Nga “çfarë hajvanash” në “i nderuar”- Kurti i ofron disa orare në dispozicion që Abdixhiku t’i shkojë në takim
Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, njëherësh kryeministër në detyrë i ka dërguar një letër kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, përmes së cilës e fton për konsultime para konstitiumit të Kuvendit të Kosovës, seanca e cila do të mbahet më 15 prill. Në letrën e publikuar ndër të tjerash thuhet se “me…

Lajme
Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, njëherësh kryeministër në detyrë i ka dërguar një letër kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, përmes së cilës e fton për konsultime para konstitiumit të Kuvendit të Kosovës, seanca e cila do të mbahet më 15 prill.
Në letrën e publikuar ndër të tjerash thuhet se “me qëllim të konstituimit të plotë të Kuvendit të Kosovës dhe procesit të zgjedhjes së Qeverisë së re, për t’u konsultuar paraprakisht, ju ftoj në takim të mërkurën me datë 9 prill , në ora 15:00, apo të enjten me datë 10 prill në ora 09:00 ose në 14:00”.
Nuk dihet ende nëse të njëjtën letër Albin Kurti ua ka dërguar edhe krerëve të partive të tjera opozitare.
Në lidhje me këtë lajmi.net ka tentuar të marrë një përgjigje edhe nga partitë e tjera politike nëse kanë pranuar një ftesë të ngjashme por nuk ka pasur ende një deklarim .
E ajo çfarë bie në sy në letrën e Kurtit drejtuar Abdixhikut është gjuha e “zbutur”, ku i referohet si i nderuar e i ofron si mundësi orare të shumta të takimeve.
Kjo gjuhë e zbutur e Kurtit dallon shumë nga ajo ku në fakt Abdixhikut e të tjerëve nga opozita iu drejtohej si “hajvana”.
Duke e komentuar programin e tyre në fushatë zgjedhore, Kurti iu referua atyre si “hajvanë”.
“Keni parë çfarë rrenash prej premtimeve kanë dhënë: thojshin buxheti i shtetit do të bëhet ma i madh se bruto produkti vendor. Çfarë hajvanash. Ose jepshin premtime për koeficient më shumë se në programin e tyre. Çfarë hajvanash. Por ka kalu koha e hajvanatit. E kanë merr vesh sonte të gjithë ata”.
“Hajnat kanë me shku në burg, sepse qeky mandat është mandat i hekurudhave, digave, drejtësisë me Byro për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, me Prokurori Speciale kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dhe me Vetting në sistem të drejtësisë”, pati deklaruar ai.
Mbetet të shihet nëse kreu i LDK-së do t’i përgjigjet pozitivisht apo jo ftesës së Kurtit./Lajmi.net/