Haxhiu: Kryeministri i ardhshëm do të jetë Albin Kurti- ose e bëjmë qeverinë, ose shkojmë në zgjedhje

Nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, pas përfundimit të takimit me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca është shprehur e bindur se Albin Kurti do të jetë sërish kryeministri i ri i Kosovës. Pyetja e njëjtë nga gazetarët iu drejtua edhe ministres së Drejtësisë, se pse ftesa për takim iu drejtua vetëm Lidhjes Demokratike të Kosovës…

Lajme

08/04/2025 13:30

Nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, pas përfundimit të takimit me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca është shprehur e bindur se Albin Kurti do të jetë sërish kryeministri i ri i Kosovës.

Pyetja e njëjtë nga gazetarët iu drejtua edhe ministres së Drejtësisë, se pse ftesa për takim iu drejtua vetëm Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). Teksa Haxhiu u shpreh se nuk përjashtohen edhe takime të tjera me parti të tjera në ditët në vazhdim.

“Është në fazën e konsultimeve me subjekte të ndryshme me qëllim të konsitutimit të Kuvendit dhe votimit të qeverisë. Në këtë drejtim të gjitha qëndrimet tona kanë qenë publike, transparente asnjë s’e kemi mbajtur fshehur. Prandaj, deri në seancën konstituive janë edhe shtatë ditë. Natyrisht që nuk e përjashtoj mundësinë që brenda këtyre shtatë ditëve do të ketë veprime tjera, do të ketë përpjekje të tjera për takime tjera. Në këtë rast, kryetari Kurti ka ftuar për takim LDK-në për nesër apo pasnesër. Janë dy ditë në disa orare”, ka thënë Haxhiu.

Haxhiu thotë se qeveria e re do të votohet së shpejti, derisa thotë se opozita nuk do ta ketë të mundur të formojë qeveri e vetme.

Si shkak i kësaj nënkryetarja e kësaj partie thotë se në rast mos votimi i qeverisë do të shkohet në zgjedhje.

“Ajo çka dihet tani për tani është emri i kryeministrit. Nuk dihen emrat e personave të tjerë që do të mbajnë pozicione tjera qoftë në qeveri qoftë në kuvend. Ajo që dihet është se kryeministri i ardhshëm do të jetë Albin Kurti dhe qeveria e ardhshme shumë shpejt do të votohet. Qeverinë mund ta bëjë Lëvizja Vetëvendosje dhe në anën tjetër nuk mendoj që mundet opozita ta bëjë qeverinë si e vetme. Prandaj, duke qenë kështu ose e bëjmë qeverinë ne ose shkojmë në zgjedhje. Dhe ne jemi të interesuar që ta bëjmë qeverinë”, ka theksuar Haxhiu.

Tutje Haxhiu ka folur edhe për pretendimet për manipulime për votat me postë (të mërgatës) nga zgjedhjet e 9 shkurtit për Kuvendin e Kosovës.

Sipas saj, secili person i përfshirë në këtë krim me votat e mërgatës duhet të jap përgjegjësi penale dhe politike.

“Nga asnjë çështje që ne kemi thënë kundrejt një subjekti politik nuk jemi tërhequr. Prokuroria Themelore në Prishtinë është duke bërë hetimet për procesin e votimit të mërgatës. Prokuroria ka kërkuar edhe nga KQZ dokumentacione përkatëse në raport me procesin e votimit të mërgatës tonë. Dhe për çfarëdo pyetje që keni ta adresoni në prokurori. Secili person i përfshirë në këtë krim me votat e mërgatës duhet të jap përgjegjësi penale dhe politike”, ka thënë Haxhiu. /Lajmi.net/