4 vrasje brenda tri dite në Kosovë – Ekspertët e sigurisë: “Kryeministri s’i përgjigjet Prokurorisë, qytetarët inkurajohen të mos i përgjigjen drejtësisë”

Kosova është tronditur gjatë tri ditëve të fundit, pas tri vrasjeve të cilat kanë ndodhur. Dy nga to në Vushtrri e një tjetër në kryeqytet, ku kanë humbur jetën 4 persona ndërsa një person tjetër ka mbetur i plagosur nga të shtënat e armës. Njohësit e sigurisë janë të shqetësuar me sigurinë në vendin tonë,…

Lajme

26/03/2025 20:58

Kosova është tronditur gjatë tri ditëve të fundit, pas tri vrasjeve të cilat kanë ndodhur. Dy nga to në Vushtrri e një tjetër në kryeqytet, ku kanë humbur jetën 4 persona ndërsa një person tjetër ka mbetur i plagosur nga të shtënat e armës.

Njohësit e sigurisë janë të shqetësuar me sigurinë në vendin tonë, ku performanca e dobët e institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë cilësohet si vetë cenimi i sigurisë publike në republikën e Kosovës.

“Kurti, nuk i është përgjigjur prokurorisë së shtetit, ky rast ka ndikuar jashtëzakonisht në sigurinë publike, ngase shumë qytetarët janë inkurajuar për të mos i përgjigjën institucioneve të drejtësisë”, tha për lajmi.net njohësi i sigurisë Bedri Elezi.

Elezi duke komentuar tutje mbi ngjarjet e fundit në vend, tha se dënimet që jep shteti jonë janë shumë të ulëta dhe po ashtu ka dyshime se mund të blihet liria dhe në bazë të kësaj këta persona edhe kryen vepra të rënda.

“Jemi dëshmitarë të asaj se dënimet janë shumë të ulëta, ka po ashtu dyshime se në Kosovë mund të blihet liria, dhe kështu shumë qytetarë të cilët e kanë konsideruar mundësinë e blerjes së lirisë kanë marrë veprime për kryerjen e veprave penale. Vlen të theksohet edhe fakti se shume persona me precedent penal janë lënë të lirë dhe po ashtu paraqesin rrezik serioz për sigurinë publike. Institucionet kompetente, duhet urgjentisht të ndërmarrin veprime konkrete operative për të siguruar një mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët”, tha ai.

Lajmi.net ka biseduar edhe me studiuesin e kriminalistikës dhe sigurisë, Drizan Shalën, ku ndryshe nga Elezi, Shala renditi disa pika se cilat masa duhet t’i ndërmerr shteti pas ngjarjeve të fundit që tronditën mbarë Kosovën.

Pika e parë sipas tij është: Forcimi i rendit dhe ligjit, past hetime të thella dhe transparente si dhe ofrimi i shërbimeve psikologjike dhe sociale për familjet e viktimave për t’i ndihmuar ata të përballojnë humbjen dhe traumën e përjetuar.​

    • Forcimi i rendit dhe ligjit: Është thelbësore që institucionet e sigurisë të intensifikojnë patrullimet dhe praninë e tyre në komunitete, veçanërisht në zonat ku ka pasur incidente të tilla. Kjo mund të ndihmojë në parandalimin e krimeve dhe në rritjen e ndjenjës së sigurisë tek qytetarët.​
    • Hetime të thella dhe transparente: Autoritetet duhet të kryejnë hetime të plota dhe transparente për të identifikuar shkaqet dhe rrethanat e këtyre vrasjeve, duke siguruar që drejtësia të vihet në vend dhe duke parandaluar raste të ngjashme në të ardhmen.​
    • Mbështetje për viktimat dhe familjet e tyre: Ofrimi i shërbimeve psikologjike dhe sociale për familjet e viktimave është i domosdoshëm për t’i ndihmuar ata të përballojnë humbjen dhe traumën e përjetuar.​

Shala tregoi se si duhet shteti të merret me raste të tilla dhe se sipas tij “një qasje e integruar që kombinon forcimin e ligjit, edukimin dhe mbështetjen sociale është thelbësore për të parandaluar raste të ngjashme në të ardhmen”.

“Kosova ka bërë përpjekje për të ndërtuar institucione të forta të sigurisë, këto incidente tregojnë se ka ende hapësirë për përmirësim. Është e rëndësishme që shteti të investojë në trajnimin e forcave të rendit, të forcojë bashkëpunimin me komunitetin dhe të zhvillojë politika që adresojnë shkaqet rrënjësore të dhunës.​ Pra si përfundim, ngjarjet tragjike në Vushtrri janë një thirrje për veprim për të gjitha institucionet dhe shoqërinë në tërësi. Një qasje e integruar që kombinon forcimin e ligjit, edukimin dhe mbështetjen sociale është thelbësore për të parandaluar raste të ngjashme në të ardhmen”, u shpreh Shala për lajmi.net.

Kujtojmë se të dielën, më 23 mars një 19 vjeçar ka humbur jetën pasi që i njëjti dyshohet se është vrarë nga një bashkëmoshatar i tij. Ngjarja ndodhi në rrugën ”Galip Badivuku” në Vushtrri dhe se dorasi u arrestua pas pak minutave nga Policia.

Pa u bërë plot 24 orë, Vushtrria u përgjak përsëri, shkruan lajmi.net.

Një person me inicialet A.M, i moshës 58 vjeçare fillimisht ka vrarë një grua me inicialet N.H të moshës 42 vjeçare e më pas edhe veten. Në lidhje me rastin, u deklaruan edhe nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë të cilët deklaruan se po intervistohen dëshmitarët.

Por si të mos mjaftonte me kaq, Prishtinë u tronditë dje në orët e vona nga një vrasje dhe një plagosje.

Në rrugën “Rrustem Hyseni” në lagjen 4 Llullat, u dëgjuan të shtëna armësh, nga të cilat një person vdiq e tjetri u plagos.

Viktima e këtij rasti është Naser Gashi i cili ndërroi jetë në QKUK, si pasojë e plagëve të marra, ndërsa i plagosur ka mbetur Miftar Miftari. I dyshuari për këtë rast i cili ende ndodhet në arrati është Alban Gashi.

Ndryshe, për ngjarjet tragjike që tronditën vendin, ka reaguar edhe kryeministri Kurti, ku ka kërkuar nga organet e ligjit angazhim maksimal, ndërsa tha se duhet të ketë analizë profesionale dhe reflektim shoqëror mbi gjithçka ka ndodhur në javën e fundit.

Kurti ka kërkuar një veprim të menjëhershëm nga institucionet, duke qenë se vendi është i tronditur nga këto seri vrasjesh.

“Dua të ndaj brengën e njëjtë me të gjithë ju në lidhje me katër vrasjet e regjistruara në tri ditët e fundit. Ftoj organet e rendit, hetuesisë që të trajtojnë me seriozitetin më të lartë shkaqet, rrethanat dhe predispozitat e dorasëve në mënyrë që edhe të vihet edhe drejtësi edhe të parandalohen akte të tilla. Vrasja është akti më i rëndë njeriu-njeriut, ajo asnjëherë nuk guxon të normalizohet. Vrasja është jo vetëm vrasje e njeriut, por edhe e shoqërisë në të cilën ai bënte pjesë, pra shoqërisë sonë. Gjithë vendi është tronditur dhe lënduar nga kjo seri e vrasjeve që duhet të ndalohet, ndalet, dënohet. Duhet natyrisht analizë e kujdesshme profesionale, veprim i menjëhershëm institucional, reflektim shoqëror që adreson dhunën që kemi parë në këto ditët e fundit. Kjo është thirrje për të gjithë ne. Edhe për faktin që këto vrasje ndodhën pikërisht në javën kur shënojmë 26-vjetorin e bombardimeve të NATO-s në Kosovë për ta ndalë gjenocidin e Serbisë dhe përkujtojmë masakrat e njëpasnjëshme të aparatit shtetëror të Serbisë që synonte shfarosjen e popullit shqiptar”, tha ai.

Sipas statistikave të fundit, del se 230 mijë armë pa leje janë në duart e kosovarëve./Lajmi.net/