillë është e papranueshme, teksa…

Lajme

14/04/2025 20:28

Zëvendësministri në detyrë i Financave, Agon Dobruna ka njoftuar se është larguar nga një konferencë që është mbajtur në Tiranë javën e kaluar.

Sipas tij, arsyeja e largimit të tij ishte për shkak se Kosova është paraqitur me fusnotën e “Rezolutës 1244 të OKB-së”.

Dobruna thotë se një gjë e tillë është e papranueshme, teksa tregon se Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë nuk kishin reaguar dhe as nuk kishin ndryshuar qasje.

“Ngjarja kishte për qëllim nënshkrimin e Deklaratës së Angazhimit nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe më gjërë, për të forcuar bashkëpunimin rajonal në fushën e të drejtave të fëmijëve dhe për të avancuar qasjen ndaj kujdesit dhe shërbimeve gjithëpërfshirëse për fëmijët.

Megjithatë, mënyra si u trajtua përfaqësimi i Kosovës ishte thellësisht zhgënjyese dhe e papranueshme për një shtet sovran, që kontribuon në mënyrë aktive dhe të barabartë në këto procese.

Pavarësisht kërkesës sonë të qartë dhe të drejtpërdrejtë për të korrigjuar këtë paraqitje, ajo u injorua, duke shkelur frymën e bashkëpunimit, respektit dhe barazisë që promovon vetë konferenca.

Kosova është një realitet i pamohueshëm ndërkombëtar. Ne jemi të përkushtuar thellësisht për të garantuar të drejtat e fëmijëve tanë, për të ndërtuar sisteme sociale gjithëpërfshirëse dhe për të kontribuar në paqe e stabilitet në rajon. Por kjo nuk mund të bëhet duke na mohuar subjektivitetin shtetëror, përmes një fusnote që bie ndesh me të vërtetën dhe me miqësinë që presim nga shtetet që na qëndrojnë pranë.

Përdorimi i fusnotës në këtë kontekst nuk është një çështje procedurale – është një çështje e dinjitetit kombëtar, e respektit dhe e trajtimit të barabartë, veçanërisht kur organizatori është një vend mik i Republikës sonë”, thuhet në reagimin e tij.