Ushtrimi për përmbytjet dhe situatat emergjente, Kosova merr pjesë me 17 anëtarë të AME-së

Agjencia e Menaxhimit te Emergjencave ka bërë të ditur se ekipi operacional i Kërkim-Shpëtimit në Ujëra Sipërfaqësorë, i përbërë nga 17 pjesëtarë, ka marrë pjesë në ushtrimin “FloodNorthAlb”, i cili është mbështetur nga Mekanizmi i Mbrojtjes Civile të Komisionit Evropian. Në njoftimin e lëshuar për media thuhet se ushtrimi është duke u zhvilluar nga data…

Lajme

09/04/2025 17:16

Agjencia e Menaxhimit te Emergjencave ka bërë të ditur se ekipi operacional i Kërkim-Shpëtimit në Ujëra Sipërfaqësorë, i përbërë nga 17 pjesëtarë, ka marrë pjesë në ushtrimin “FloodNorthAlb”, i cili është mbështetur nga Mekanizmi i Mbrojtjes Civile të Komisionit Evropian.

Në njoftimin e lëshuar për media thuhet se ushtrimi është duke u zhvilluar nga data 7 deri më 11 prill  në Shkodër.

“Ky ushtrim i rëndësishëm rajonal ku Kosova është pjesëmarrëse bazuar në marrëveshjen ndërshtetërore për ndihmë reciproke në rastet e fatkeqësive natyrore dhe fatkeqësive të tjera, i mbështetur nga Mekanizmi i Mbrojtjes Civile të Komisionit Evropian”.

“Ushtrimi “FloodNorthAlb” synon forcimin e bashkëpunimit dhe koordinimit ndërmjet agjencive të mbrojtjes civile në rastet e përmbytjeve, përmes simulimeve reale të situatave emergjente dhe aktivizimit të ekipeve operacionale në terren dhe mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile”, thuhet në njoftim.

Ndër tjera shtohet se përveç Kosovës dhe Shqipërisë, në ushtrim po marrin pjesë edhe agjencitë e mbrojtjes civile nga Greqia, Qipro, Bullgaria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Italia. Gjithashtu, disa shtete të tjera nga rajoni dhe Evropa po marrin pjesë në cilësinë e vëzhguesve.

“Ushtrimi po përcillet nga afër nga drejtuesit e agjencive homologe dhe zyrtarë të lartë nga shtetet pjesëmarrëse. Drejtori ekzekutiv i Agjencisë së Menaxhimit Emergjent,  Genc Metaj, ka vlerësuar lart angazhimin profesional të pjesëtarëve të ekipit të Kosovës, si dhe ka theksuar rëndësinë strategjike të pjesëmarrjes së Kosovës në këto ushtrime për rritjen e ndërveprimit të kapaciteteve operacionale dhe shkëmbimin e përvojave me vendet partnere”, thuhet në njoftim.

AME shton se pjesëmarrja në “FloodNorthAlb” është dëshmi e përkushtimit të Kosovës për të qenë pjesë aktive dhe kontribuuese në mekanizmat rajonalë dhe evropianë të reagimit ndaj fatkeqësive natyrore.