​Sllavko Simiq intervistohet për sulm ndaj gazetarëve

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka intervistuar sot në cilësinë e të pandehurit Sllavko Simiq, deputet nga Lista Serbe, me dyshimin se ka kryer veprën penale pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi. Simiq dyshohet se më 16 qershor 2023, gjatë protestave kundër vizitës së ish-ministrit për Administrim të Pushtetit Lokal Elbert Krasniqi në…

Lajme

11/04/2025 18:23

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka intervistuar sot në cilësinë e të pandehurit Sllavko Simiq, deputet nga Lista Serbe, me dyshimin se ka kryer veprën penale pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi.

Simiq dyshohet se më 16 qershor 2023, gjatë protestave kundër vizitës së ish-ministrit për Administrim të Pushtetit Lokal Elbert Krasniqi në Leposaviq, ka dhënë urdhër që të sulmohen gazetarët, dhe me këtë ka kryer veprën penale për të cilën është intervistuar në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë.

Policia e Kosovës kishte njoftuar atë kohë se 9 gazetarë në Leposaviq janë sulmuar dhe se disa prej tyre kanë pësuar edhe lëndime trupore, si dhe kanë pranuar trajtim mjekësor.

Po ashtu, sipas policisë, ekipeve të mediave iu janë dëmtuar pajisje të ndryshme të xhirimeve.

Komunikata:

Intervistohet si i pandehur një deputet i Kuvendit të Kosovës për sulmet ndaj gazetarëve në vitin 2023 në Leposaviq

Mitrovicë, 11 prill 2025 – Prokuroria Themelore në Mitrovicë njofton opinionin publik se i është marrë deklarata në cilësinë e të pandehurit personit me iniciale S.S., deputet i posa zgjedhur i Kuvendit të Kosovës, me dyshimin se ka kryer veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi”, nga neni 404 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

I pandehuri S.S., dyshohet se me datë 16 qershor 2023, gjatë protestave kundër vizitës së ish-ministrit E.K., në Leposaviq, ka dhënë urdhër që të sulmohen gazetarët, dhe me këtë ka kryer veprën penale për të cilën është intervistuar në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë.