Vrasjet e fundit në Kosovë, Haradinaj: Kosovën po e kthejnë në një shtet ku jeta dhe mirëqenia e qytetarëve janë jashtë kontrollit

Brenda tre ditëve ndodhën katër vrasje në Kosovë, tre në Vushtrri e një në kryeqytet. Sot lidhur me situatën aktuale në Kosovë foli edhe kryeministri Albin Kurti, i cili kërkoi që organet e rendit t’i trajtojnë me seriozet shkaqet e rrethanat që të parandalohen raste të tilla në të ardhmen. Për këtë ka reaguar edhe…

Lajme

26/03/2025 14:46

Brenda tre ditëve ndodhën katër vrasje në Kosovë, tre në Vushtrri e një në kryeqytet.

Sot lidhur me situatën aktuale në Kosovë foli edhe kryeministri Albin Kurti, i cili kërkoi që organet e rendit t’i trajtojnë me seriozet shkaqet e rrethanat që të parandalohen raste të tilla në të ardhmen.

Për këtë ka reaguar edhe kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, i cili shprehet se as edhe një vrasje nuk do të duhej të ndodhte teksa thotë se shumë jetë u humbën në luftë për të mos humbur asnjë në paqe.

“Dora e shtetit duhet të ndihet, para së gjithash, në sigurimin e rendit dhe qetësisë. Kjo amulli në rritje, e përkthyer në dhunë dhe vrasje, nuk është Kosova që duam. Kjo sjellje në masë është reflektim i institucioneve kryesore të shtetit, të cilët të parët nuk respektojnë rend, ligj e prokurori, duke i “trimëruar” kriminelët të të gjitha natyrave përmes amnistimit të sjelljes kriminale të shefit të shtetit”, ka shktuar Haradinaj.

I pari i AAK-së ka kritikuar të parin e Qeverisë duke thënë se po e kthen Kosovën në një shtet ku jeta dhe mirëqenia e qytetarëve janë jashtë kontrollit.

“Siguria e qytetarëve të Kosovës duhet të jetë prioriteti numër një, dhe shembulli duhet të vijë nga ata që kanë institucionet në duar. Ngushëllime familjarëve të viktimave, ngushëllime qytetarëve tanë”, shkroi Haradinaj në rrjetin e tij social në Facebook. /Lajmi.net/