Hetimet për vrasjen e Ilaria Sulës: Dyshime për përfshirjen e dy shokëve të autorit
Dyshimet për një rrjet më të madh bashkëpunëtorësh në fshehjen e krimit të studentes shqiptare Ilaria Sula po thellohen. Jo vetëm nëna e autorit, Nors Marlapz, por edhe dy shokë të Mark Samson mund të kenë ndihmuar 23-vjeçarin filipinas në fazat pas vrasjes. Hetimet e deritanishme kanë zbuluar se e ëma e autorit ka pranuar…

Lajme
Dyshimet për një rrjet më të madh bashkëpunëtorësh në fshehjen e krimit të studentes shqiptare Ilaria Sula po thellohen. Jo vetëm nëna e autorit, Nors Marlapz, por edhe dy shokë të Mark Samson mund të kenë ndihmuar 23-vjeçarin filipinas në fazat pas vrasjes.
Hetimet e deritanishme kanë zbuluar se e ëma e autorit ka pranuar përfshirjen e saj në krim, duke fshirë gjurmët e gjakut në banesë dhe aktualisht po hetohet për bashkëpunim në fshehjen e kufomës.
Por sipas burimeve pranë grupit hetimor, dyshimet janë shtrirë edhe ndaj dy miqve të Samson. Dyshohet se ata ose kanë ndihmuar në asgjësimin e trupit të Ilarias, ose kanë qenë në dijeni të krimit dhe e kanë mbrojtur 23-vjeçarin duke mos raportuar ngjarjen.
Pista e hetimit është forcuar edhe nga analizimi i qelizave telefonike, të cilat tregojnë se celulari i viktimës ka vazhduar të jetë aktiv edhe pas vdekjes së saj. Mark Samson dyshohet se ka përdorur telefonin e Ilarias për të dërguar mesazhe drejt të afërmve dhe miqve të saj, me qëllim të krijimit të idesë se ajo ishte ende gjallë. Qelizat ku është kapur sinjali përputhen me zonën ku jetojnë dy të dyshuarit, të cilët janë marrë në pyetje. Ata kanë mohuar çdo përfshirje në këtë krim.
Hetuesit theksojnë gjithashtu faktin se Samson ka pasur vështirësi të tregojë vendndodhjen e saktë të trupit të viktimës, duke ngritur dyshime të mëtejshme mbi përfshirjen e një personi të tretë.
Në aktet e dosjes, gjyqtari hetues thekson: “Ekziston rreziku konkret që i dyshuari të ndërhyjë në provat. Telefoni i vajzës nuk është gjetur ende dhe dinamika e fshehjes së trupit nuk është e qartë, pikërisht për shkak të rolit të mundshëm të një personi tjetër.”
Pjesë e hetimit është dhe një postim i bërë në llogarinë e Instagramit të Ilarias më 31 mars 2025, ku shkruhej: “Jam mirë. Ju faleminderit të gjithëve”. Gjatë marrjes në pyetje, Samson e pranoi se kishte dërguar mesazhe në emrin e saj, por refuzoi të jepte sqarime për këtë postim në rrjetin social.
Hetimet vijojnë intensivisht, teksa policia ka kryer sërish kontrolle në banesën e autorit, në përpjekje për të zbardhur të plotë ngjarjen makabre që tronditi opinionin publik./euronews.al