Hoti deklarohet: Ne i kemi dhënë besimin e plotë kryetarit – Kur jepet besimi i plotë, kërkohet edhe përgjegjësi e plotë

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka folur për pakënaqësitë e tij në lidhje me rezultatin zgjedhor të LDK-së. Ai ka kërkuar reflektim të organeve të partisë, duke i shpallur zgjedhjet e brendshme partiake. Hoti ka thënë në LDK nuk ka vend për grupime apo fraskione. Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, nuk është shprehur i kënaqur…

Lajme

11/04/2025 15:18

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka folur për pakënaqësitë e tij në lidhje me rezultatin zgjedhor të LDK-së. Ai ka kërkuar reflektim të organeve të partisë, duke i shpallur zgjedhjet e brendshme partiake. Hoti ka thënë në LDK nuk ka vend për grupime apo fraskione.

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, nuk është shprehur i kënaqur me rezultatin e LDK-së në zgjedhjet e 9 shkurtit.

Për këtë rezultat, ai ka kërkuar reflektim dhe përgjegjësi politike nga organet partiake.

Ish-kryeministri i Kosovës ka vlerësuar se reflektimi duhet të realizohet përmes një riorganizimi të LDK-së.

Ai ka treguar se ky riorganizim mund të bëhet vetëm përmes një procesi zgjedhor të brendshëm.

Sipas tij, ky proces duhet të jetë gjithëpërfshirës, transparent, statutar dhe vizionar.

Deputeti Hoti ka bërë me dije se LDK-ja duhet të veprojë ashti siç ka bërë në vitin 2021, pas zgjedhjet të shkurtit.

Duke folur për pakënaqësitë në lidhje me rezultatin e zgjedhjeve të fundit, ai ka thënë se kritikat e tij nuk duhet të shihen si ambicie të tij personale.

Në këtë intervistë, ai ka folur edhe për kritikat e zyrtarëve të LDK-së ndaj tij dhe qëndrimet e kësaj partie në raport më LVV-në dhe partitë opozitare.

Nacionale: Z. Hoti, në zgjedhjet e 9 shkurtit LDK-ja është renditur si partia e tretë, kurse ju si kandidat për deputet në mesin e më të votuarve në këtë parti. Si e vlerësoni këtë rezultat?
Hoti: Pas katër vitesh në opozitë, ky rezultat nuk është i kënaqshëm. Por ky është vullneti i qytetarëve për LDK-në dhe ne duhet ta pranojmë atë. Ne tani duhet të debatojmë intenzivisht për shkaqe që sollën këtë rezultat dhe për rrugën tonë përpara, siç bëmë në vitin 2021.

Nacionale: Cila është përgjegjësia e lidershipit të partisë për rezultatin?

Hoti: Në çdo garë politike, përgjegjësia për rezultatin zgjedhor nis nga zyrtari i parë i LDK-së në kontakt me qytetarë, që është anëtari i Kryesisë së Nëndegës në lagje të qyteteve e në fshatra, e përfundon tek Kryetari i LDK-së si përgjegjësi kryesor. Ne i kemi dhënë autorizime të plota Kryetarit të LDK-së për të organizuar partinë që nga viti 2021 e këndej. I kemi dhënë besimin dhe mbështetjen e plotë për vendimet e tij në funksion të përgatitjeve për këto zgjedhje. Kur jepet besimi i plotë, kërkohet edhe përgjegjësi e plotë.

Nacionale: Në një qëndrim tuajin në “Facebook”, ju keni shprehur disa kritika ndaj udhëheqjes së partisë. Çka nuk bëri si duhet lidershipi i LDK-së në këto zgjedhje?
Hoti: Rezultati zgjedhor na ka treguar se ndryshimet që bëmë në LDK në 2021, pastaj zgjedhjet partiake në 2023, opozita 4-vjeçare në Kuvendin e Kosovës, si dhe programi e fushata zgjedhore e këtij viti nuk i kanë bindur qytetarët të na kthejnë besimin. Ne tani e ndjejmë përgjegjësinë për këtë rezultat zgjedhor, dhe natyrshëm kërkojmë debat veprim, siç kemi vepruar edhe në vitin 2021. Deklarimi që kam bërë para disa jave ka pasur këtë qëllim – reflektim dhe dakordim i përbashkët për rrugën përpara të LDK-së. Kemi diskutuar në Kryesi të LDK-së, kemi takuar aktivistë të shumtë që janë të dëshpëruar me rezultatin dhe të dëshpëruar me disa vendime që kemi marrë.

Nacionale: A i keni shprehur këto shqetësime edhe në organet e partisë dhe, nëse po, cili ka qenë reagimi i kryetarit të LDK-së?
Hoti: Qëndrimin që e kam bërë publik e kam prezantuar në terma të përgjithshëm së pari në Kryesinë e LDK-së. Unë insistoj dhe angazhohem që të punojmë së bashku për tu riorganizuar si parti, duke filluar nga nëndega e deri tek lidershipi i partisë. E kam bërë të qartë në Kryesinë e LDK-së se të gjithë e kemi bërë maksimumin, por rezultati zgjedhor na ka treguar se përpjekjet tona nuk kanë qenë të mjaftueshme për të bindur qytetarët. Prandaj, nuk ka rrugë tjetër përpos reflektim dhe riorganizim të strukturave partiake në të gjitha nivelet.

Nacionale: Ndër të tjera, ju jeni ankuar edhe për votat me postë të diasporës, disa kandidatë të kësaj partie kanë marrë numër të madh të votave. Në një komunikim të brendshëm të LDK-së, i cili është publikuar nga mediat, ish-shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, thotë se kjo ka qenë një “skemë kriminale”. A dyshoni se ka pas një skemë të tillë apo orientim të votës së diasporës nga partia?
Hoti: Nga analiza e shpërndarjes së votave nga votimi në Kosovë dhe votimi në diasporë vërehen dy fenomene. I pari, votat për LVV-në nga votimi në ambasada e konsullata janë tepër joproporcionale krahasuar votat që ky subjekt ka marrë nga votimi në Kosovë. I dyti, disa kandidatë të listës së LDK-së janë votuar joproporcionalisht krahasuar me votat e tyre nga votimi në Kosovë. Në të dy rastet, shpërputhjet nuk janë të natyrshme. Vlerësoj se është krijuar pasiguri në procesin zgjedhor, me pasoja edhe për të ardhmen.

Nacionale: Pas qëndrimit tuaj dhe publikimit të disa bisedave në mes të zyrtarëve të LDK-së, njerëzit e afërt të z. Abdixhiku, ju kanë kritikuar juve, duke thënë se po e sulmoni LDK-së. Si i ke parë këto kritika?
Hoti: Është e drejtë e secilit të shprehet, siç është e drejtë edhe e imja. Por më duhet të them disa prej ato reagimeve nuk janë në frymën e LDK-së, si parti e themeluar për të mbrojtur fjalën e lirë, lirinë e mendimit dhe liritë individuale e kolektive. Unë gjithashtu kam vërejtur se reagimet e tyre nuk kanë qenë ndaj argumenteve të mia për rezultatin e dobët zgjedhor. Tentoj të besoj se edhe kolegët e mi janë të bindur se mbyllja e debatit dhe ikja nga përgjegjësia nuk i shërben LDK-së. Përkundrazi, e pengon LDK-në të konsolidohet për të kthyer besimin e qytetarëve. Ne jemi në prag të zgjedhjeve lokale dhe duhet të dalim para qytetarëve me besim e me sinqeritet, duke ua bërë me dije se e kemi kuptuar mesazhin që na dhanë më 9 shkurt 2025, siç bëmë edhe në vitin 2021.

Nacionale: Madje, nënkryetarja e LDK-së, zonja Kica-Xhelili, ju ka renditur në grupin që jeni kundër reformave në LDK dhe që ju shërbeni grupeve që janë kundër LDK-së. Cili është qëndrimi i juaj për këto kritika?
Hoti: Përgjigjen besoj se e dhashë më lartë. LDK-ja, si parti e fjalës së lirë, nuk guxon të kthehet në një parti ku sulmohet kritika e mendimi ndryshe. Kjo qasje dëshmon mungesën e kulturës demokratike dhe përbën deformim të vlera politike të LDK-së. Një mentalitet i tillë nuk duhet të bartet në shtëpinë e demokracisë politike në Kosovë – LDK.

Nacionale: Në qëndrimin tuaj, ju keni kërkuar që LDK-ja të reflektojë karshi rezultatit të zgjedhjeve të 9 shkurtit. Çka nënkupton kjo?
Hoti: Thirrja ime është për reflektim për rezultatin zgjedhor, siç kemi reflektuar në vitin 2021. Thirrja ime është për të marrë përgjegjësi politike, siç kemi marrë përgjegjësi në vitin 2021. Thirrja ime është për veprim, siç kemi vepruar në vitin 2021.

Nacionale: Për të kthyer besimin e anëtarësisë dhe elektoratit keni thënë se LDK-ja ka nevojë për lidership të ri. A nënkupton kjo se LDK-ja duhet t`i shpallë zgjedhjet e brendshme?
Hoti: Pas këtij rezultati zgjedhor, është koha për të rindërtuar besimin. Unë besoj fuqishëm se LDK mund të fitojë, dhe ka mundur të fitojë edhe në këto zgjedhje që sapo u përmbyllën. Ne tani duhet të ndryshojmë duke u riorganizuar në një proces zgjedhor partiak gjithëpërfshirës, transparent, statutar dhe vizionar, bazuar në një platformë që organikisht i integron në LDK të rinjtë e profesionistët, gratë e burrat, që i bën bashkë të gjitha copat e LDK-së, që rikrijon kohezionin e brendshëm.

Besoj fuqishëm se Kosovës i duhet një LDK e tillë, që fuqizon parimet burimore të saj si parti demokratike, shtetformuese, e hapur, dinamike, properëndimore, siç e kanë menduar dhe ideuar themeluesit e saj. Unë personalisht jam i vendosur të punojë për një LDK të tillë. Në LDK nuk ka vend për grupime apo fraskione. Unë bëj ftesë dhe lutje për kohezion partiak. LDK-ja është organizatë me interes publik. Prandaj, është e natyrshme të shohim kaq shumë reagime publike për zhvillimet në LDK. Të gjithë anëtarët e LDK-së e kemi për obligim ta ruajmë LDK-në si një parti që udhëhiqet vetëm nga interesi shtetëror.

Nacionale: Nëse shpallen zgjedhjet, a do të konkurroni ju për kryetar të partisë?
Hoti: Shumë personalitete në LDK e kanë përvojën e nevojshme, pasi i kanë shërbyer Kosovës në kohë sfiduese me përkushtim e profesionalizëm, duke vendosur gjithmonë interesin shtetëror në rend të parë. Në asnjë formë kritikat e mija nuk duhet të kuptohen si ambicie personale. Besoj se këtë e kam dëshmuar ndër vite. Në këtë periudhë, e rëndësishme për LDK-në është ruajtja e kohezionit të brendshëm. Si gjithmonë, edhe kësaj here, atë që kërkoj është kohezion i partisë dhe ndërtim i një ekipi gjithëpërfshirës e kompetent në një proces të gjerë konsultativ brenda LDK-së.

Nacionale: Z. Hoti, para fillimit të seancës konstituive të legjislaturës së nëntë, partitë politike kanë rikonfirmuar qëndrimet e tyre. VV-ja ka pranuar se nuk i ka votat për qeveri, kurse opozita ka bërë me dije se nuk do të bashkëpunon me VV-në. Cili duhet të jetë qëndrimi i partive opozitare për këtë çështje?
Hoti: Besoj se Kuvendi duhet të konstituohet më 15 prill. Secila parti duhet të sillet me përgjegjësi, në veçanti partia që është e para. Duhet të respektohet rendi kushtetues sa i përket konstituimit të të gjitha institucioneve. Në këtë proces nuk duhet të ketë asnjë taktizim për interesa partiake, por të ndiqet protokolli i veprimeve që shpie në dy rezultate: institucione të reja ose zgjedhje të reja.

Nacionale: Kryetari i LDK-së, z. Abdixhiku, ka treguar se nuk do t`i shkojë në takimin konsultativ me z. Kurti. A ka qenë veprimi i duhur i tij?
Hoti: Nuk besoj se ka hapësirë për bashkëpunim mes LDK-së dhe LVV-së pasi dallojmë në fundament në qasjet që kemi sa i përket zhvillimit ekonomik, partneritetit me aleatët, respektimit të rendit kushtetues, respektimit të lirisë së mediave, dialogut e çështje të tjera. Këto dallime janë vërtetuar edhe në koalicionin e shkurtë që kishim në pjesën e parë të vitit 2020, kur u detyruam të dalim nga ai koalicion. Atëherë u kritikuam shumë, por pas katër vitesh janë provuar të vërteta të gjitha arsyet për të cilat ne dolëm nga ai koalicion me LVV-në.

Nacionale: Deri me tani, z. Abdixhiku dhe rrethi i tij i ngushtë janë shprehur disi të rezervuar për bashkëpunimin me opozitën për të formuar qeverinë e re, nëse dështon VV-ja. Si i ke parë këto qëndrime të LDK-së?
Hoti: Ne jemi partia e tretë. Obligimin për formimin e institucioneve e ka partia e parë. Nëse ajo dështon, ky obligim i kalon partisë së dytë. Qytetarët nuk na ka kanë dhënë neve asnjërën nga këto përgjegjësi. LDK-ja obligimin primar duhet ta ketë reflektimin e brendshëm ndaj këtij rezultati zgjedhor. Për situata të tjera, duhet të mblidhemi si Kryesi dhe do t’i trajtojmë ato duke u udhëhequr nga interesi shtetëror i Kosovës.

Nacionale: Në deklarimet e tyre, këta zyrtarë kanë bërë me dije një bashkëpunim i tillë është i mundshëm vetëm nëse LDK-ja merr postin e kryeministrit. A duhet të kushtëzohet në këtë mënyrë mundësia që opozita të bëjë qeverinë e re?
Hoti: Besoj se kushtëzimi i bashkëpunimit me cilëndo parti duhet të bazohet fillimisht në objektiva programore për qeverisje. Sigurisht se edhe përgjegjësitë në institucione janë të rëndësishme, por ato vijnë pas dakordimit për objektiva programore. Ne e kemi dëshmuar që për interesa shtetërore jemi në ballë të përgjegjësisë. Asnjëherë nuk kemi ikur nga temat që janë vitale për vendin.