Shtrenjtimi i rrymës, KMDLNJ: Duhet të kërkohet shkarkimi i Bordit të ZRRE-së
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNJ) ka reaguar pas vendimit për shtrenjtimin e rrymës 16.1 për qind, duke thënë se duhet të kërkohet shkarkimi dhe përgjegjësi penale për Bordin e ZRRE-së, si dhe të hetohet importimi i energjisë elektrike. Në reagim, KMDLNJ propozon që qytetarët të protestojnë në të…

Lajme
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNJ) ka reaguar pas vendimit për shtrenjtimin e rrymës 16.1 për qind, duke thënë se duhet të kërkohet shkarkimi dhe përgjegjësi penale për Bordin e ZRRE-së, si dhe të hetohet importimi i energjisë elektrike.
Në reagim, KMDLNJ propozon që qytetarët të protestojnë në të gjitha qytetet e vendit kundër shtrenjtimit të rrymës, pasi në mënyrë zinxhirore do të rrisë të gjitha çmimet e artikujve të domosdoshëm për mbijetesë sikur edhe të gjitha shërbimeve.
Përkundër kundërshtimit të qytetarëve kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike, ZRRE sot mori vendim që faturat të jenë 16.1 për qind më të larta.
Kundër shtrenjtimit të rrymës ka pasur reagime të shumta nga profesionistë të fushës , oda ekonomike dhe biznese , nga pensionistë dhe kategori sociale, media dhe organizata për mbrojtje të konsumatorit dhe të drejtave të njeriut, por janë shpërfillur nga qeveria në detyrë dhe ZRRE-ja.
“Qytetarët e Kosovës duhet të marrin shembull nga shtetet më të zhvilluara evropiane që për raste shumë më të lehta se ky veprim kriminal i ZRRE-së, bënë protesta të përditshme dhe të fuqishme deri sa rrëzuan edhe qeveri e lëre më dorëheqje ministrash. Në Hungari vetëm sa u shtrenjtuan thuaja simbolikisht shërbimet për internet, e tërë Hungaria u përfshi në demonstrata dhe u krijua gjendja e jashtëzakonshme. Protestat në Kosovë duhet të kenë karakter ekonomik dhe social dhe duhet të përfshijnë të gjitha kategoritë e qytetarëve, pavarësisht përkatësisë etnike, fetare, moshës, gjinisë, statusit në shoqëri apo bindjeve politike. Duhet të kërkohet shkarkimi dhe përgjegjësi penale për ZRRE-në, ministren në detyrë sikur edhe të hetohet importimi i energjisë elektrike shkaku se ka dyshime se rryma është shitur lirë nga Kosova dhe është blerë me çmime shumë të larta”, thuhet në reagim.
KMDLNJ po ashtu kërkon kompensimin e parave gjatë periudhës 15- vjeçare për qytetarët e Kosovës për rrymën e shpenzuar në veri, si dhe të eliminohet taksa fikse prej 2 eurove për mbi 500.000 njehsorë në Kosovë, për të cilën nuk ka bazë ligjore.
“Qytetarët e pakënaqur nuk duhet ta përjashtojnë as grevën e urisë në mbrojtje të mbijetesës së tyre kundër keqbërësve të cilësdo qeveri dhe instrumentit të saj ZRRE-së. KMDLNJ ka përkrahur dhe do të përkrahë çdo protestë apo mënyrë tjetër të kundërshtimit qytetar, në mbrojtje të dinjitetit, statusit ekonomik dhe social”.